Burimet financiare dhe njerëzore të nevojshme

Intervistë me z. Ardian Haçkaj, drejtor i portalit shtetiweb.org, botuar në Monitor, 21 mars 2015

hqdefaultZhvillimi i një vendi me të ardhme në BE-së nuk mund të bazohet vetëm në aktivitete me vlerë të shtuar shumë të ulët, nivel kualifikimi bazik dhe punë me detyra repetitive si në filmin “Kohët Moderne” me Charlie Chaplin.

Nga një renditje e 100 punëdhënësve me të mëdhenj në vend, rezulton se dy sektorët që gjenerojnë më shumë vende pune në Shqipëri janë call center dhe fasoni, të dy këta sektorë, që kanë si avantazh kryesor krahun e lirë të punës.

Si e vlerësoni këtë tendencë dhe sa është ky një model zhvillimi i qëndrueshëm?

Është fakt që industria fason dhe call center figurojnë në listën e punëdhënësve më të mëdhenj në Shqipëri dhe me tendencë në rritje. Ky konstatim është pozitiv në një qasje afatshkurtër të luftës kundër papunësisë dhe problemeve sociale, sidomos në zonat e rrethinave tëqyteteve dhe për grupe vulnerabël si psh gratë në zona peri-urbane.

Por, zhvillimi i një vendi me të ardhme në BE-së nuk mund të bazohet vetëm në aktivitete me vlerë të shtuar shumë të ulët, nivel kualifikimi bazik dhe punë me detyra repetitive si në filmin “Kohët Moderne” me Charlie Chaplin. Marketimi i Shqipërisë me argumentin e rrogave shumë të ulëta dhe të një force punëtore që nuk hap probleme, e vendos vendin në një optikë zhvillimi industriale të shekullit të kaluar.

Aktivitetet fason dhe call center mund të shfrytëzohen në mënyrë efikase në një optikë afatgjatë nqs këto mbështesin aktivitete me vlerë të shtuar të lartë. Në Europën e shekullit të XXI këto aktivitete gjenden në sektorë të shërbimeve plotësues si Hulumtimi & Zhvillimi i Produkteve dhe në Shpërndarje & Shitje.

Praktikisht kjo kërkon politika industriale që nuk fokusohen te rritja e numrit të punësuarve në qepjen e kopsave të këmishave, por që mbeshtesin aktivitet e që merren me dizajnin e këmishës ose/ dhe me shitjen e tyre.

Cilët janë ata sektorë, ku mendoni që Shqipëria ka avantazhe, dhe ku duhet investuar në të ardhmen, për të nxitur një punësim më të qëndrueshme dhe si?

Investimet ndahen në private dhe publike.Ato private do të ndjekin tendencat e tregut duke kërkuar përfitimet financiare me të larta në bazë të dijenive dhe informacioneve që posedon investitori. Përvoja e deritanishme në Shqipëri ka treguar që investitorët vendas kanë imituar më tepër se inovuar. Po ashtu dhe shteti është treguar në rastin më të mirë i zbehtë dhe dritëshkurtër në orientimin e zhvillimit të sektorëve strategjikë.

Aktualisht, meqë avantazhi kryesor krahasues i Shqipërisë është afërsia gjeografike me tregun e BE-së dhe kosto shumë e ulët e punës së pakualifikuar, janë pikërisht aktivitetet ekonomike ku transporti ndërkombëtar dhe rroga e ulët janë dy përbërësit kryesor të kostos.

Investimet publike, përveç impaktit direkt dhe afatshkurtër në punësim si psh. ato në infrastruturë, mbi të gjitha duhet të krijojnë para-kushtet për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të Europës së sotme. Këtu do të permendja shërbimet e logjistikës, kujdesin për të moshuarit – një industri që do të njohë vetëm rritje dhe ku Shqipëria ka një mundësi strategjike,dhe mbi të gjitha, bujqësinë modern, përfshirë blegtorinë dhe pemëtarinë. Zhvillimi i këtyre sektoreve, ose i cilitdo tjetri, nuk mund të bëhet pa një strategji të integruar shtetërore të kompletuar me burimet financiare dhe njerëzore të nevojshme.

Nga anketimi që po zhvilloni me bizneset, sa përputhje rezulton se ka mes kurrikulave të vetë arsimit (të lartë apo të mesëm profesional) dhe kërkesës reale në treg. Cilat janë sugjerimet tuaja për të ndryshuar situatën?

Në një vrojtim në rang Republike që po përfundojmë, së bashku me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe Friedrich Ebert Stiftung, mbi nevojën e tregut për të rinj të kualifikuar, duket qartë hendeku i madh mes punëdhënësve dhe institucioneve mësimdhënëse. Për shembull, vetëm 6.3 % e bizneseve të anketuara (nga 800 në total të shpërndarë në të gjithë vendin) deklarojnë që kontribuojnë në një mënyrë apo në një tjetër në përcaktimin e kurseve të formimit profesional.

Në përcaktimin e kërkesës për kualifikime ndikon struktura e tanishme e ndërmarrjeve. Ndërmarrjet me më pak se katër të punësuar përbëjnë 89% të të gjithë ndërmarrjeve në vend dhe 35 % të të punësuarve.

Ndërsa ndërmarrjet me mbi 80 të punësuar, të përbëra kryesisht nga fason dhe call center janë vetëm 1 % dhe punësojnë 31% të forcës së punës.

Si pasojë, këta dy kategori përcaktojnë nevojat e tanishme për rekrutime. Në këtë kontekst marrin vlerë shkathtësitë profesionale pluri-valente, që u hyjnë në punë ndërmarrjeve të vogla dhe aftësitë administrative, komunikuese dhe sociale për kompanitë e mëdha.

Cilët janë ato profesione që kërkohen më shumë nga bizneset dhe ato që i shihni më shumë të ardhme?

Për sa i përket zhvillimeve në të ardhmen, ajo që ne vërejmë në terren është zbehja e kërkesës për diploma “prestigjioze” si jurist, shkenca politike, e të ngjashme etj. e zhvendosja e kërkesave të punësimit drejt cilësisë së diplomës dhe përvojës praktike.

Vërehet një kthim në modë i diplomave universitare të shkencave ekzakte: inxhinierët është një kategori që ne parashikojmë në mënyrë optimiste.

Po ashtu, kërkesa e tregut kombëtar, e mbi të gjithë ndërkombëtar për infermierë, kujdestare, laborante etj. parashikohet të jetë në rritje të vazhdueshme.

Në këtë sektor, shkathtësitë profesionale duhet të kompletohen në mënyrë të domosdoshme me aftësitë administrative, sociale, komunikative dhe linguistike.

Për sa i përket të rinjve të sapo-diplomuar në shkolla profesionale ose që planifikojnë t’i ndjekin ato, cilësia e kualifikimit të tyre do të kushtëzojë suksesin e tërheqjes e të zhvillimit të investimeve të huaja në Shqipëri.

Sado të lirë ta kemi krahun e punës, të ulëta taksat, të bukur natyrën, mikpritës karakterin, do të duhen punonjës të mirëkualifikuar për të përdorur teknologjitë modern të prodhimit apo ofruar cilësinë e nevojshme të shërbimeve.

Tendenca

Për sa i përket zhvillimeve në të ardhmen, ajo që ne vërejmë në terren është zbehja e kërkesës për diploma “prestigjioze” si jurist, shkenca politike, e të ngjashme etj. e zhvendosja e kërkesave të punësimit drejt cilësisë së diplomës dhe përvojës praktike.Vërehet një kthim në modë i diplomave universitare të shkencave ekzakte: inxhinierët është një kategori që ne parashikojmë në mënyrë optimiste.Po ashtu, kërkesa e tregut kombëtar, e mbi të gjithë ndërkombëtar për infermierë, kujdestare, laborante etj. parashikohet të jetë në rritje të vazhdueshme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi