Dështimet e reformimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor

Nga Alban Nelaj, botuar në Reporter.al, 30 mars 2015

anelajSistemi i arsimit të lartë universitar në Shqipëri nuk është një ishull i largët e i izoluar nga parimet e përgjithshme të funksionimit të shoqërisë shqiptare. Kështu edhe dikush që nuk ka eksperiencë të drejtpërdrejtë me arsimin e lartë në Shqipëri mund lehtësisht të hamendësoje çfarë ndodh në të. Mjafton të ndjekë vërshimin e informacioneve të përditshme mbi çka ndodh në Shqipëri dhe me pak abstragim t’i përshtatë ato në kontekstin e universiteteve.

Kështu për shembull nëse qytetarët dëgjojnë në lajme mbi një zyrtar të korruptuar që merr X mijë euro bakshish për një tender në fushën e energjisë, abstragimi është në rrugën e duhur nëse mendon se në universitet ka rektorë e dekanë që abuzojnë me fondet publike në shumën X mijë euro, për një rindërtim godine apo tjetër investim infrastrukturor.Nëse qytetarët përballen shpesh me nënpunës shteti harbutë, joprofesionalë e të paaftë, hamendësimi se studentët përballen çdo ditë me pedagogë, autoritete dhe staf joakademik me këto tipare qëndron.

Në shoqërinë shqiptare të rinj të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët duan të japin kontributin e tyre duke punuar në administratën publike, konkurrojnë më kot dhe rezultojnë në shumicën e rasteve jofitues, pasi nuk i kanë lidhjet e duhura partiake ose nuk përmbushin kriteret e nepotizmit dhe servilizmit. Ngjashëm, në universitetet publike shumë persona të aftë, me kualifikime të nivelit të doktoraturës apo postdoktoraturës, brenda ose jashtë vendit, aplikojnë më kot për t’u bërë pjesë e stafeve akademike dhe rezultojnë shpesh herë jofitues, pasi nuk përmbushin kriteret e përkatësisë konjukturale dhe të vasalitetit ndaj bajraktarëve të universitetit.

Kështu jo rrallë herë në universitete publike bajraktarët i pengojnë prurjet e reja të kualifikuara në nivel doktorature apo postdoktoraturebazuar në teknikalitete (si psh. mesatarja e notave të studimeve në nivel bachelor ose diplomë), ndërkohë që kanë bërë dhe mbajnë si pedagogë dhjetra ish studentë të tyre të cilët gjatë kohës së studimeve të tyre bachelor ose diplomë, pavarësisht se në përgatitje akademike kanë dalë pak a shumë si kanë hyrë, kanë garantuar punësimin e përjetshëm si pedagogë mediokër të universitetit publik, shpesh herë duke siguruar mesatare të lartë notash përmes kopjimit në çdo provim, ndër vite, duke u bërë tapet për pedagogët pronarë ose qiramarrës të tyre e duke penguar në çdo mënyrë veprimtaritë për të drejtat e studentëve, të cilat kanë rënë ndesh me interesin e ditës së pedagogëvepronarë apo qiramarrës të tyre.

Në dy vitet e fundit, problemeve të shumta të sistemit të arsimit të lartë qeveria Rama po tenton t’i japë zgjidhje, sigurisht zgjidhje e gatuar në vetë lëmin e fenomeneve negative të shoqërisë shqiptare si konflikti i interesit, arroganca në vendimmarrje dhe mungesa e përfshirjes dhe transparencës.

Në parim, një ndër zhvillimet kryesore pozitive të analizave të reformës së propozuar të qeverisë është theksimi i nevojës për ndarjen e dimensionit akademik dhe atij administrativ të universiteteve publike. Në kushte parimore akademikët e universitetit do duhej të bënin çmos për të shmangur angazhime burokratike e administrative, të cilat bëhen në kurriz të angazhimeve akademike, ndërkohë e vërteta është që në 15 vitet e fundit në universitetet publike kemi parë se pedagogët, ashtu si të fortët e partive në zgjedhjet për Kuvend, kanë luftuar fort mes tyre çdo 3 apo 4 vjet për t’u zgjedhur në pozicionet drejtuese të Rektorit apo Dekanit. Kjo luftë e ethshme për pushtet administrativ në universitet ose ka patur për qëllim ngritjen e nivelit akademik të universiteteve ose vjedhjen e publikes përmes konsolidimit konjuktural. Duke parë gjendjen e nivelit akademik në të cilën janë sot universitetet publike me shumë gjasa shtysa kryesore ka qenë ajo e përfitimeve private në kurriz të së mirës publike.

Duke bërë një ndarje mes strukturave akademike dhe atyre administrative projektligji i arsimit të lartë i bën bajraktarët e universitetit të lirë nga tundimi për të vjedhur të mirën publike dhe i lejon ata të fokusohen më shumë tek mësimdhënia dhe kërkimi shkencor.

Ndër zhvillimet kryesore negative të reformës janëndalimi i veprimtarive politike në mjediset e universiteteve, financimi me fonde publike i universiteteve private, ulja dhe kufizimi i rolit të studentëve dhe kontradikta në parim, e roleve të përcaktuara për Bordin e Administrimit dhe Senatin Akademik.

Së pari, projektligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor që në nenin 1 të tij thekson se pjesë e misionit të arsimit të lartë në Shqipëri është edhe të formojë qytetarë që kontribuojnë “në rritjen e standardeve të demokracisë në vend”. Në mënyrë tërësisht kontradiktore neni 5 thekson se “Brenda territorit të tyre [universiteteve] nuk zhvillohen veprimtari politike dhe shteti ka detyrimin të garantojë këtë neutralitet”. Kështu studentët e sotëm do duhet të jenë qytetarët e mirë të së nesërmes, por ndërkohë që sot nuk do t’u lejohet të shprehin apo manifestojnë asnjë qëndrim ndaj ecurisë së veprimtarisë së universitetit apo shoqërisë shqiptare, nesër do të pretendohet nga ata të kontrollojnë veprimtarinë e qeverisë, të organizohen në komunitete a grupime për të mbrojtur të drejtat dhe liritë, të mbajnë qëndrime politike dhe të çojnë përpara zhvillimin shoqëror në Shqipëri.

Nëse ky projektligj miratohet në formën e tij aktuale, nesër studentëve do t’u ndalohet me ligj mbledhja, manifestimi dhe protestimi në mjediset e universitetit. Jo vetëm kaq, por autoritetet e universitetit do kenë tagër të filtrojnëçdo lloj veprimtarie diskursi që ndodh në mjediset e universitetit dhe në rastet që do e kategorizojnë si politike do mund ta pengojnë atë lehtësisht. E thënë thjeshtë, nëse manifestimet e studentëve që ndodhin këto ditë në mjediset e universiteteve do të ndodhin pas miratimit të këtij projektligji, titullari i universitetit apo fakultetit do e ketë fare të lehtë të kërkojë ndërhyrjen e forcave të rendit për të shporrur studentët nga mjediset e universitetit.

Së dyti, përmes një artifice konceptuale abuzive, projektligji krijon konceptin e universiteteve publike të pavarura, që në të vërtetë janë universitete private të cilat do të marrin financim nga buxheti i shtetit dhe nuk do të kenë asgjë publike,përveç emërtimit të stisur. Edhe vetë projektligji e ka të pamundur ta fshehë natyrën e vërtetë të këtyre universiteteve, i cili në nenin 123 thekson se “Për to nuk zbatohen në mënyrë të drejpërdrejtë rregullat e shpërndarjes së të ardhurave sipas standardeve të programimit buxhetor dhe të menaxhimit financiar publik si dhe të prokurimit publik”. Për ta perceptuar më thjeshtë absurditetin e natyrës së ligjit për sa ka të bëjë me financimin e universiteteve privateme fonde publike do mjaftonte që ligji të shkonte më tej në shpalosjen e parimeve të tij, të cilat e konsiderojnë arsimin publik si mall që shitet e blihet, duke lejuar privatizimin e universiteteve publike si të ishin pulari.

Së treti, projektligji në diskutim e përgjysmon rolin e studentëve në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese. Kështu nëse ligji në fuqi në nenin 21, pika 4 përcakton se “Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studentëve dhe votat e personelit joakademik përllogariten me përqindje, ato vlejnë 20 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik”, në projektligjin që diskutohet, në nenin 38, pika 2 përcaktohet se “Votat e studentëve në përzgjedhjen e rektorit llogariten në masën dhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave” dhe neni 41, pika 3 përcakton se “Votat e studentëve në përzgjedhjen e drejtuesit [Dekanit] llogariten në masën dhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave”. Përpos përgjysmimit të rolit të studentëve në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, projektligji në diskutim vijon t’i mbajë Këshillat e Studentëve ligjërisht të izoluar nga anëtarësimi në çdo lloj organizate studentore të rajonit të Ballkanit, të kontinentit Evropian apo të globit. Kështu neni 99, pika 4 e projektligjit në diskutimrithekson se “Këshillat e studentëve nuk mund të organizohen me struktura të tjera politike e jopolitike, jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë.”

Së fundmi, me shumë gjasa për arsye të dinamikës së kundërshtive ndaj raporteve për reformën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, projektligji në diskutim shfaq kontradikta të forta parimore përsa ka të bëjë me rolet që kanë Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit. Kështu raporti fillestar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, i publikuar në prill 2014, në pikën 5.4.11 përcakton se “Anëtarët e këtij Bordi zgjidhen me votim të fshehtë të stafit akademik të IAL”, ndërkohë që raporti përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, i publikuar në korrik 2014, në pikën 5.5.19 përcakton se “zgjedhja e anëtarëve të Bordit bëhet nga Senati”.

Në përputhje me këtë raport përfundimtar edhe projektligji në diskutim, në nenin 47 përcakton se “ata [anëtarët e Bordit të Administrimit] përzgjidhen nga Senati akademik i IAL-së”. Problemi që pikaset në versionin përfundimtar të projektligjit lind nga mospërputhja e natyrës që ka krijimi i Senatit Akademik dhe Bordit të Administrimit dhe kompetencat që dy strukturat kanë në raport me njëra tjetrën. Kështu sipas projektligjit nga njëra anë Senati Akademik ka tagrin që të zgjedhë anëtarët e Bordit të Administrimit dhe nga ana tjetër nga 16 funksione që ka Senati Akademik, 4 prej tyre i ushtron si strukturë vartëse e Bordit të Administrimit. Nëse marrëdhënia mes këtyre dy strukturave do të zhvendosej në kontekstin e marrëdhënies mes Qeverisë dhe Kuvendit, do të kishim një Kuvend që zgjedh Qeverinë dhe që ligjet të cilat miraton në seancë plenare do duhej t’i çonte për miratim tek Kryeministri.

Në tërësi dokumentet politike që i paraprijnë projektligjit në diskutim pikasin saktë problemet që ka sot universiteti publik, të cilat lidhen me abuzimin administrativ të stafit akademik, por nga ana tjetër të njëjtat raporte dhe vetë projektligji në fjalë kanë gabime të rënda konceptuale dhe parimore për sa ka të bëjë me përcaktimin e asaj çka konsiderohet si universitet publik, promovimin e universitetit publik si hapësirë e formimit politik të qytetarëve, rolin që studentët duhet të luajnë në jetën universitare dhe ndarjen mes veprimtarisë akademike dhe administrative të universitetit.

Në vijim projektligji në diskutim nevojitet të pasqyrojë ndryshime që i përgjigjen drejtë këtyre mangësive thelbësore dhe problematikave të tjera kyçe të universitetit siç janë sistemi i padrejtë i rekrutimit dhe largimit të stafit akademik, numri i lartë i pranisë së pseudoakademikëve në stafin e universiteteve publike dhe plagjiaturat në punimet e stafit akademik dhe titujt e marrë prej tyre.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi