“Të fortët” dhe forca e Shtetit

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 27 mars 2015

Fatos-Cocoli-320x240Në të gjitha vendet demokratike të botës është e përhapur dukuria që “ka dhe më të barabartë në mes të barabartëve”. Pra ka dhe super-anëtarë parlamenti, qeveria qëndrore apo vendore, mes anëtarëve të thjeshtë. Që për shkak të lidhjeve të tyre, apo të pasurisë që kanë vënë, kanë një ndikim me herë më të madh nga deputetët e tjerë intelektualë të njohur, apo profesionistë(arsimtarë, mjekë, inxhinierë, etj.) shumë të respektuar në zonën nga vinin.

Kjo dukuri, ardhja e “të fortëve” në parlamentin tonë, përkoi me fuqizimin e një grupi sipërmarrësish, pa shumë shkollë dhe me lidhje kapilare në boll shtresa të popullsisë, të gatshëm të mbronin interesat e shkelura të bizneseve të tyre edhe me armë, si dhe po me armë të kërcënonin apo largonin ata që u preknin interesat materiale. Këta u bënë sipërmarrës nga privatizime abuzive, rrokën prona apo pjesë biznesi nëpërmjet forcës dhe shumë mënyrave të tjera jo fort të pastra.

Duke merituar cilësimin “të hurit dhe të litarit”. Njerëzit përreth jo vetëm u frikësoheshin për të kaluarën e tyre të forcës, por edhe për fuqinë në rritje të kapitaleve dhe parave të tyre, duke e ditur se këta “të fortë” nuk e kanë për gjë të paguajnë edhe njerëz që mund t’u bëjnë shumë keq. Këtë frikë “të fortët’ e morën në shumicën e rasteve si respekt për aftësitë e tyre. Dhe e quanin në hesap të tyre si të drejtë që mbarë bota t’u binte ndër këmbë, pse kishin mundësi t’u bënin ndere të forta(deri tek gjetja e një pune apo dhurimi i një apartamenti apo makinë).

Pse nisur nga kontributi i dhënë në fushatat zgjedhore apo në protestat nëpër rrugë të partisë së tyre, ministrat e forcës politike në pushtet ju hapnin telefonat, i takonin nëpër zyra, madje u shkonin edhe në restorante për drekëra apo darka, ku diskutohej gjithshka, nga dhënia e një tenderi publik dhe hisja e ministrit, e deri tek punësimi i miqve apo farefisit të tyre. Flasim për vitet 2002-2013, kur politika nga të dyja anët i shfrytëzoi mirë këta të kamur që u pëlqente të silleshin edhe si politikanë. Gjatë kësaj periudhe, këta “të fortë” mirëfilli kishin edhe gurin edhe arrën në punët e Shtetit tonë dhe nuk u dilte dot njeri përpara.

Politika e karrierës i bëri anëtarë të Kuvendit, kryetarë bashkish apo komunash të rëndësishme, deri edhe ministra, në pak raste. U dha në gati një dekadë e gjysëm tendera pambarim. Kështu lindi miti urban se këta superdeputetë, kryetarë bashkish apo komunash strategjike e turistike e sillnin Shtetin si t’ua donte mideja, se mund të bënin ç’të donin në ngrehinat më të rëndësishme shtetërore.

Se sa herë Prokuroria ngrinte ndon jë akuzë apo denoncim ndaj tyre, gjithshka mbyllej shumë shpejt, nga forca e partive në pushtet që i mbronin me çdo kusht, për nderet që kishin marrë, apo pse dinin shumë “punë të pista” të vetë krerëve të partive.

Kështu këta ”të fortë” bënë rrugë në gjirin si të partive në pushtet në këta 12 vjet, edhe në partitë kryesore në opozitë. Një pjesë e tyre mësuan të përshtateshin me mjedisin parlamentar dhe të tregoheshin më pak të dhunshëm apo të ashpër.

Të flisnin madje edhe gjuhën e politikanit popullor dhe në dukje, të dëgjonin njerëzit e thjeshtë që u vinin për të qarë hallet. Por kur ujditë nisën t’u prishen dhe drejtuesit e sotëm të vendit vendosën të mos ngelen peng i forcës së pasurisë së tyre, ndikimit dhe lidhjeve të këtyre politikanëve, perëndoi edhe shpresa për fitim të tenderave të ardhshëm.

Prej këtej edhe ideja për të përmbysur kazanin ku kishin garuzhden, ose të paktën një nga shtyllat ku bazohet ai, me shpresën se mos kjo tronditje dhe shantazh i fortë bënte ose të rikthehej vëmendja dhe “nderet” e “favoret” tek ata, ose mund të gjenin aleatë të vlefshëm në forcën politike që mund të përfitonte për të ardhur në pushtet më herët se konsumi i mandatit të marrë me zgjedhje normale.

Kjo ishte një sprovë që tronditi dhe ngatërroi mbarë vendin, prandaj dhe politika veproi me forcën e Shtetit, duke mbrojtur veten dhe shoqërinë nga një përshkallëzim tensioni e turpërim real të gjithë Shqipërisë. Ky reagim nuk mund veçse të shëndoshë moralin e të bërit politikë tek ne.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi