Liberalët, konservatorët dhe vendet e punës
Nga Paul Krugman, publikuar në New York Times, 25 mars 2015
Thuajse gjithçka që shkruaj shkakton reagime përçmuese nga mosbesuesit e zakonshëm, por nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë reagime sa kur shpalosa disa fakte të pakëndshme. Kështu që pati shumë përbaltje kur theksova verën e kaluar se ekonomia e Kalifornisë – e cila konservatorët thoshin se qe ndëshkuar nga rritja e taksave dhe përgjithësisht nga politikat liberale –në fakt po e rimerrte veten në mënyrë mbresëlënëse.
Nëse krijimi i “miliona” vendeve të punës do të thotë të shtosh 2 milionë ose më shumë vende në një vit të caktuar, atëherë ne e kemi bërë këtë në tre prej katër viteve të Xhimi Karterit në detyrë, dhe 13 herë që kur Regani u largua nga Shtëpia e Bardhë – 8 herë me Bill Klintonin, dy me Xhorxh W. Bushin, dhe tre herë deri tani me Barak Obamën. Në të vërtetë, në të vetmet raste që nuk kemi krijuar miliona vende pune me demokratët kjo ka ndodhur si pasojë e disa krizave – kriza e naftës më 1979 dhe kriza financiare më 2008.
A po pretendoj se presidentët demokratë kanë qenë përgjegjës për krijimin e të gjitha këtyre vendeve të punës? Jo, jo plotësisht, nuk kam përse e them këtë. Puna është se politikat e tyre nuk e kanë penguar edhe aq rritjen e punësimit. Ajo që mësojmë si nga përvoja kombëtare ashtu edhe nga rasti i Kalifornisë është se mund t’i rrisim taksat për të pasurit dhe ta zgjerojmë aksesin në sistemin shëndetësor pa e dëmtuar ekonominë.
Republikanët, përkundrazi, orvaten të marrin përsipër se Reganomics e prodhoi të gjithë rritjen e punësimit në vitet ’80, ashtu sikurse kanë pretenduar se “shoqëria aksionere” e Bushit qe përgjegjëse për të gjitha lajmet e mira në vitet 2000. Ndaj po përpiqen dëshpërimisht ta paraqesin rimëkëmbjen aktuale ekonomike si një iluzion.
Nuk e përballojnë dot të vërtetën.