Dorëhiqet Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi
Tiranë, 31 mars 2015
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është dorëhequr sot nga posti që mbante. Dorëheqjen e tij të parevokueshme Didi e ka dhënë sot në një mbledhje me krerët e policisë, (ora 09:45). Artan Didi mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga tetori 2013-të.
Më herët, Didi e ka paraqitur dorëheqjen edhe tek ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Në një letër që Didi i ka dërguar kryeministrit Rama thuhet se dorëheqja e tij vjen me motivacionin “për përgjegjësi morale mbi të gjitha ngjarjet e ndodhura”.
Shkak për dorëheqjen e Didit dyshohet të jenë bërë zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e deputetit Mark Frroku, për akuzën që i bën atij shteti belg, në lidhje me një vrasje dhe për mosveprimet e Interpol Tiranës.
Dorëheqja e tij dyshohet se lidhet me akuzën për Shefin e Interpolit të Tiranës, Artan Bajraktarit dhe një specialisteje të Interpolit, të cilët akuzohen për ‘shpërdorim detyre’ pasi fshehën urdhërarrestin dhe informacionet e dërguara nga Belgjika për Mark Frrokun.
Bëhet fjalë për një dokument të Interpol Belgjikës të mbërritur më 8 janar të këtij viti për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje, si dhe për një dokument të datës 23 janar, ku Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut.
Mësohet se kërkesa nga Interpol Brukseli për Frrokun ka ardhur që në muajin janar 2015 në Tiranë, por është mbajtur ne zyrat e Interpol Tirana pa i kaluar ministrisë së Drejtësisë. Pikërisht fshehjen e këtyre dokumenteve e denoncoi sot edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.
Deputeti Arben Ristani përmes një deklarate për mediat akuzoi dyshen Rama-Meta për fshehje të qëllimtë të këtij urdhër arresti, duke kapur në këtë mënyrë dëshmitarin kyç në çështjen “Doshi”, e duke e nxjerrë urdhrin nga sirtarët vetëm pasi Frroku dëshmoi në favor të Metës.