Turizmi, një histori suksesi në thonjëza
Nga Pirro Naçi, botuar në Shekulli Online, 21 mars 2015
Vitet e fundit pothuajse të gjithë drejtuesit e Ministrisë së Turizmit, nga të gjitha krahët e politikës, kanë qenë optimistë, qysh në ditët e para kur merrnin detyrën dhe deri sa e linin atë, për suksesin e kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë. Është i vetmi institucion që nuk bie jashtë nga parashikimet. Kjo traditë tashmë nuk lë shumë hapësirë për të mos besuar edhe ministrin përgjegjës, i emëruar pak javë më parë, për optimizmin se këtë vit rritja e numrit të turistëve do të jetë me dy shifra. Kjo e bërë në Berlin, në eventin më të madh ndërkombëtar për Turizmin pak ditë më parë. Madje në këtë veprimtari, Shqipëria u përfaqësua me dyfishin e numrit të operatorëve turistik të krahasuar me një vit më parë. Një gjë më bën përshtypje dhe nuk mund ta anashkaloj.
Një vit më parë, po në Berlin, ministrja përgjegjëse, si nuk mundi të parashikonte rritjen e turizmit dhe të na jepte mundësisht edhe me shifra, apo të merrte me vete në këtë event dyfishin e operatorëve turistik? Në këtë aktivitet të paktën nga vendet europiane u vërejt, jo vetëm pjesëmarrja e madhe e operatorëve turistikë, por edhe e numrit akoma më të madh të drejtuesve të qeverisjes vendore. Slogani i një viti më parë në këtë panair ishte “Imazhi i Ri Turistik i Shqipërisë”.Këtë vit “Guri i fundit i pazbuluar i Europës”. Dhjet vjet më parë, Ministria e Turizmit filloi rrugëtimin për zhvillimin e kësaj dege të ekonomisë me “Shqipëria, juaja për ta zbuluar”. Pak vite më vonë nuk bëri gjë tjetër por luajti me fjalët, ose ua ndryshoi vendet, madje dha edhe “urdhrin” te vizitorët e huaj “Zbulo Shqipërinë!”. Vitin e kaluar, Ministria Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe qeveria shpallën konkursin ndërkombëtar “Branding Albania” ku fitoi “citati” “Ndiq rrugën tënde”. Unë të paktën dy vjet më parë shkruaja në një nga gazetat e shtypit qendror: “Ministria e Turizmit në pritje të Kolombit”. Por akoma….
Turizmi, së bashku me “historinë e suksesit” që përsëritet nga viti në vit, po kthehet në një mit me fjalë dhe me shifra. Por shifrat nuk e sjellin gjithmonë “lumturinë”. Numri në rritje i turistëve ka pasur tendenca negative të të ardhurave nga shpenzimet e çdo turisti. Perceptimet e politikës qendrore mbeten të bashkëngjitura në makthin e “gjurmimit të shifrave”. Madje, kanë përcjellë mesazhin se çfarëdo që ndodh në zhvillimin e turizmit, është produkt i një politike të qartë, largpamëse dhe të “mbyllur” midis zyrtarëve të stafeve qeveritare dhe të një pjese të vogël të kapitalit turistik. Zhvillimi i turizmit dhe rritja e numrit të turistëve nuk është një proces i lidhur vetëm me organet shtetërore, por në radhë të parë i dedikohet investimeve private dhe përpjekjeve të shumta të tyre.
Përpara se këto organe shtetërore të bëjnë bilancin e shifrave duhet të bëjnë bilancin e detyrave, që ata kanë marrë përsipër për t’i realizuar. Kjo ka të bëjë me një sërë problemesh dhe pyetjesh, që deri më sot, jo vetëm nuk kanë marrë përgjigje, por janë lënë në heshtje. Organet shtetërore dhe institucionet që varen prej tyre, në radhë të parë, duhet të shikojnë se çfarë kanë bërë për administrimin e ofertës turistike, strategjinë shumëpartiake,për bashkërendimin e bashkëpërgjegjësisë ministrore në problemet që kanë lidhje me turizmin, për ndërhyrjet organizative dhe institucionale, për krijimin e një “branding” për turizmin shqiptar, për krijimin e një strukture të kulturës së marketingut etj. Këtu nuk duhet të lëmë mënjanë reformat në administratën lokale për ta shfrytëzuar ne dobi të sektorit të turizmit. Por le të ndalemi në disa objektiva dhe premtime të Ministrisë së Turizmit deri më tani. Ligji i ti i turizmit, ishte një nga synimet e kësaj ministrie.
U shpenzua shumë kohë, shumë konsulta, mjaft propagandë, por ligji mbeti këtu e një vit e ca vetëm projektligj. Edhe Strategjia e Turizmit 2020 pati të njëjtin fat. Shumë takime në rrethe e qarqe, bashkëpunim dhe ndihmë nga gjermanët. U krijuan komisione me specialistë, jo vetëm nga vendi, por edhe nga Europa dhe rezultati deri më tani i padukshëm. Një vit më parë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe ajo e Punëve të Jashtme nënshkruan një “memorandum” për ta kthyer diplomacinë shqiptare në dobi të turizmit. Po ti hedhim një sy veprimtarisë së trupit diplomatik do të shikojmë se për turizmin aktivitet kanë qenë shumë të kufizuara për të mos thënë në kuotën zero. U fol shumë vitin e kaluar për plazhet, për mundësitë që kemi, madje u krijua edhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Por deri më sot asnjë plazh nuk ka marrë ose ka kërkuar të certifikohet me “Blue Flag” nga organizmat ndërkombëtare. Dhe këtu nuk duhen as fonde qeveritare dhe as ndihma ekonomike nga BE-ja. Rojet e plazheve, edhe këtë vit u trajnuan në Malin e Zi.
Kaq i vështirë është në vendin tonë një trajnim i tillë?! Ky është perceptimi për hapjen e vendeve të reja të punës? Një kampione e atletikës u bë konsull në Selanik, një kampion noti, që Sarandës nuk i mungojnë, nuk mund t’ia ngarkojmë një detyrë të tillë? Dhe kjo, jo thjesht për të kursyer disa euro, por më tepër për mesazhin që do të përcjellë. Pothuajse një vit më parë, “Branding Albania” synonte ndryshimin e imazhit të Shqipërisë dhe të turizmit në sytë e botës dhe të investitorëve të huaj. Nga një juri ndërkombëtare u shpall fituese kompania “Strawberry Frog”. Rezultatet e deritanishme janë larg objektivave dhe premtimeve. Ndërsa tregu ndërkombëtar ka pasur një bum të madh të investimeve në sektorin e hotelerisë. Nga të dhënat e “Global Construction Pipeline Report”, del se Europa është një potencial i fuqishëm në sektorin e investimeve ne degën e turizmit. Filli i këtij viti po e gjen kontinentin me rreth 883 projekte, me rreth 140000 dhoma gjumi, të cilat janë në fazën përfundimtare ose në procesin e projektimit. Shifrat flasin se në Europë këto investime kapin kuotën në rritje të më shumë se 20%. Kompania “Strawbery Frog”, qysh në majin e 2014-s, i ka humbur gjurmët .Turizmi Shqiptar akoma edhe sot mbetet pa logon e tij të identitetit. Këtyre përpjekjeve u mungojnë akoma edhe sot strategji kombëtare për shfrytëzimin dhe privatizimin e pasurive dhe resorteve që shteti ka si prona të tij dhe nuk mund t’i vendosë në dispozicion të turizmit. Ministria e Zhvillimit Urban dhe e Turizmit u nda më dysh.
Turizmi i kalon Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kurse Zhvillimi Urban mbetet më vete. Punë që mund ta bëjë dhe e bën shumë mirë vetëm një drejtori ,ajo e ALUIZNI-t. E kundërta duhet të ndodhte. Turizmi kërkon ministri më vete dhe autonome, të fuqishme dhe koordinatore për të gjitha organet shtetërore që kanë lidhje dhe mund të ndihmojnë këtë degë të rëndësishme të ekonomisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk mund të mbajë shumë kunguj nën sqetull. Këto janë problemet e vërteta dhe konkrete që duhen përballuar për zhvillimin e turizmit. Kur të flasim për “histori suksesi” të turizmit shqiptar sidomos nga organet shtetërore, në radhë të parë, le ta fillojmë me disa nga ato çka përmendëm më lart dhe numrat do të vijnë vetë.