Koncesione të heshtura
Nga Monitor, 25 mars 2015
Në përpjekje për të rritur flukset e kapitalit në ekonomi dhe për të kapur kohën e humbur, Shqipëria ka nisur një proces të gjerë, të dhënies me koncesion të aseteve dhe shërbimeve publike, me gamë mjaft të gjerë.
Ky është një proces i pritshëm, pasi prej kohësh qeveria shqiptare kishte shpallur një strategji të re të marrëdhënies mes publikut dhe privatit me dy arsye kryesore: e para mungesa e parave buxhetore për t’i bërë vetë të gjitha dhe e dyta, efekti kohë. Këto dy arsye, si fillim duken korrekte dhe një mundësi e mirë kur ekonomia është në rrethanat e rrudhjes së kapitalit, si nga biznesi ashtu edhe buxheti.
Procesi ka nisur të formësohet përmes marrëveshjeve të para, duke shfaqur edhe një mangësi të theksuar, që është transparenca. Ende nuk ka një listë të plotë të objekteve apo shërbimeve që qeveria dëshiron të lëshojë me koncesion, por ato bëhen publike vetëm kur janë bërë fakt. Por qeveria është vetëm një administratore e përkohshme e pasurisë kombëtare dhe se pronari i vërtetë është publiku, siç është edhe financuesi i vërtetë i saj, ndaj detyrimin për transparencë e bën jo vetëm moral por edhe ligjor.
Së dyti, koncesionet e propozuara deri tani nuk janë shoqëruar me një studim me leverdishmëri të njohur për publikun për të mësuar se: Për çfarë pamundësie një shërbim apo pronë publike duhet deleguar? Cili do të jetë përftimi i publikut, po i ekonomisë? Pas dhënies me koncesion a do të ketë shërbim më të mirë? A do t’i paguajmë kostot shtesë. Po nëse koncesionet nuk janë fizible? Kush do t’i kontrollojë?
Problemi i tretë lidhet, me suksesin apo mossuksesin e koncesionit. Po sikur të dështojë, apo marrëveshja të ketë aq shumë kufizime sa të dëmtojë të ardhmen, siç ka ndodhur p.sh., me koncesionet e naftës, apo transportit ajror. Madje ka pasur raste kur për të zgjidhur koncesionet e lidhura më parë, që edhe pse fare të paktë në numër, tashmë Shqipëria duhet të paguajë shuma të mëdha për t’i zgjidhur këto marrëveshje të nënshkruara gabim.
E pra janë shumë pyetje rreth mënyrës së qeverisjes së të mirave publike të cilat duhen të konsumohen e diskutohen mirë publikisht, përpara se të arrihet në akte konkrete.
Ka dhe një aspekt moral kjo çështje. Por nëse institucionet tona shtetërore dhe qeverisëse, nuk arrijnë dot të bëjnë diçka, të mos ofrojnë as shërbimet minimale, atëherë pse ekzistojnë?
Shqipëria i ka njohur edhe më parë format e partneritetit shtet-privat. Përvoja botërore, që është edhe më e larmishme, ka treguar se është një rrugë që ia vlen deri sa ato nuk e kufizojnë pavarësinë e shtetit dhe qeverisjes në vendimmarrje dhe nuk janë kosto të shtuara pa përftime për qytetarët, përndryshe do të jenë të gabuara që në gjenezë.