Shqipëria dhe Kosova: sa larg dhe afër?

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 24 mars 2015

Fatos-Cocoli-320x240Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërise dhe asaj të Kosovës dje në Tiranë ishte një aktivitet i natyrshëm i qeverive të dy vendeve evropiane fqinje, që synojnë dhe shpresojnë se duke bashkëpunuar më fort me njëra-tjetrën, integrohen më shpejt në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Nga ky këndvështrim, veprimtaria, megjithë dekorin disi butaforik, nuk kishte asgjë shovene të ndjenjave të tejkaluara tashmë, të Shqipërisë së Madhe.

Të 11 marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e djeshme janë letra që orientojnë e drejtojnë një bashkëpunim të nxitur dhe përshëndetur nga të gjithë partnerët perëndimorë, si të Shqipërisë,dhe të Kosovës. Veprimtaritë e përbashkëta vetëm sa e galvanizojnë profilin pro-perëndimor të të dyja vendeve. Ndërsa bashkimi i tregjeve tona ngelet sfida kryesore, brënda integrimit dhe liberalizimit të mbarë tregut ballkanik. Pse duhet pranuar, sot, si tregu i Shqipërisë dhe ai i Kosovës janë shumë larg njeri-tjetrit.

Arësyeja nuk qëndron thjesht në faktin se ekonomitë tona janë të ngjashme dhe zor të tërheqin njera-tjetrën. Procedurat doganore deri tani kanë qenë të gjata, të lodhshme dhe shumë dekurajuese, si për sipërmarrësit e Shqipërisë, ashtu dhe për ata të Kosovës. Praktikisht mes dy vendeve tona për mbi dy dekada ishte ngritur një barrierë e lartë që pengonte ndërveprimin dhe artificialisht i izolonte ekonomitë tona.

Themelimi i konsullatës së përbashkët Shqipëri-Kosovë në Milano ishte guri i parë konkret i një prezantimi të ekonomive të dy vendeve tona së bashku, për një treg më të gjerë ballkanik, në sytë e investuesve italianë të Veriut të këtij vendi të zhvilluar. Funksionimi i plotë i doganës së përbashkët në Morinë-Vermicë dhe zyrave doganore të përbashkëta të Morinë-Tropojës dhe Qaf Prushit, do të nisin të na afrojnë realisht. Deri tani kemi vetëm fjalë dhe dëshira në letër.

Duhet t’i shmangemi eksperiencës jo pozitive të takimeve të ndërsjellta, të nisura që nga viti 2001, mes shumë dikastereve të dy qeverive tona. Të protokolleve e memorandumeve pa fund të bashkëpunimit. Të premtimit solemn se porti i Shëngjinit do t’i lihej Kosovës, që dhe ajo të kishte një dalje në detin Adriatik, për mallrat e saj. Asgjë konkrete s’është bërë nga të dyja palët, për këto nisma. Me sa duket, politikanëve të derisotëm të Tiranës e Prishtinës, ju ka leverdisur butaforia e bashkëpunimit, për të fituar pikë përpara votuesve të tyre, por asnjë syresh nuk ka derdhur djersë, kohë dhe nuk është lodhur një dekikë, që ky bashkëpunim të ndodhë.

Sipërmarrja këtej e andej kufirit, si dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, janë lënë në mëshirën e premtimeve të politikës, deri tani të izoluar dhe pa mbështetjen që meritojnë, për të bërë tregti e investime së bashku.

Ndërsa krimi i organizuar shqiptar dhe ai kosovar, këta po që kanë ditur të bashkëpunojnë! I kanë ndarë zonat e influencës dhe tregjet jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por dhe në të gjitha shtetet e Evropës. Qeverive të të dyja vendeve tona u takon të rrisin seriozisht bashkëpunimin për të bllokuar e izoluar krimin e organizuar dhe trafiqet e drogës e prostitucionit, bash si qeveria e Tiranës bëri me komunën dikur shtet më vete, të Lazaratit.

Të dy ministrive të Financave u takon dhe duhet domosdoshmërisht të bashkëpunojnë për të kufizuar dukuritë e larjes së parave si këndej dhe andej kufirit, pse janë të shumta dhe ndodhin pikërisht nën hundën e policive financiare të të dyja vendeve dhe të strukturave të tyre të anti-krimit ekonomik.

Janë me dhjetra rastet që qytetarët vetë i dinë dhe në mënyrë spontane i përmendin, të milionerëve të Shqipërisë apo të Kosovës, të pasuruar nga tregtia e “miellit të bardhë” apo “mishit të bardhë”, që “shpëlajnë” paratë e drogës dhe prostitucionit në kompani biznesi, shtëpi e apartamente banimi, dyqane, butikë e deri te vila apo resorte që ndërtojnë lirisht këndej dhe andej kufirit. Kosova, e ca më pak Shqipëria, sidomos rajonet më të varfëra rurale të tyre, u shndërruan në dy vitet e fundit, në baza e skalione nga rekrutoheshin të rinj militantë për shtetin

terrorist të ISIS, nëpërmjet fondacioneve kallpe të bamirësisë dhe aktivitetit të tejshtuar të shtirur fetar. Kjo dukuri duhet luftuar me forcë nga ministritë e brendshme të të dyja vendeve tona, jo vetëm për t’i garantuar aleatët tanë perëndimorë se Kosova e Shqipëria nuk janë djep militantësh të ISIS, por edhe për të shpëtuar nga vdekja e aventura fatkeqe qindra të rinj të varfër e pa perspektivë të fshatrave më të largët kosovarë e të Shqipërisë.

Vetëm nëse qeveritë e dy vendeve bashkëpunojnë pa butafori e entuziazëm bosh, për të përballuar këto sfida, atëhere mund të themi se Kosova dhe Shqipëria po afrohen dukshëm e bindshëm, si dy vende të denja për Bashkimin Evropian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi