Padobia e ligjit për dekriminalizimin

Nga Mark Marku, botuar në Panorama Online, 31 mars 2015

marku1-150x150Skena politike dhe publike ka qenë këtë periudhë e tejngopur me debatin për kriminalizimin dhe dekrimininalizimin e politikës, administratës publike dhe jetës parlamentare. Duket sikur papritur publiku, aktorët politikë lokalë dhe ndërkombëtarë, mediat, shoqëria civile kanë zbuluar të vërtetën e tmerrshme: kontrollin e pushtetit nga krimi i organizuar dhe personazhet kryesore të këtij krimi. Dhe të gjithë bashkë, të tronditur nga zbulimi i papritur, kanë shpërthyer në një kakofoni zërash dhe alternativash për t’u përballur me rrezikun e madh: pushtetin e krimit.
Nëse dikush do të vinte papritur në Shqipëri dhe do të ndiqte diskurset e ndryshme të aktorëve politikë e publikë, do të shkrehej në habi: po si u paska ndodhur kjo gjëmë e madhe shqiptarëve dhe askush nuk e ka ditur? Si ia paskan hedhur aq keq Edi Ramës disa trafikantë, vrasës, rrugaçë, duke kaluar fshehtazi nga bota e errët e krimit të organizuar në jetën parlamentare? Si i kanë shpëtuar opozitës së sotshme dhe maxhorancës së djeshme këto figura krimi pa u dënuar nga sistemi i Drejtësisë që ata ngritën për 8 vjet? Si qenka gënjyer elektorati shqiptar nga këta vrasës dhe trafikantë? Shkurt: a e kanë ditur partitë politike që i kanë propozuar dhe elektorati që i ka votuar se janë të tillë?
Ne që jemi këtu dhe që e dimë se inkriminimi i Parlamentit dhe politikës nuk u bë në vetëm një ditë, dhe se përgjegjësit kryesorë të krimininalizimit të pushtetit, Parlamentit dhe politikës janë pikërisht ata që ulërasin më shumë për dekriminalizimin, nuk shprehemi në habi. Jemi thjesht të shqetësuar. Jemi të shqetësuar se kjo ka ndodhur në dritë të diellit dhe me votën tonë. Natyrisht, në këtë përgjegjësi ka hierarki dhe votuesit i bie përgjegjësia më e fundit në hierarkinë e përgjegjësisë sociale dhe politike për inkriminimin, por të paktën nuk kemi pse të habitemi. Duhet të reflektojmë.
Dhe një reflektim normal do të thotë të fillosh të mendosh për gjetjen e përgjegjësit. Dhe përgjegjësit kryesorë janë kryetarët e partive politike, pikërisht ata që po rreken të na mbushin mendjen se do hartojnë legjislacionin për dekriminalizimin e Parlamentit. Domethënë, ata që e kanë mbushur Parlamentin me kriminelë (sipas akuzave që i drejtojnë njëri-tjetrit), po bëjnë një ligj që ta pengojnë veten që të mos fusin më kriminelë në Parlament. Që këtu jemi në një situatë paradoksale, për të mos thënë aspak premtuese për shtetin e së drejtës në Shqipëri. E para, nëse ata nuk i duan të inkriminuarit në Parlament, pse i fusin? Dhe, nëse nuk i duan, pse paskan nevojë që të nxjerrin një ligj ndalues për veten?
Pse u dashka një ligj për të ndaluar një gjë që nuk e duan as sistemi politik, as shoqëria? Parimet e funksionimit të sistemit politik janë të mjaftueshme për ndalimin e futjes së të inkriminuarve në politikë. Në vendet demokratike askush nuk e privon një të dënuar, pasi ka kryer dënimin e caktuar nga drejtësia, që të zgjidhet dhe zgjedhë lirisht, pasi me kryerjen e dënimit ai i ka të gjitha të drejtat që kanë edhe qytetarët e tjerë. Por, një parti nuk mund ta përfshijë një të inkriminuar, sepse ka përgjegjësi politike dhe publike për përfaqësuesit e vet, ndërkohë që nëse një i tillë përfshihet në listat e kandidatëve, mediat, shoqëria civile, opinioni publik, elektorati, reagojnë duke ndëshkuar si kandidatin, ashtu edhe forcën politike që u propozon një kandidat të tillë.
Është pra më se e qartë se gjithë çfarë flitet dhe premtohet për dekriminalizimin është farsë dhe hipokrizi e madhe, një tymnajë për të topitur mendjen e qytetarëve. Nëse duam të bëjmë një hap sado modest në këtë drejtim, gjykimi i opinionit nuk duhet drejtuar nga të inkriminuarit, pasi ata, tek e fundit, kanë shfrytëzuar mundësitë që u krijon sistemi jo vetëm për t’i shpëtuar sistemit të Drejtësisë, por edhe për t’u bërë pjesë e rëndësishme, përcaktuese për sistemin. Gjykimi i opinionit duhet drejtuar tek ata që i sollën në Parlament, politikë, në administratën shtetërore, pra drejt Ramës, Berishës, Metës dhe të tjerëve, sepse janë ata që kanë bërë listat. Ky po që do të ishte një hap modest dhe konkret, në mos në zgjidhjen e problemit, të paktën në adresimin e tij. Sepse, tek e fundit, është deri diku e lejueshme që një kriminel të dëshirojë të bëhet deputet, ministër, pse jo edhe kryeministër apo president, por është kriminale që kryetarë partie apo një titullarë institucionesh shtetërore t’ua bëjnë të mundur një dëshirë të tillë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi