Të financosh arsimimin e të gjithë fëmijëve të botës
Nga Jeffrey D. Sachs, botuar në Reporter.al, 21 mars 2015
Nga të gjitha investimet e nevojshme për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm, asnjëra nuk është më e rëndësishme sesa cilësia e arsimit për çdo fëmijë.
Në një ekonomi botërore të bazuar mbi dijen, një edukim i mirë është jetësor për gjetjen e një pune të volitshme; arritjen e shëndetit të mirë; ndërtimit të komuniteteve funksionuese; zhvillimin e aftësive për një prind të besueshëm dhe rritjen për t’u bërë një shtetas i përfshirë dhe i përgjegjshëm.
Në fakt, nuk është befasi që grupet më brutale dhe të dhunshme në botë, si Boko Harami i Nigerisë, sulmojnë arsimin. Dhe ishte goditje në shenjë të nderohej me Çmimin Nobel të Paqes 2014 Malala Yousafzai, adoleshentja pakistaneze e qëlluar nga talebanët për mbrojtjen e saj të guximshme të edukimit të vajzave.
Kur qeveritë e botës të publikojnë Synimet për Zhvillimin e Qëndrueshëm (SDG) këtë shtator, ata do ta vënë arsimimin për të gjithë fëmijët në qendër, së bashku me dhënien fund të varfërisë ekstreme, urisë dhe vdekjes për shkaqe të parandalueshme dhe durueshme. Ende, ndërsa shumë vende të varfra kanë rritur financimin vendas për arsimin, komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë ende pjesën e tij. Ndihma për arsimin mbetet shumë e ulët dhe shumë e copëtuar.
Përpara miratimit të SDG-ve, në Konferencën mbi Financimin për Zhvillim në korrik, bota ka shansin të mbështesë me burime reale synimet e arsimit. Tre llojet kryesore të partnerëve të mbledhur në Addis Ababa – qeveri, filantropistë dhe kompanitë kryesore – duhet të grumbullojnë burimet për t’i ofruar mundësinë vendeve të varfra të ngrenë arsimin, veçanërisht në nivelet parashkollorë dhe 9-vjeçare. Ka ardhur koha të krijohet një Fond Global për Arsimin që të sigurohet që edhe fëmija më i varfër në botë të ketë mundësinë të marrë një arsim cilësor të paktën në 9-vjeçare.
Kështu janë luftuar me sukses malaria, AIDS, sëmundje e parandalueshme me vaksina në 15 vitet e fundit. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Suedia dhe qeveritë e tjera bashkuan Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, kompanitë private si Novartis, GlaxoSmithKline, Ericsson, Sumitomo Chemical, dhe të tjera për të siguruar që vaksinat, ilaçet dhe diagnozat mund të arrijnë deri te më i varfri i të varfërve. Rezultatet kanë qenë të mrekullueshme: miliona jetë janë shpëtuar dhe rritja ekonomike është nxitur.
Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me arsimin. Ndonëse aksesi në shkollimin primar është zgjeruar drastikisht gjatë dy dekadave të fundit, një depërtim transformues në cilësinë e mësimit dhe arsimit 9-vjeçar mbetet për t’u arritur. Përhapja e kompjuterëve, celularëve dhe internetit me bandë të gjerë për rajonet me të varfra në botë mund – dhe duhet – të sigurojë që çdo fëmijë në shtetet me të ardhura të ulëta të ketë akses në të njëjtin informacion online dhe materiale të mësimit cilësor si fëmijët në shtetet me të ardhura të larta.
Përshkallëzimi i përdorimit të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit (ICT), së bashku me aksesin e përmirësuar në novacionet arsimore, mësuesit e trajnuar dhe punonjësit e arsimit në fshat, dhe matja më e mirë e rezultateve të mësimit, do të bënte që shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të krijojnë sisteme arsimore të cilësisë së lartë brenda 15 viteve të ardhshme. Ndërkohë, studentët në shkollat rurale të varfra që aktualisht nuk kanë libra, elektricitet dhe mësues të trajnuar do të lidhen online – nëpërmjet paneleve diellore dhe internetit wireless me bandë të gjerë – me materiale cilësore arsimuese, kurse online falas dhe shkolla të tjera, duke mbyllur kështu hendekun e burimeve, që së fundmi dukej i pakapërcyeshëm.
Bota madje ka lidershipin organizativ për ta bërë këtë të mundur. Partneriteti Global për Arsimin (GPE) është një koalicion mbarëbotëror i qeverive dhe OJQ-ve që kanë punuar së bashku për më shumë se një dekadë me vendet më të varfra të botës për t’i ndihmuar ato të rrisin arsimin cilësor.
Ende, pavarësisht suksesit të madh të GPE-së në inkurajimin e vendeve të varfra për mobilizimin e burimeve të buxhetit të tyre për të zgjeruar depërtimin dhe cilësinë e programeve të tyre edukuese, shtetet e pasura nuk e kanë mbështetur siç duhet këtë përpjekje duke mbyllur hendekun e financimit me të cilin hasen këto vende. GPE duhet të mbështetet për të ndihmuar ndërtimin e një Fondi Global për Arsimin për të siguruar që çdo shtet me të ardhura të ulëta që vë në vend një strategji kombëtare dhe financim të brendshëm të marrë mbështetje ndërkombëtare për të arritur qëllimet e veta.
Financimi shtesë i kërkuar është modest. UNESCO së fundmi vlerësoi ‘hendekun financiar’ vjetor të arsimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe më të ulëta se të mesme – për të mbuluar arsimin në shkollën 9-vjeçare – të jetë rreth 22 miliard dollarë. Sigurimi i zhvillimit të arsimit 9-vjeçar dhe aksesi në ICT mund të rrisë shumën vjetore të nevojshme në rreth 40 miliard dollarë, me vlerësime kostoje të detajuar ende për t’u bërë. Një ndihmë e tillë do të nevojitet vetëm derisa shtetet e sotme të varfra të arrijnë mjaftueshëm progres ekonomik për të mbuluar vetë faturën arsimore.
Ai 40 miliard dollarë mund të duket si shumë para, por konsideroni këtë: 80 njerëzit më të pasur të botës kanë një pasuri të vlefshme rreth 2 trilion dollarë. Nëse ata do t’i përkushtonin vetëm 1 për qind të pasurisë së tyre çdo vit, ata do të mbulonin gjysmën e nevojës financiare botërore.
Facebook, Google, Ericsson, Huawei, Samsung, Microsoft, Cisco, dhe gjigantë të tjerë të ICT mund të mbulojnë të paktën 10 miliard dollarë në vit, si para ose në lloj tjetër. Disa qeveri që shohin përpara mund të sigurojnë 10 miliard dollarët e tjerë të nevojshëm. Siç kemi parë me imunizimin, ky është lloji i partneritetit që nevojitet për të çuar SDG-të nga retorika në realitet.
Bukuria e Fondit të ri Global për Arsimin është që, sapo të fillojë punën, do të tërheqë shpejt mbështetës nga e gjithë bota. Qeveritë arabe do të duan të sigurojnë që të gjithë fëmijët arabisht-folës të marrin një arsimim të denjë të mbështetur në ICT; Brazili dhe Portugalia do të duan me siguri të kontribuojnë në sigurimin që portugalisht-folësit e shumë të Afrikës të përfitojnë nga sistemet e zhvilluara arsimore. Kompanitë e teknologjisë së lartë inovative do të përlesheshin për të vënë mjetet e tyre të mësimit përpara fëmijëve të botës. Universitetet vendase do të trajnonin mësues dhe fshatarët si të maksimalizojnë potencialin e këtyre teknologjive të reja.
Yjet – SDG-të, gjigantët e teknologjisë, interneti me bandë të gjerë, mësimi online dhe filantropistët – janë pozicionuar për një skenar të tillë. Një Fond Global për Arsimin, i lajmëruar në Konferencën për Financim të Zhvillimit, do të ishte lajmi më i mirë i mundshëm për fëmijët e sotëm kudo ndodhen inaugurim i ndritur i Synimeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm.