Parlamenti shqiptar sot dhe dje

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 30 mars 2015

romeo-gurakuqiMë 27 mars 2015, në zyrat e Parlamentit të Shqipërisë, drejtuesi aktual i këtij institucioni, në ditën më të errët të demokracisë shqiptare, organizoi një audiencë përzgjedhore, sipas nuhatjes së qarkut solidar të së majtës, për të përkujtuar 95-vjetorin e fillimit të jetës kuvendore politike shqiptare, bazuar asokohe në Besë, Fisnikëri, Hierarki vlerash intelektuale e sociale dhe respektim të kodeve të Konstitucionalizmit, Lirisë e Marrëveshjes ndërshqiptare, pa dallim.
Sot:
95 vite pas Fillesës, Parlamenti i Shqipërisë, kuptuar si administratë dhe si organ i kuvendimit dhe vendimmarrjes pluraliste mbarëshqiptare, nën kujdestarinë e një familjeje, është shndërruar, përmes shantazhit, presioneve joligjore dhe propagandës, në një institucion sektar, njëanshmërisht i projektuar dhe përjashtues të çdo strukture pluraliste, intelektuale të paformatuar në Zyrën e Sekretares Kuadrovike të nomenklaturës së re. Prirja më e fundit është bllokimi dhe izolimi i çdo opozicioni në aulën parlamentare dhe vendimmarrjen tërësore të tij. Kjo politikë e projektuar në këtë institucion, duke filluar nga tetori 2013, ka nisur gradualisht të shtrihet gjerësisht në të gjithë jetën politike të vendit. Duke filluar nga data 25 dhe 26 mars 2015, praktikisht Shqipëria është vendosur nën sundimin e një sistemi njëpartiak, antiparlamentar, i artikuluar përmes partive të kontrolluara nga financuesit në prapaskenë të fushatave të tyre elektorale, kontrollit të fortë të institucioneve të Drejtësisë e kontrollit të ligjshmërisë, qartësisht me një dorë të vetme, ekstrajuridike dhe jashtë arsyetimit shkencor të jurisprudencës. Parlamenti aktual ka degraduar në një grupim deputetësh pa qëndrueshmëri karakteriale, pa ndërgjegje humane, pa kurajë profesionale e qytetare; të pilotuar me urdhnime politike në unison, të mbarsur me sjellje inkoherente. Ndërkohë, në rezultat final, gati e gjithë shoqëria civile dhe media, nën frikën që shkakton paskrupullsia e zemrës së pushtetit, merr pjesë me naivitet, droje, pasiguri dhe servilizëm të pështirë në Shkeljen e Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që është pjesë e brendshme e legjislacionit tonë.
Në cilin vend të NATO-s mund të verifikohen sjellje kaq puthadore të përfaqësuesve të popullit, kur vërehet përdorimi politik, ekstrajuridik i organeve të pavarura, kur konstatohet ekzistenca e një establishmenti policor që kërcënon dëshmitarët, një sistemi policor që nuk siguron jetën e dëshmitarëve, nuk siguron garancinë e procesverbaleve, serverave, filmimeve të marra me vendim gjyqësor, kur nuk siguron vulosjen e provave, kur ndodhet para skandalit të një kupole të dukshme dhe të padukshme, që kontrollon çdo gjë në këtë vend, duke vrarë lirinë. Duhet të kuptoni se vendi praktikisht ndodhet nën një sistem tipik autoritar, me të gjitha pushtetet e kontrolluara nga një burim i vetëm i autoritetit, që mund të bëjë gjithçka ndaj kujtdo që i del para. Kjo kupolë vepron ndaj gjithë popullit, socialist, demokrat, medias, qytetarëve dhe intelektualëve, të cilëve edhe mund t’i thërrasë në ceremoninë e fillesës së parlamentarizmit, kur atë e kanë vdekur në praktikë. Sot nuk bëhet fjalë vetëm për lirinë e një deputeti, që ka rënë në grackën e hakmarrjes së pabesë, por për lirinë e çdo qytetari të Republikës, nga Gegnia në Toskëri. Jemi në rrethanat e delegjitimimit të institucioneve nga përdorimi i Shtetit për interesa partikularistë. Duhet t’ju kujtoj së në këtë formë ka fillue Musolini në Itali, trusti i lulelakrës në Gjermaninë e viteve 1930 dhe ati shpirtëror i komunizmit shqiptar, Enver Hoxha më 1945.
Kapaku final i çdo gjëje është Rënia e Republikës Parlamentare: një rreth i tërë njerëzish të të gjithë kupolës të akuzuar publikisht nga një deputet, për përfshirje në intrigë, ose dekonspirues të hetimit të komplotit, që kur i shfaqet në publik si skandal, nuk gjejnë dot shpëtim tjetër, veç vënies në përdorim të metodave të hetuesisë së Aranit Çelës dhe Rrapo Dervishit. Jemi në një rreth ku duket se Republika nuk ka mekanizma më të lartë institucionalë të pavarur, që ta çmontojnë krimin, fshehjen e krimit dhe zbulimin e të vërtetës për Publikun. Problemi më i rëndë sot mbetet zbulimi i së vërtetes, hetimi i saj transparent në publik, shpëtimi dhe ripërtëritja e republikës dhe lirisë dhe mbrojtja e dëshmitarëve të penduar. Republika asht në rrezik, në qoftë se se ajo nuk ka rënë. Ndërkohë opozita duhet të kuptojë se Parlamentarizmi i ka dhënë një mundësi të artë për të çmontuar krimin në Parlament. Komisionin ad hoc për hetimin në publik dhe “impeachment”-in e zyrtarëve të përfshirë në shkeljen e Kushtetutës, betimit ndaj Shqipërisë dhe ligjit.
Ndërkohë, fillesa e parlamentarizmit ka qenë një nisje natyrore e një vendi shumë të prapambetur.
95 vite më parë, më 27 mars 1920, në Tiranë u mblodh Asambleja Kombëtare, e cila doli prej zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në muajin shkurt 1920. Ky ka qenë i pari Parlament pak a shumë i zgjedhur në historinë e vendit. Kabineti qeveritar u formua nga të njëjtët anëtarë (gjithsej nëntë), ashtu sikurse ai i formuar në Kongresin e Lushnjës në muajin janar të 1920, me Sulejman Delvinën si kryeministër dhe Ahmet Zogun si ministër të Punëve të Brendshme. Parlamenti shqiptar i filloi punimet me leximin e një mesazhi të ardhur prej Këshillit të Naltë të Regjencës, ku shpreheshin qartë: 1. Dëshira që Shqipëria të lejohej të jetonte në një harmoni perfekte me fqinjët e saj, grekët dhe jugosllavët; 2. Shpresa që Italia do të linte mënjanë politikën e saj të mëparshme dhe do të respektonte pavarësinë dhe integritetin e plotë të Shqipërisë. 3. Në letër shprehej mirënjohja ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, për mbështetjen e tij fisnike ndaj çështjes shqiptare; 4. Bëhej një lutje për të gjithë botën e qytetëruar për drejtësi ndaj Shqipërisë.
Partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin shqiptar filluan menjëherë të lindnin pas kësaj ngjarjeje. Disa nga ata kërkonin që në Shqipëri të vendosej një sistem perëndimor i demokracisë, me një opozitë parlamentare, por të tjerë dëshironin të përjetësonin një stil të administrimit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Otomane, e kështu pushteti të mbetej edhe më tutje në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave. Detyra parësore e qeverisë së re shqiptare në Tiranë u bë nxjerrja jashtë, mundësisht me mjete paqësore, e trupave të huaj nga territori shqiptar dhe eliminimi i të gjitha ndikimeve të huaja në vend. Situata e brendshme politike në Shqipëri, gjatë vitit 1920 dhe në vijim, ka qenë e kushtëzuar nga një numër faktorësh objektivë dhe subjektivë. Kongresi i Lushnjës kishte krijuar një regjim të përkohshëm parlamentar në vend, por në planin praktik ky sistem funksiononte në mënyrë jo demokratike dhe të gjithë deputetët zgjidheshin nga lart. Zgjedhësit e kategorisë së parë dhe të dytë u bindeshin në mënyrë të verbër urdhrave të marrë. Kësisoj, Dhoma e Deputetëve, me përjashtime të rralla, konsistonte kryesisht në emërime të njerëzve, të bërë nga pak udhëheqës politikë, të cilët në këtë mënyrë siguronin një bindje shembullore të deputetëve, pa u shqetësuar fare se këta mund të ankoheshin se kishin nevojë të konsultoheshin me zgjedhësit e tyre. Në këtë mënyrë mund të thuhej se kjo lloj demokracie shqiptare ishte e kufizuar plotësisht në thelbin e saj dhe e përqendruar tërësisht në Tiranë, kryeqytetin e ri të vendit. Shqipëria në pamje të parë dukej sikur kishte udhëheqës politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike, por në realitet kjo nuk ishte e vërtetë. Pushteti i këtyre udhëheqësve shqiptarë të kohës varej jo mbi votën e zgjedhësve, por mbi forcën e armëve të pasuesve të tyre.
Shqipëria e sapodalë nga sundimi i gjatë obskurantist otoman ishte vendi më i prapambetur i Europës, e nga një vend i tillë nuk mund të prisje që të dilnin në mënyrë demokratike apo të vetvetishme administratorë me përvojë dhe të aftë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte një klasë fshatare, masivisht analfabete, e kësisoj liderët e kësaj klase, bejlerët e trashëguar nga Perandoria Osmane, nuk mund ta kuptonin dot ndryshe dashurinë për atdheun, vetëm si një dashuri dhe prirje drejt pushtetit. Personat e arsimuar ishin të paktë në numër, nuk ishin të pajisur me artin e të qeverisurit, e mbi të gjitha ishin pa kurrfarë të drejte nga klasa e bejlerëve të ish-perandorisë, e cila kishte zënë tanimë, njëlloj si më parë, vendet në administratë dhe i mbarështonte punët me metodat e vjetra otomane.
Figura më e respektuar në Shqipëri në këtë periudhë ka qenë Aqif Pashë Biçakçiu i Elbasanit, babai i Kongresit të Lushnjës. Një figurë politike me një të kaluar të pastër, i vetmi që mund të mobilizonte në shkallë nacionale popullin në situatat e emergjencave. Rivali i tij kryesor ka qenë Shefqet Bej Vërlaci i Elbasanit, i cili kishte hyrë së fundmi në jetën politike të vendit. Ai ishte një prej feudalëve më të pasur të Shqipërisë dhe pasuria ishte ajo që i jepte atij rëndësinë që kishte. Ahmet Bej Mati Zogolli ishte i fejuari i vajzës së Shefqet Vërlacit. Një figurë tjetër e spikatur ka qenë Hasan Bej Prishtina, nga Shqipëria Verilindore. Kjo figurë në disa anë qëndronte mjaft afër qëndrimeve politike të Aqif Pashës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit dhe, në qoftë se këta udhëheqës do të mund të realizonin bashkimin e forcave përherë, rezultatet politike për Shqipërinë do të kishin qenë krejt pozitive në kahun përparimtar. Në një pozicion të dhunshëm opozitar me Aqif Pashën dhe Hasan Beun ka qenë Ahmet Zogu, një njeri me pak pasuri asokohe, por me një forcë të qëndrueshme pasuesish të armatosur, të përbërë nga 500 mercenarë nga krahina e tij, dhe me mbështetje nga vjehrri i tij i parë, Shefqet Vërlaci. Në kohën për të cilën po flasim, Ahmet Zogolli ka qenë vetëm 27-vjeçar, i pajisur me një shpirt vendimmarrjeje të shpejtë, me ambicie dhe kurajë për të mbizotëruar me çdo kusht mbi rivalët dhe aspak fleksibël. Ai gradualisht do të bëhej figura kryesore që do t’i peshojë jetës politike shqiptare në mënyrat nga më të përkundërtat, rreth të cilit do të përqendroheshin në vijimësi ngjarjet politike të vendit. E vetmja figurë e krishterë që mund të mobilizonte një forcë të rëndësishme të armatosur ka qenë Marka Gjoni, pasuesi i Preng Bib Dodës, prijësi i Mirditës. Ai, në kohën në fjalë, zotëronte një forcë prej 2000 burrash të armatosur. Për këtë arsye, Mirdita zotëronte një peshë të veçantë politike në sy të bashkëkombësve të tjerë shqiptarë (Më vonë, Mirdita do të copëtohet administrativisht. Njëlloj sikur Fuqitë e Mëdha dikur copëtonin trojet shqiptare, shtetarët shqiptarë, në vazhdimësi e në mënyrë të heshtur, e kanë copëtuar Mirditën në pesë njësi të ndryshme administrative brenda shtetit shqiptar). Bërthama tjetër e fuqishme e shqiptarëve katolikë, Malësia, në kohën që po flasim, nuk e zotëronte më peshën e saj madhore tradicionale, që kishte pasur në jetën e brendshme të Shqipërisë, për shkak të copëtimit në dy pjesë dhe mbetjes jashtë kufirit politik, madje nën një regjim të rreptë ushtarak serbo-malazias, të pjesës më të madhe të Hotit, Grudës, Triepshit dhe Kojës. Pjesa tjetër e përfaqësisë politike shqiptare përbëhej nga tregtarët ortodoksë të Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Mosmarrëveshjet që kishin përfshirë komunitetin e krishterë ortodoks, në lidhje me Kishën Kombëtare Ortodokse dhe shkollat, i kishin hequr kësaj bashkësie deri edhe forcën lokale të përbashkimit. Regjenca përbëhej nga Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Imzot Luigj Bumçi, i cili përshkruhet si njeri inteligjent dhe me karakter të lartë dhe dr. Turtulli, i krishterë ortodoks i martuar me një grua franceze dhe që konsiderohej si personi më inteligjent dhe më i arsimuar në Shqipëri.
Parlamenti i parë do të ripërtërihej në muajt mars, prill dhe qershor 1921, pas zhvillimit të zgjedhjeve të para pas Kongresit të Lushnjës për Dhomën e Deputetëve. Duke qenë se këto kanë qenë të parat zgjedhje politike në Shqipëri, vlerësohet se ato janë zhvilluar më me pak ndikim të paarsyeshëm, d.m.th nuk ka pasur shumë imponime, dhe më me shumë paanshmëri. Dhoma e re e Deputetëve e mbajti mbledhjen e vet të parë më datë 21 prill 1921 në Tiranë dhe në këtë mbledhje morën pjesë 57 deputetë, nga gjithsej 75 vende që kishte ky institucion. Të ftuar të pranishëm në mbledhjen e parë ishin edhe ministri britanik dhe ai italian në Shqipëri. Fjalimi i Regjencës u lexua nga Dr. Turtulli. Më 17 qershor, zgjedhjet u zhvilluan edhe në Shkodër dhe më 25 qershor 1921 Dhoma e Deputetëve u mblodh në përbërje gati të plotë me 77 deputetë, të cilëve pas zgjedhjeve në Himarë do t’u shtoheshin edhe dy të tjerë (Pra, Himara dhe “Bregu” në tërësi duhet të përfaqësohet vetë, jo me marioneta politike. Ky është mësimi i etërve tanë tolerantë e largpamës).
Në Parlamentin e dytë shqiptar të vitit 1921, grupet kryesore që u formuan ishin: Partia Progresiste, Partia Popullore dhe Blloku Katolik. Përveç tyre, si deputetë të pavarur qëndronin Fan Noli dhe Hasan Prishtina me pak nga deputetët e “Drinit” nga Shqipëria Verilindore. Dy grupet e mëdha, Progresistët dhe Popullorët, kishin në realitet programe të njëjta dhe secili prej tyre fliste për reforma, arsimin dhe zhvillimin material të vendit. Partia në pushtet, Progresistët, mes të cilëve fillimisht gjendeshin edhe pjesa më e madhe e 20 deputetëve ortodoksë, shkallë-shkallë filloi të quhej Partia e Bejlerëve. Të krishterët, duke e ndier pafuqishmërinë e tyre përballë bejlerëve, filluan një fushatë kundër atyre. Ahmet Bej Mati, me mjaft finesë, përfitoi nga kjo lëvizje për t’u bashkuar me “Unionin e Shenjtë”, që synonte t’i jepte fund pushtetit të bejlerëve, megjithëse ai vetë i përkiste grupit më esktrem të bejlerëve. Fan Noli për arsye praktike u shkri me Popullorët dhe pastaj me kombinimin e “Unionit të Shenjtë”, ndërsa Blloku Katolik, megjithëse u bashkua në lëvizjen kundër bejlerëve, e përqendroi aktivitetin e vet kryesisht për Shkodrën dhe krahinën e saj. Menjëherë pas mbledhjes së Parlamentit, Ahmet Beu formoi atë që në historinë politike të Shqipërisë së asaj kohe njihet si “Klika”, një lloj shoqërie e fshehtë e krahasueshme me atë që në Turqi njihej si “Komiteti Turk për Bashkim dhe Përparim”. Anëtarë të mirënjohur të kësaj organizate kanë qenë: Ahmet Bej Zogu, Eshref Bej Frashëri, kolonel Maliq Frashëri, kolonel Xhavidi, kolonel Ismail Tatzati, Xhafer bej Ypi, Bajram Fevzi Beu, Sotir Peci, Kolë Thaçi, Mustafa Maksudi, Rexhep Bej Mitrovica.
Kështu nisi jetën Parlamenti i parë shqiptar, rruga e të cilit do të ndërlikohej në rrjedhën e vitit 1924, me revolucion dhe kundërrevolucion; me fashistizim më 1939, komunistizim më 1946, liberalizim më 1992, për të përfunduar sot me një degradim gati të plotë në gjendjen e një autoritarizmi antiliberal, shoqëruar me një propagandë intensive të modeleve që ndërtoi në Shqipërinë e viteve 1939-1940 Giro dhe Parini, dhe një zhvillim punimesh e urdhnimesh parlamentare të ngjashëm me Këshillin e Epërm Korporativ Fashist të vitit 1940.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi