Koncesionet dhe pasojat mbi taksapaguesit

Nga Rezana Konomi, publikuar Panorama Online, 20 mars 2015

auton40095-f3d5c-ea881Gjatë viteve të fundit, çdo qeveri në ushtrimin e funksioneve të saj qeverisëse dhe të besuara nga shtetasit për t’i menaxhuar, ua kanë deleguar privatëve vendës apo të huaj. Me gjithë qëllimin e mirë për të administruar dhe rimëkëmbur ekonominë me ritme më të shpejta, shpesh këto shërbime janë shoqëruar me tarifa të larta, të cilat janë kosto shtesë për të gjithë taksapaguesit. Synimet dhe pritshmëritë kundrejt çdo koncesioni fillimisht janë ofruar si mjaft pozitive dhe me frymëmarrje për ekonominë shqiptare. Në fakt, tradita e 25 viteve nuk ka rezultuar si e tillë. Shtimi i të ardhurave nga veprimtaritë koncesionare më së shumti nuk ka ardhur si rezultat i investimeve të kryera (si detyrime të pranuara nga koncesionari), por nga tarifat e larta që shtetasit paguajnë për këtë shërbim. Natyrisht që investime të këtij lloji janë të ligjshme dhe të pranuara në të gjitha vendet, por vlerësimi i tyre para nënshkrimit te kontratës koncesionare dhe gjatë ofrimit të këtij shërbimi duhet të bëhet duke respektuar interesat më të lartë publikë për të mbrojtur konsumatorët, për t’i dhënë shërbime më të mira dhe me çmime të arsyeshme, pa kosto të paarsyeshme shtesë. Historia e gjithë periudhës së ekonomisë së tregut tregojnë se shteti ka dështuar ne përmbushjen e disa shërbimeve bazike dhe nuk ka mundur që jo vetëm t’i përmbushë vetë këto shërbime, por edhe koncesionet e përzgjedhura kanë sjellë me shumë humbje sesa përfitime. Kjo do të ishte normale në fillimet e ekonomisë liberale dhe po kaq normale është të mësosh nga gabimet e se kaluarës. Por a ka ndodhur vërtet kështu: të mësosh duke gabuar? Në fakt, duket se ne përsërisim gabimet e së shkuarës ndoshta sepse harrojmë shpejt, ose ndoshta sepse priremi të provojmë duke shpërfillur interesat publikë.
* * *
Nëse do të listonim disa nga koncesionet e dështuara, pa vështirësi do të konstatonim se dëmet që kanë ardhur, janë shumë më të mëdha sesa përfitimet. Çfarë ndodhi me koncesionin e pullave fiskale? Nga vlerësimi ligjor dhe ekonomik u konstatua se nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncesionit rezultoi se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë, duke përbërë kosto të shtuar për biznesin. Në gjithë procedurën e ndjekur nga Këshilli i Ministrave për shoqërinë ICPA Security Solution SA, janë shkelur dukshëm parimet e konkurrencës së lirë. Ndërkohë, ekziston një detyrim ligjor që përpara dhënies së një të drejte ekskluzive, duhet bërë një vlerësim i kujdesshëm ekonomik dhe ligjor, duke zbatuar parimet e proporcionalitetit. Pra, nëse qëllimi është rritja e të ardhurave fiskale dhe luftë ndaj evazionit e kontrabandës së produkteve të akcizës, të konsideruara si përfitime të këtij shërbimi, cilat janë kostot e ofrimit të këtij shërbimi dhe sa do të rëndojnë ato në xhepat e shtetasve? A është në përpjesëtim të drejtë ky raport për t’u justifikuar dhe delegimi i shërbimit nga shteti te subjekti privat?
Direktivat e BE-së lidhur me koncesionet kërkojnë të përcaktohen standardet për kontratat e koncesionit, për të siguruar një konkurrencë të drejtë dhe për të siguruar përdorimin më të mirë të fondeve publike. A e kanë përmbushur ketë detyrë institucionet tona?
* * *
Cila është historia e koncesionit më shoqërinë Rapiscan Security për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë? Kjo marrëveshje koncesioni është nënshkruar në datën 10 prill 2013, por ende nuk është vënë në zbatim. Asnjë nga vendet e Europës nuk e ka të koncesionuar këtë shërbim te një subjekt privat, pasi shërbimin e skanimit e disponojnë vetë administratat doganore. Tarifa e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera është në vlerën 39 euro (pa përfshirë TVSH-në). Ministria e Financave ka synuar në dhënien e këtij shërbimi pikërisht mundësinë për të siguruar dhe garantuar një mjet mbështetje të plotë për sistemin doganor dhe sistemin kufitar, duke mundësuar zbulimin e evazionit të të ardhurave, zbulimin e mallrave dhe produkteve kontrabandë etj. e në mënyrë të veçantë zbulimin e evazionit për mallrat e akcizës (duhanin, alkoolin, vajrat etj). Nga marrëveshja koncesionare rezulton se koncesionari nuk do ta ofrojë shërbimin në të gjitha pikat doganore, por vetëm në pesë pika dhe në këtë mënyrë mbulimi nuk është i plotë. Shqipëria ka marrë angazhime konkrete lidhur me tregtinë me vendet anëtare të BE-së. Sipas nenit 33 të MSA-së “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet komunitetit dhe Shqipërisë. Kjo Marrëveshje parashikon krijimin e një zone të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE dhe, bazuar në nenin 33 “Pezullimi” të MSA-së, parashikohet mosvendosja e tarifave të reja shtesë doganore, qoftë për importet apo eksportet. Ndërkohë që sipas kontratës koncesionare vendosen tarifa te reja shtese. Pra, Marrëveshja koncesionare bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore sipas parashikimeve të nenit 116 të Kushtetutës. Direktiva e BE-së (32014L0023; Direktiva 2014/23/EU e Parlamentit Europian dhe e këshillit e datës 26 shkurt 2014 mbi dhënien e kontratave të koncesioneve; OJ L 94, 28/03/2014, p. 1–64) ka specifikuar qartë se duhet të ndahen tregjet nga shërbimi publik dhe këto të fundit përgjithësisht t’i mbeten shtetit si detyrime; Pasi, nëse kalojnë nga shteti te privati, kanë kosto shtese për biznesin dhe konsumatorin dhe eliminojnë mundësinë e zgjedhjes së biznesit apo konsumatorit, meqë ofruesi është gjithmonë ekskluziv.
* * *
Si është situata sot me këtë koncesion? Një tjetër precedent negativ deklarimi publik është: skanimi i kontejnerëve, përzgjedhja e paligjshme. Shteti kërkon prishjen e kontratës, ndërkohë që Rapiscan kërkon zhdëmtimin në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e koncesionit të kontejnerëve në shumën 359 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka bërë nul marrëveshjen koncesionare dhe Rapiscan e ka çuar çështjen në gjyq ndërkombëtar. Kush do ta paguajë këtë faturë? Ku janë arsyet ekonomike që përligjin dhënien e kësaj të drejte një subjekti privat, i cili jo vetëm dëmtoi xhepat e taksapaguesve shqiptare, por me sa duket do t’u kushtojë shtrenjtë dhe brezave, të cilët do të duhet të paguajnë dëmet për veprimet apo mosveprimet e padrejta dhe të paligjshme që të paret e tyre bënë, duke shpërfillur interesat më të lartë publikë. Prej disa kohësh, qeveria aktuale po përpiqet të anulojë disa nga koncesionet e dhëna nga qeveria paraardhëse. Por fakti që kontratat shprehin vullnet dypalësh dhe janë ratifikuar si marrëveshje në Kuvend duke u kthyer në ligj, e vështirëson shumë negocimin për anulimin e tyre. Në të gjitha rastet palët e prekura mund t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe Shqipëria rrezikon dëmshpërblime të konsiderueshme në rastet e prishjes së njëanshme të koncesioneve, fakt i cili i shkakton një dëm të madh buxhetit. Po me koncesionin e markimit të karburanteve? Sipas qeverisë, ky koncesion synonte uljen e evazionit fiskal në tregun përkatës, ndërkohë kostoja finale e koncesionit është 1 lek për një litër karburant, e cila do paguhej nga qytetarët. Pa dashur të sjell në vëmendje dhe të analizoj të gjitha koncesionet që kanë pasur të njëjtin fat, rasti i fundit i “Crown Agents” është një tjetër koncesion, i deklaruar dhe ky i dështuar. Duke qenë se Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së taksave në raport me PBB, në pamundësi të përmbushjes së këtij detyrimi, ky shërbim iu besua kompanisë së huaj “Crown Agents”. Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents” 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar të asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Qeveria ka vendosur gjithashtu që pagesa për “Crown Agents” të jetë neto, duke e përjashtuar kompaninë britanike nga çdo detyrim tatimor. Të dhënat e fundit tregojnë së janë arkëtuar 3.5% më pak se planifikimi vjetor. Pyetja që shtrohet është: Po në këtë koncesion të mirëstudiuar a u plotësuan objektivat kryesorë, që ishin pikërisht rritja e nivelit të të ardhurave në buxhetin e shtetit? Në muajt e parë ky shërbim u deklarua si i suksesshëm nga vetë ministri i Financave. Çfarë ndodhi më pas që ky sukses u zbeh dhe në fund rezultoi i pasuksesshëm? Fati i paracaktuar, papërgjegjshmëri e pushtetarëve apo ne kemi mundësinë, kohën dhe luksin që të vazhdojmë të eksperimentojmë ende me fatet e kombit??
* * *
Por, me sa duket, rasti i “Crown Agents” dhe dhjetëra koncesionet në miniera, naftë, transport, energji etj., nuk janë precedentë negativë për qeverinë e re, e cila ka vendosur të zgjerojë operacionet koncesionare. Qeveria ka planifikuar të heqë dorë nga disa shërbime që kanë të bëjnë me mbledhjen, administrimin fiskal, me kontrollin e sigurisë ushqimore, shërbimet shëndetësore, shërbimet veterinare, turizmit etj., madje do të përfshijë ndërtimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre. Kjo do të thotë se përdoruesit e rrugës do të paguajnë taksë të posaçme. Koncesione të ngjashme kanë rezultuar të suksesshme në rajon, por në Shqipëri gjithmonë ka një pikëpyetje dhe shumë faktorë të cilët ndikojnë në fundin e pasuksesshëm të tyre. Qeveria gjithashtu ka adresuar te privatët kontrollin bazë mjekësor dhe synon gjithashtu që të jepet me koncesion edhe administrimi i taksave mbi pronën. Këto shërbime që kanë të bëjnë me kontrollin e tregut nga ana fiskale, duket se kanë qenë të paarritshme nga administrata publike. Në sektorin financiar, më shumë se në çdo sektor tjetër, koncesionet nuk kanë dhënë cilësinë e pritshme. Të ardhurat në raport me PBB kanë shënuar rënie, edhe pse koncesionet janë dhënë në shërbim të rritjes së tyre. Për më tepër, kostot e funksionimit të këtyre koncesioneve janë transferuar te biznesi dhe konsumatorët, për këtë arsye koncesionet gjithmonë janë shoqëruar me fatura të larta financiare.
* * *
Mungesa e stabilitetit politik në Shqipëri ka bërë që edhe investitorët të planifikojnë të nxjerrin fitime në një kohë të shkurtër, mundësisht brenda një mandati politik të forcës në pushtet; Sepse, sa herë që ka një rrotacion politik, ata ndihen të pasigurt pasi dhe precedentët në këtë drejtim nga qeveritë paraardhëse nuk mungojnë. Kultura qeverisëse e munguar duke ndjekur parimin e vazhdimësisë i ka bërë të vetëdijshëm edhe investitorët më seriozë, se parimi i sigurisë juridike në ushtrimin e aktivitetit të tyre koncesionar që në fillim mbart një risk të lartë. Pikërisht rastet e anulimit të kontratave koncesionare ose rishikimet e tyre nga qeveritë pasardhëse kanë sjellë dhe efekte psikologjike tek investitorët që mendojnë se në Shqipëri duhet fituar shpejt, pasi mungesa e stabilitetit politik mund të sjellë gjithcka deri në cenim të interesave të tyre ekonomikë. Edhe në këtë drejtim raste të tilla kanë qenë prezente në gjithë historinë 25-vjeçare të ekonomisë liberale të tregut. Të njëjtat kompani multinacionale, si Vodafone, Raiffeisen, Cosmote etj., ofrojnë në Shqipëri shërbime me kosto më të shtrenjta se në vendet e tjera dhe pa dyshim arsyet janë risku që mbartin nga mungesa e stabilitetit politik.
* * *
Aeroporti i vetëm në Shqipëri “Nënë Tereza” është gjithashtu rasti tjetër i një koncesioni, si për pozitat monopol, ashtu dhe për tarifat e larta që ofron. Shqipëria ka çmimet më të larta të biletave në rajon. Sipas nenit 2.3, pika c, të marrëveshjes së koncesionit, qeveria shqiptare nuk mund të licencojë asnjë aeroport tjetër për një periudhë 20-vjeçare, dhe sikurse me CEZ ku mungoi mbikëqyrja e kontratës, edhe në këtë koncesion qeveria shqiptare nuk ka rishikuar tarifat për më shumë se 7 vjet, ndërkohë që kontrata parashikon detyrimin për rishikim të tyre çdo 3 vjet. Po në këtë rast është mungesë vëmendjeje apo heqje dorë përfundimisht nga mbikëqyrja e shërbimit, duke e lënë koncesionarin të ushtrojë aktivitetin e tij i pashqetësuar, por gjithsesi me kosto të larta për udhëtarët shqiptarë, që shpesh zgjedhin të udhëtojnë deri në Prishtine për të ndërmarrë që aty udhëtimet ajrore, natyrisht me çmime shumë të ulëta se në Shqipëri.
Megjithëse historia ka treguar se asnjë nga qeveritë nuk ka qenë në pozita të përgjegjshmërisë së kryerjes së detyrës, në fund të gjithçkaje pasojat rëndojnë mbi shtetasit shqiptarë. Procedurat e zgjidhjeve të kontratave koncesionare kanë efekte mjaft negative. Aktualisht fatura e proceseve të përfunduara në Arbitrazhin Ndërkombëtar deri tani është llogaritur rreth 24.6 milionë euro. Për këtë arsye është mjaft e rëndësishme që pushtetarët tanë të ndërgjegjësohen që në fazat paraprake të negocimit të kontratave kur transferojnë të drejtat e shtetit te privati, si dhe te detyrimet kontraktore që palët marrin përsipër në një marrëveshje tregtare, duke respektuar parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe reciprocitetit. Është e pafalshme që shteti, pasi nënshkruan kontratat koncesionare, heq dorë përfundimisht nga mbikëqyrja e përmbushjes së detyrimeve nga ana e koncesionarit, duke lënë shteg për përparësi nga pala tjetër në kërkimet dhe pretendimet në rast konflikti gjyqësor. Së fundi, një moment mjaft i rëndësishëm është mbrojtja që shteti duhet t’u bëjë interesave të tij në instancat gjyqësore, me shumë profesionalizëm dhe seriozitet. Zgjidhja e pajtimit të studiove të huaja nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme, e cila përsëri mbart kosto të konsiderueshme për xhepat e shqiptareve. Është e papranueshme që çdo zgjidhje ta gjesh te të huajt, qoftë për të kryer shërbimet publike, ashtu dhe për të mbrojtur po këta interesa publikë. Në raportin kosto-përfitim, qeveritarët tanë bëjnë mirë të rëndojnë ca më shumë nga përfitimet për publikun.
Me të drejtë mendojmë dhe pyesim – Deri kur shqiptarët do të paguajnë kostot e veprimeve të papërgjegjshme të pushtetarëve, të cilëve u kanë deleguar të drejtën për t’i mirëqeverisur? Do të doja shumë të ktheja një përgjigje optimiste, por me të vërtetë nuk kam asnjë premisë pozitive për këtë, gjithashtu tradita nuk më ndihmon. 25 vite nuk janë shumë, por nuk janë as pak për të përsëritur gjithmonë të njëjtat gabime (më pëlqen ta quaj gabim, pa i vënë një emër tjetër). Brezat që do të vijnë, do të kenë të drejtën të gjykojnë historinë që po shkruajmë për ta.
*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi