Përse kemi dështuar?
Nga Klodian Tomorri, botuar në Shqip, 23 mars 2015
Tragjikisht numrat thonë se sot shqiptarët janë po aq të varfër në raport me fqinjët e tyre perëndimorë sa ishin 100 vjet më parë. Dhe kjo rikthen sërish pyetjen; A është shoqëria shqiptare e aftë të gjenerojë mirëqenie? Apo edhe kombet njësoj si individët kanë limitet e tyre?
Në fund të vitit të kaluar, BERZH publikoi raportin e radhës të tranzicionit. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë raporti përmbante një konstatim të trishtë. Konvergjenca e të ardhurave mes vendeve të varfra të Ballkanit dhe atyre të pasura të Bashkimit Europian është në rrezik. Pak ditë më parë, në një raport të posaçëm për zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Fondi Monetar konfirmoi të njëjtin shqetësim; konvergjenca ka ngecur. Në një botë me tregje të lira, ku kapitali financiar e madje edhe ai human lëvizin lirshëm, teorikisht vendet e varfra duhet të rriten më shpejt se ato të pasurat dhe në afatgjatë niveli i të ardhurave mes tyre duhet të barazohet. Por nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë si është e mundur që disa vende kanë arritur nivelet më të larta të mirëqenies në një kohë të shkurtër, ndërsa të tjerë qëndrojnë prej shekujsh të mbërthyer në kthetrat e mjerimit?
Në gjithë historinë e ekonomisë botërore ka pasur vetëm dy raste të pagëzuara me emrin mrekulli. Ato janë Gjermania dhe Japonia pas Luftës së Dytë Botërore. Të rreshtuar në anën e humbësve, të dy këto shtete dolën të rrënuara nga konflikti global, duke parë ekonomitë e tyre të përgjysmoheshin brenda një viti të vetëm. Por teksa të gjithë vinin bast se japonezët dhe gjermanët do të përballeshin me një periudhë të gjatë mjerimi, atyre iu deshën vetëm pesë vjet për t’i rikthyer ekonomitë e tyre atje ku ishin. Në këta 70 vjet nga përfundimi i luftës, ekonomistët e kanë pyetur shpesh veten pse. Çfarë kishin të veçantë gjermanët dhe japonezët që realizuan një sipërmarrje të tillë, që kombet e tjera nuk kanë mundur. Dhe përgjigjja më e mirë që kanë dhënë deri më sot është vetëm një. Ata dinin si ta bënin. Si Gjermania ashtu dhe Japonia, kishin qenë më parë të pasura dhe dinin si të pasuroheshin sërish. Ky është një konstatim, që prek thelbin e një debati, i cili vitet e fundit po merr gjithmonë e më shumë vëmendjen e ekonomistëve. A janë të gjitha shoqëritë njësoj të afta për t’u zhvilluar dhe gjeneruar mirëqenie materiale për anëtarët e tyre?
Në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin sa 15 për qind e mesatares së Bashkimit Europian. Në fund të vitit të kaluar ato arritën në 30 për qind. Pra në 23 vjet, niveli relativ i mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, në raport me fqinjët e tyre të pasur perëndimorë është rritur me 15 pikë përqindje ose më pak më shumë se 0.6 pikë përqindje në vit. Matematika e pamëshirshme thotë se me këto ritme do të duhen edhe 120 vjet të tjera që Shqipëria të arrijë mirëqenien mesatare që gëzojnë vendet e Bashkimit Europian. Por edhe ky skenar është i bazuar në periudhën më të mirë të ekonomisë shqiptare, atëherë kur prodhimi i saj rritej mesatarisht me 6 për qind në vit. Ajo kohë ka marrë fund përgjithmonë dhe me ritmet aktuale të rritjes konvergjenca ka ngecur, ashtu siç konfirmohet edhe nga shifrat e fundit të Eurostat.
Kanë kaluar gati 5 vjet nga koha kur kriza goditi ekonomitë e brishta të Ballkanit dhe atë të Shqipërisë. Tashmë është e qartë se ngadalësimi dramatik i rritjes ekonomike nuk është më një shmangie e përkohshme nga trendi i saj afatgjatë, por një realitet i ri. E thënë ndryshe ky nuk është një shok i lidhur me ciklet normale të biznesit, por ka në themel të tij një problem të thellë strukturor. Nga këndvështrimi ekonomik, vendi ka hyrë në epokën e pritshmërive të zvogëluara. Për ta ilustruar këtë mjafton një shembull. Nëse përpara vitit 2008, Prodhimi Kombëtar është dyfishuar çdo 10 vjet, me rritjen ekonomike të regjistruar pas krizës, kjo kohë është trefishuar. Ky përbën një ngadalësim të jashtëzakonshëm në shpejtësinë e krijimit të mirëqenies me pasoja të thella për shoqërinë, të cilat kanë filluar të ndihen sakaq.
Një sërë vlerësimesh të fundit tregojnë se të ardhurat për frymë aktualisht qëndrojnë 15 për qind poshtë nivelit që sugjeronte trendi natyral i ekonomisë përpara krizës. Dhe ky hendek vazhdon të thellohet nga viti në vit, teksa rritja ekonomike mbetet nën potencial. Në vlerë, humbjet kumulative për ekonominë kombëtare janë të jashtëzakonshme. Për çdo familje, kjo përkthehet në qindra e ndoshta mijëra dollarë më pak të ardhura. Por pasoja më e rëndë e rritjes anemike është se ajo përkeqëson çdo problem tjetër ekonomik dhe social. Pa rritje të shpejtë aftësia sakaq e dyshimtë e qeverisë tonë për të përmbushur zotimet e saj, në financimin e sistemit shëndetësor, skemës së pensioneve dhe shlyerjen e borxheve, tretet përfundimisht. Por mbi të gjitha, nëse rritja ekonomike nuk rikthehet në ritmet e para krizës, Shqipëria është e dënuar të qëndrojë gjatë në varfëri.
Një histori që përsëritet. Një kurth në të cilin vendi është i mbërthyer prej shekujsh dhe nuk del dot. Tragjikisht numrat thonë se sot shqiptarët janë po aq të varfër në raport me fqinjët e tyre perëndimorë sa ishin 100 vjet më parë. Dhe kjo rikthen sërish pyetjen; A është shoqëria shqiptare e aftë të gjenerojë mirëqenie? Apo edhe kombet njësoj si individët kanë limitet e tyre? Disa ia dalin të bëhen të pasur. Të tjerë jo. Ashtu siç shkruan dhe Daron Açemoglu në “Pse Kombet Dështojnë”, zhvillimi ekonomik i një vendi përcaktohet nga institucionet. Dhe në thelb institucionet janë pasqyra e vetë shoqërisë.