Tryeza e pestë e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE

Tiranë, 24 mars 2015

SUELA

“Shqipëria duhet të realizojë reforma cilësore. Dialogu pozitë-opozitë duhet të vijojë, jo vetëm në tryezat ku flitet anglisht”. Këto ishin dy prej kërkesave kryesore të artikuluara nga Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, nga e pesta tryezë e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

“Takimet ishin frymëzuese për të gjetur këndvështrime të reja për çështje të ndryshme. Këto takime dhe dialogu janë frytdhënëse për të ecur përpara në disa fusha. Kemi bërë një bilanc të ecurisë së 5 prioriteteve, por edhe si do vazhdohet për negociatat, për një përafrim gradual të vendit në procesin e integrimit europian. Reforma në drejtësi duhet të jetë efikase dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu do të thosha është fryt i të ecurit përpara, sepse pa dialog nuk mund të ecet përpara. Në këtë këndvështrim jam i lumtur që kam parë dialog, si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca, dhe duket se të gjithë janë të angazhuar drejt procesit të integrimit. Ne po flasim për një proces, që do të thotë një përafrim i vendit me standardet e BE. Prandaj është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë reformën në drejtësi. Ne si BE jemi të vendosur për të mbështetur Shqipërinë, që të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur, por çështja nuk është shpejtësia, por cilësia”, tha Hahn.

rama-hahnnnnKryeministri Edi Rama u dakordësua me Komisionerin për nevojën e reformave cilësore, por kërkoi që pritja e Shqipërisë për çeljen e negociatave nuk duhet të zvarritet, apo t’i shtohen kërkesa të tjera.

“Puna për 5 prioritetet është intensifikuar dhe qysh prej takimit të shkuar kemi pasur disa zhvillime me rëndësi, si nga pikëpamja legjislative, duke përmirësuar kuadrin rregullator dhe institucional, por dhe për konsolidimin e një bilanci, që ka treguar deri më tani të jetë progresiv, me fokus në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Është shumë e rëndësishme cilësia e procesit, sigurisht për ne, jo për Bashkimin Europian. Por për ne është e rëndësishme edhe shpejtësia. Kështu që, ne jemi shumë besimplotë që procesi i reformave në drejtësi është cilësor dhe i shpejtë, ashtu sikundër jemi besimplotë se në vjeshtë ne do t’i japim Komisionit në dorë, gjithçka të plotësuar, lidhur me të pestë prioritetet, nëse i referohemi detyrave të shkruara dhe për këtë unë i kërkova Komisionerin që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm dhe të mos kemi shtesa kati rrugës, por brenda kornizës të përcaktuar bashkarisht, Shqipëria të japë rezultate një më një, sipas detyrave të përcaktuara”, tha Rama.

Një burim nga tryeza i tha Top-Channel, se gjatë fjalës së saj ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ka kërkuar, që Shqipërisë t’i jepet rekomandimi për hapjen e negociatave.

Por kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu mendon të kundërtën, pasi siç thotë ajo, nuk kanë marrë zgjidhje një sërë problemesh që lidhen me krimin e organizuar, administratën publike dhe të drejtat e njeriut.

“Do të doja shumë t’i bashkohesha optimizmit të Kryeministrit dhe të Qeverisë së tij për situatën në vend. Fatkeqësisht situata nuk është ajo e cila të premtojë për hapjen e negociatave. Por, reforma në drejtësi për momentin nuk është as e qëndrueshme, as gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë mundësi që të shqyrtohet në çdo detaj të saj, kam propozuar gjithashtu në emër të opozitës, që do të jetë me rëndësi primare të fillojë procesi i menjëhershëm, që do të thotë që kapitulli 23 dhe 24, që do të jenë të parat në hapjen e negociatave, të fillojnë që tani që të shqyrtohen, për të parë se si po ecin reformat në këto fusha”, tha Bregu.

Disa orë pas përfundimit të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, Komisioni Europian publikoi 13 konkluzione për këtë takim të pestë të një formati të tillë. Në pikën 2 të këtij dokumenti thuhet:

“Pjesëmarrësit pranuan se, sfidat e së ardhmes në këtë proces kërkojnë përpjekje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme nga Shqipëria. Komisioneri Hahn theksoi se konsolidimi i realizimit të reformave të qëndrueshme, sipas 5 prioriteteve, janë thelbësore për përparimin drejt BE-së. Ato do të jenë subjekt i një vëzhgimi të rreptë nga BE-ja”.

Konkluzioni i tretë lidhet me punën e Parlamentit.

“Komisioneri Hahn nënvizoi se puna konstruktive në Parlament, mes qeverisë dhe opozitës, është esenciale për qëndrueshmërinë e procesit të reformave europiane. Ai theksoi rëndësinë e respektimit dhe të zbatimit të marrëveshjes së dhjetorit, e cila i dha fund bojkotit parlamentar”.

Për reformën në drejtësi jepet ky konkluzion.

“Komisioneri Hahn përshëndeti progresin e arritur nga Shqipëria për reformën në drejtësi, si dhe themelimin e Komisionit parlamentar për këtë reformë. U ra dakord, që Komisioni Europian do të informohet për punën dhe arritjet e këtij komisioni. Gjithashku, komisioneri nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në këtë proces, nën këshillimin e Komisionit të Venecias”.

Ndërsa në konkluzionin e gjashtë flitet për Administratën Publike, për të cilën komisioneri Hahn ka kërkuar zbatim të ligjit për Shërbimin Civil dhe se, çdo amendim i ligjit duhet t’i shërbejë objektivit për depolitizimin e Administratës Publike.

Komisioneri – thuhet në konkluzionin e tetë – përshëndeti vendosmërinë e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit në Dialogun e Nivelit të Lartë – thuhet në konkluzionin numër 9 – përshëndetën po ashtu edhe vendosmërinë e qeverisë në luftën kundër trafikut të drogës, si dhe rritjen e numrit të operacioneve për identifikimin dhe shkatërrimin e kultivimit të narkotikëve. Por, kërkohet që bashkëpunimi midis agjencive ligjzbatuese duhet të forcohet për të rritur efikasitetin e investigimeve.

Vetë komisioneri Hahn, pak përpara largimit nga Tirana, nëpërmjet një komenti në Twitter thotë: “Një Dialog i Nivelit të Lartë i mirë, nga ku u tregua vendosmëri e qartë prej qeverisë dhe opozitës për ta çuar Shqipërinë më afër me BE-në”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi