Mbledhja e dytë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës
Tiranë, Mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, 23 mars 2015
Nën tingujt e dy himneve kombëtarë të Kosovës dhe Shqipërisë, dy kryeministrat çelën ceremoninë zyrtare të pritjes së delegacionit të Kosovës në Pallatin e Kongreseve. Krerët e qeverive dhe ministrat iu drejtuan ambienteve të brendshme të Pallatit të Kongreseve aty ku në 11.00 nisi mbledhja e përbashkët e qeverive të dy shteteve.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, çeli mbledhjen mes dy qeverive, si dhe fjalimin e tij, me moton e kësaj mbledhje “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”. Ai theksoi se dy shtetet mund të kenë një bashkim kombëtar përmes BE-së, ndërkohë që theksoi se do bëjnë politikë mbi realitetet.
“Një tokë: që është terren i pakufishëm bashkëpunimi, një rrugëtim çdo ditë e më i përbashkët. Një ëndërr: bashkimi kombëtar përmes BE-së, politikbërja mbi realitete e ka urtësi dhe frymëzim të sajin të përhershëm. Ëndrra e njerëzve është vetë ngjarja, i vetmi realitet autentik i denjë për të jetuar. Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë së bashku politikë mbi realitet. Kjo është e vetmja rrugë e vlefshme”, deklaroi Rama.
Duke iu drejtuar Serbisë, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se duhet të garantojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës një paqe që ja vlen të jetohet. Ndërkohë që lidhur me shqiptarët në Maqedoni, ai u shpreh se nxisin bashkëpunim.
“Kërkojmë njëzëri nga Serbia të garantojë për shqiptarët e Preshevës, saç u është garantuar serbëve në Luginën e Kosovës. Kemi angazhim dhe projekte konkrete të bashkëpunimit me Serbinë. Të nxisim partnerët evropianë të pranojnë integrimin si një projekt strategjik evropian”, u shpreh kryeministri shqiptar.
“Në një vit ne i kemi bashkuar ndjeshëm agjendat tona. Ajo që ndodhi dje në Prizren e sot në Tiranë është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës, politikbërjes në bazë të realiteteve.
Ura lidhëse drejt urës së rikthimit në shtëpinë e përbashkët europian. Kemi rolin çelës në rajon. Shqiptarët duan ekuilibër dhe jo prishje ekuilibrash. Thjesht kërkojnë ato që u takojnë.
Kosova shembull rrezatues për Ballkanin dhe Evropën e sotëm. BE s’duhet ta shohë rajonin tonë si një hall më tepër që duhet të përballen. Shqipëria dhe Kosova meritojnë vëmendje e qasje strategjike. Ballkani çelës sigurie dhe harmonie brenda kontinentit të vjetër. Kosova e Shqipëria, lokomotivë e projekteve rajonale”, tha Rama.
Regjimi i vizave për Kosovën, ishte një prej temave më të nxehta për të cilën vetë kreu i qeverisë shqiptare, foli ashpër ndaj Bashkimit Evropian. Ai e cilësoi si një paradoks dhe një padrejtësi cinike që po i kryhet ndaj Kosovës.
“Mos heqja e vizave për qytetarët është një paradoks i madh, kur në të kaluarën mund të lëviznin lirisht drejt Evropës. E ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë evropiane. Regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës e duhet të marrë fund një orë e më parë. Nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës, por të vetë Evropës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për BE-në”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare. Edi Rama.
Kreu i qeverisë kosovare, Isa Mustafa, tha në fjalën e tij se dy vendet tona po realizojnë ëndrrën e kamotshme për bashkimin dhe bashkëpunimin vëllazëror mes tyre.
“Ky takim, sikur edhe i pari në Prizren, dëshmon se po realizon ëndrrën e kamotshme për bashkëpunimin tonë vëllazëror”, tha kryeministri kosovar.
Mustafa falënderoi Shqipërinë dhe shqiptarët që u hapën dyert vëllezërve dhe motrave të tyre nga Kosova gjatë pushtimit serb në vitin 1999.
Ai tha se prioritet i qeverisë së tij është bashkëpunimi me Shqipërinë për një sërë fushash, duke filluar nga ajo ekonomikja, e cila sipas Mustafës është fusha që dy vendet e kanë lënë më tepër pas dore.
“Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë në fushën e integrimit, ekonomik, politik, të cilat do t’i shërbejnë mirëqenies së dy vendeve tonë, çështjes kombëtare dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.
“Ne dy vendet kemi klimë shumë të volitshme për të realizuar një bashkëpunim mjaft efikas…Me shembujt tonë të harmonisë fetare, ne jemi sot shembuj sot para botës në një kohë kur në botë ka plasur gjakderdhja. Ne jemi në një vijë si shtete për synimet tonë”, tha Mustafa.
Ai njoftoi se Kosova dhe Shqipëria do ta thellojnë më tepër bashkëpunimin diplomatik mes tyre, duke hapur të tjera seli diplomatike të përbashkëta në botë. Pas Milanos, dy shtetet tona shqiptare do të kenë një konsullatë të përbashkët në Mynih.
Ekonomia duhet të jetë promotori i të ardhmes së shteteve shqiptare në rajon e Europë sipas Mustafës.
“Vlerësoj se marrëdhëniet tona ekonomike kanë mbetur më pas në krahasim me bashkëpunimin në fusha të tjera. Ndaj është e rëndësishme që bashkëpunimi ynë të fokusohet më tepër në këtë drejtim. Ne jemi zotuar dhe po punojmë intensivisht që të krijojmë një bashkëpunim konkret dhe frytdhënës ekonomik. Rregullimi i pikës së përbashkët doganore në Vërmicë është shembulli i bashkëpunimit tonë. Autostrada e energjisë është gjithashtu një dëshmi, që do t’i shndërrojë vendet tona në faktor të rëndësishëm energjetik në rajon”, tha Mustafa.
Sa i përket integrimit në BE, Mustafa tha se ai është një proces i sigurt dhe stacioni i tyre i fundit drejt udhëtimit për në Bruksel.
“Integrimi ynë euroatlantik është i sigurt, jo sepse kjo është synim i pakthyeshëm i joni, por sepse është dëshirë e popujve që përfaqësojmë”, tha ai.
Dy kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa kanë mbajtur një konfercencë të përbashkët për mediat, ku kanë prezantuar të gjitha marrëveshjet mes tyre në mbledhjen e përbashkët.
Kryeministri Edi Rama tha se duke nisur nga ky sezon veror qytetarët nuk do të provojnë më radhë në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve. Po ashtu lehtësi do të kenë edhe tregtarët që shkëmbejnë mallra mes dy vendeve
“Çdo pikëkalimi drejt Shqipërisë, kam parasysh pikën kryesore në rrugën e Kombit në një pikë pa radha ku kontrolli të bëhet i rastësishëm ashtu siç bëhet në kufi të BE, për shembull me Zvicrën. Morëm në shqyrtim hapat e domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik, nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, firmosëm memorandum mirëkuptimi mes ministrive të financave, shtuar këtu edhe vendosja e piketave të mëtejshme për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.
Jemi të vendosur që brenda vitit ti heqim barrierat e natyrës administrative dhe të njehsojmë dokument e nevojshëm tregtarë për tregtinë që të mos punojnë me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njohur reciprokisht, burimet e certifikimit”, u shpreh Rama.
Rama tha se ministritë e Arsimit të dy vendeve firmosën marrëveshje për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë.
“Ecim më tej me unifikimin e sistemit tonë arsimor, një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të institucioneve të dy shteteve tona për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli”, tha Rama.
Së shpejti Shqipëria dhe Kosova do të kenë konsullatë të përbashkët edhe në Mynih. Pas hapjes së konsullatës së përbashkët në Milano, si finalizim i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e janarit të 2014-ës në Prizren, Rama tha se unifikimi diplomatik mes dy vendeve do të vijojë edhe më tej.
“Guxuam me konsullatën e përbashkët në Milano dhe së shpejti do të hapet konsullatë e përbashkët në Mynih. Reagimi pozitiv i qytetarëve tanë na imponon të shkojmë më tutje në këtë proces dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik edhe me më kurajë edhe me më shpejtësi”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
“Qëllimi parësor i politikave të përbashkëta është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, i cilësisë së të jetuarit në hapësirën tonë të përbashkët ku administrimin e bëjnë dy shtete por ku aspiratat dhe interesat janë absolutisht të përbashkëta”, përfundoi ai.