Financimi i arsimit të lartë: sa dhe si?
Nga Engjëll Pere, botuar në Mapo Online, 20 mars 2015
Pavarësisht nga diskutimet apo kundërshtitë, të gjithë bashkohen në atë se, domosdoshmëria dhe thelbësorja në ndërmarrjen e reformës së arsimit të lartë është pikërisht ajo e rritjes së nivelit cilësor në këtë cikël arsimor në vendin tonë. Por problematika dhe diskutimet qëndrojnë në atë sesi duhet të realizohet kjo. Në tërësi, pikëpamjet e ndryshme dhe kundërshtitë lidhen me dy problematika kryesore: me atë të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë, parë kjo në tërësinë e elementëve përbërës të saj, si dhe në aspektin e mënyrës së financimit, e cila përfshin një gamë mjaft të gjerë çështjesh, duke filluar nga pesha e shpenzimeve në arsimin e lartë në totalin e shpenzimeve publike, e deri tek ajo e raporteve të financimit midis sektorit publik e atij privat.
Në këtë shkrim dëshiroj të trajtoj diçka pikërisht në lidhje me këtë problematikë të fundit: vlerën e investimit në arsimin e lartë, si dhe strukturën e financimit të tij. Nxitje në fakt u bë jo thjesht debati aktual në lidhje me tarifat e diskutuara për këtë cikël të sistemit tonë arsimor, apo diskutimet mbi raportin midis investimit publik e atij privat në arsimin e lartë, por sidomos botimi i fundit i “Education at a Glance 2014”, botim periodik i vendeve të OECD-së në lidhje me analizën dhe zhvillimin e arsimit në tërësi në këto vende. Materiali i mbështetur në një bazë të konsiderueshme të dhënash statistikore, është mjaft i gjerë dhe trajton mjaft problematika të zhvillimit të arsimit në vendet e OECD-së. Në tërësinë e tyre, këtu dua të ndalem në aspektin sasior të investimit në arsimin e lartë, si dhe në mënyrën e financimit të tij. Dëshiroj të theksoj se duke paraqitur këtu disa konkluzione apo tendenca të zhvillimit të arsimit, për të cilat konkludohen në botimin e OECD-së, personalisht nuk dua të bëj asnjë analizë krahasues midis këtyre vendeve dhe zhvillimeve aktuale në vendit tonë. Ndoshta krahasimet janë pa vend. Sidoqoftë, secili lexues mund të bëjë vetë krahasimin dhe të gjykojë mbi të.
Së pari, interesimi shkon në atë se sa shpenzohet për arsimin e lartë në vendet e OECD-së. Indikatori bazë që përdoret këtu është ai i peshës së shpenzimeve për arsim ndaj GDP-së (produktit të brendshëm bruto të një vendi). Për vendin tonë, ky tregues për arsimin e lartë është afërsisht 0,6 – 0,7% të GDP-së, (nga e cila rreth 0.3% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga sektori privat). Gjithashtu, buxheti i shtetit te ne shpenzon rreth 0,8% të totalit të tij për arsimin e lartë. Mesatarja e shpenzimeve për arsimin e lartë për vendet e OECD-së është rreth 1,6% të GDP-së. Për disa vende të veçanta si Kanadaja, Koreja e Jugut dhe SHBA, kjo përqindje shkon midis 2,4% dhe 2,8%. Ndër vendet europiane, vendet nordike si Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia, kanë një nivel shpenzimesh në raport me GDP-në, më të lartë se ai mesatar, ndërsa Hungaria, Italia dhe Sllovakia, me më pak se 1% të GDP-së, kanë nivelet më ulëta. Në tërësi, për vendet e OECD-së shpenzimet për arsimin e lartë zënë rreth 24,5% të totalit të shpenzimeve publike.
Shpenzimet për arsimin e lartë varen nga shumë faktorë, por në veçanti nga dy më kryesorët: numri i studentëve dhe niveli i pagave të profesoratit. Në këtë aspekt, një tablo më të qartë të investimit në arsimin e lartë mund ta japë treguesi i shpenzimeve për një student. Në llogaritjen e këtij treguesi, duke e parë problemin në vështrimin makro, sipas metodologjisë së ndjekur nga OECD, ky tregues llogaritet duke marrë për bazë vlerësimin e GDP-së mbi bazën e paritetit të fuqisë blerëse (PPP), që sikurse dihet, jep një rezultat të ndryshëm nga ai i bazuar në kursin e këmbimit. Në vendin tonë, sipas kësaj mënyre vlerësimi, llogaritjet e përafërta të shpenzimeve për një student në një vit, kanë qenë afërsisht 1.388 USD (viti 2011 – 2012). Në këtë vlerësim është pranuar se të ardhurat dytësore për institucionet e arsimit të lartë, të cilat kryesisht përbëhen nga tarifat e shkollimit, (rreth 20 milionë lekë, – 2011), përfshihen të gjitha si burime suplementare financimi i këtij cikli arsimor. Ndërsa sipas analizës në “Education at a Glance 2014”, në vendet e këtij grupimi shpenzohen mesatarisht 13.958 USD për student në vit. Nivelet më të larta i kanë SHBA, Zvicra dhe Suedia (me rreth 26 mijë deri 21 mijë USD/student – 2011), ndërsa më të ulëtat janë në Meksikë, Sllovaki dhe Turqi (7,8 – 8,1 mijë USD/student – 2011). Theksoj se këtu përfshihen si shpenzimet publike, ashtu edhe ato private të të gjitha formave.
Nga ana tjetër, cila është struktura e këtyre shpenzimeve, nga se përbëhen ato? Shpenzimet e mësipërme për arsimin e lartë përbëhen nga tre zëra kryesore: shpenzime bazë për shkollim, shpenzime për kërkim e zhvillim (R&D) dhe shpenzime të tjera (ku përfshihen shpenzimet e tjera që lidhen me arsimin, si p.sh për transport etj.). Mesatarisht, rreth 66,3% të shpenzimeve (9.262 USD – 2011), e zënë shpenzimet bazë për shkollimin e lartë, rreth 31% shpenzimet për kërkim dhe zhvillim dhe pjesën tjetër (2,7%) shpenzimet e tjera. Shpenzimet bazë të shkollimit variojnë nga më pak se 5 mijë USD (për student) në Estoni, në më shumë se 10 mijë USD në Irlandë, Finlandë, Norvegji, Zvicër, Holandë, Izrael, në mbi 17 mijë USD në Kanada e deri në mbi 19 mijë USD në SHBA. Përsa i takon shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim në arsimin e lartë, këtu diferencat midis vendeve janë të konsiderueshme, pasi edhe politikat që ndjekin vendet e ndryshme ndryshojnë mjaft nga njëra-tjera. Disa vende si Zvicra, Suedia dhe Portugalia, e kanë kërkimin dhe shkencën më shumë të integruar me institucionet e arsimit të lartë, ndërsa vendet e tjera e kanë të lidhur më shumë me institucione të tjera publike (institute kërkimore), apo me industrinë. Niveli më i lartë i shpenzimeve për R&D për një student është në Zvicër dhe Suedi me mbi 50% të shpenzimeve totale, por edhe në Portugali me rreth 45%; nga ana tjetër, ky tregues në SHBA është vetëm 11.3% (e parafundit në vendet e OECD-së pas Kilit).
Së dyti, një çështje tjetër mjaft e diskutueshme dhe aktuale në arsimin e lartë është edhe ajo e burimeve të financimit në këtë cikël arsimor, raporti midis financimit publik dhe atij privat. Në vendin tonë, sipas raportit të parë për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, buxheti i shtetit financon rreth 38 milionë euro në vit (2011), vetë universitetet me të ardhurat e tyre dytësore rreth 20 milionë euro dhe sektori privat, rreth 35 – 45 milionë euro, pra afërsisht sektori publik 38,8% (buxheti i shtetit) dhe 61,2% sektori privat. Këtu, në sektorin privat janë përfshirë edhe të ardhurat dytësore të universiteteve, pasi në pjesën më të madhe ato përbëhen nga tarifat e tyre, pra janë një shpenzim i familjeve. Parë kështu, sigurisht shpërpjesëtimi duket i konsiderueshëm. Aq më shumë nëse u referohemi vendeve të zhvilluara. Për vitin 2011, në vendet e OECD-së, mesatarisht rreth 69% të shpenzimeve për arsimin e lartë financohej nga sektori publik dhe rreth 31% nga ai privat. Përtej kësaj mesatareje, diferencat midis vendeve janë të konsiderueshme, në vendet nordike si Norvegji, Finlandë, dhe Danimarkë, sektori publik financon rreth 95% të shpenzimeve të arsimit të lartë, në disa vende të tjera si Belgjikë, Gjermani dhe Austri, kjo përqindje shkon 85-90%, ndërsa në Angli, Japoni dhe SHBA, sektori publik financon vetëm 30-35% të këtyre shpenzimeve (vendet e fundit në renditje). Nga ana tjetër duhet thënë se brenda sektorit privat, një pjesë e tij financohet drejtpërdrejt nga familjet dhe një pjesë tjetër nga burime të tjera private. Në Suedi, familjet financojnë p.sh, vetëm 0,2% të shpenzimeve, në Austri, Belgjikë dhe Norvegji kjo përqindje shkon nga 2,5 – 4,9% dhe më tej ajo rritet deri në 60,7 në Angli dhe 68,3% në Kili. Pjesa e sektori privat, por jo familjar, gjithashtu është mjaft e ndryshme duke variuar nga 28,9% në Korenë e Jugut e 22,6 Kanada, deri në nivele mjaft afër zeros në disa vende si Norvegjia, Polonia etj. Sidoqoftë, mesatarja e këtij financimi ndaj totalit të shpenzimeve për arsimin e lartë është rreth 10%. Në analizë të fundit, raporti midis financimit publik dhe atij privat është një nga çështjet mjaft aktuale. Në kuadrin aktual të zhvillimit, mjaft vende e shohin gjithnjë e më të vështirë financimin publik të arsimit të lartë, i cili është në rritje të vazhdueshme. Kështu, megjithëse sektori publik vazhdon të këtë peshën më të madhe në financimin e arsimit të lartë, gradualisht vihet re prirja e rritjes së peshës së burimeve të financimit nga sektori privat. Në periudhën 2000–2011, për vendet e OECD-së pesha e financimi publik të arsimit të lartë ka rënë nga 73,7% në 2000, në 69,1% në 2005 dhe 68,3% në 2011. Njëkohësisht, për të njëjtën periudhë, financimi privat për arsimin e lartë është rritur me rreth 75%, ose mesatarisht me 6% më shumë si peshë specifike. Duhet të theksojmë edhe diçka, rritja e financimeve nga sektori privat nuk do të thotë se janë ulur financimet e sektorit publik. Në fakt, edhe për këtë sektor trendi ka qenë pozitiv, p.sh, për periudhën 1995 – 2011, rritja mesatare e shpenzimeve publike për arsimin e lartë në vendet e OECD-së ishte rreth 48%. Gjithashtu duhet thënë se këto kanë qenë prirje të përgjithshme, pasi në vende të veçanta raporti i financimit midis dy sektorëve ka lëvizur në drejtim të kundërt, në atë të rritjes së peshës së sektorit publik, si p.sh, në Irlandë, Spanjë dhe SHBA (periudha 2000 – 2008).
Nga ana tjetër, me rëndësi është edhe alokimi i fondeve publike në arsimin e lartë. Për vendet e OECD-së, sigurisht fondet publike alokohen kryesisht në institucionet publike, por një pjesë e tyre financon edhe sektorin privat. Kështu, raporti i financimit me fonde publike, të sektorit publik dhe të atij privat në vendet e OECD-së është afërsisht tre me një (2,9), domethënë për çdo 4 euro nga financimi publik afërsisht 3 shkojnë tek institucionet publike dhe 1 tek ato private (nën një status të caktuar).
Debati i financimit të arsimit të lartë nga sektori publik apo ai privat është në fakt mjaft i gjerë, i diskutueshëm dhe pikëpamjet shpesh janë të kundërta. Cili duhet të kontribuojë më shumë, “publiku” apo “privati” ? Në aspektin ekonomik, problemi mund të shtrohet mbi bazën e krahasimeve të përfitimeve publike, pra të të gjithë shoqërisë, me përfitimet private të individit nga përfundimi i arsimit të lartë. Por edhe në këtë rrafsh përgjigja nuk është e thjeshtë. Si tregues për krahasim, normalisht mund të shërbejë ai i normës së kthimit të investimit në arsimin e lartë, pra përfitimi neto që merr nga investimi në arsimin e lartë shoqëria në tërësi dhe si individ në veçanti. Rezultatet për vendet e OECD-së tregojnë se këto përfitime janë të konsiderueshme për të dy sektorët. Kështu, mesatarisht për vendet e OECD-së përfitimi publik neto nga kthimi i investimit në arsimin e lartë është rreth 80 mijë USD, (105 mijë për meshkujt dhe 60 mijë për femrat), ndërsa përfitimi privat neto është rreth 160 mijë USD (185 mijë për meshkujt dhe 130 mijë për femrat). Ndërsa shpenzimet për këtë investim në sektorin publik janë mesatarisht 35 mijë USD për student dhe në atë privat, 50 mijë USD për student (vetëm 1/5 e saj shkon për taksë regjistrimi -tuition fee). Sigurisht, përfitimet e mësipërme do të qëndrojnë për të dy sektorët, publik dhe privat, pavarësisht sesi dhe nga është kryer investimi, nga “publiku” apo “privati”. Këtu qëndron edhe vështirësia e përgjigjes se cili sektor duhet të kontribuojë më shumë. Sidoqoftë, nisur edhe nga të dhënat e mësipërme, të cilat tregojnë për një përfitim neto më të madh të individit në krahasim me atë të shoqërisë në tërësi, tendenca e argumentuar është ajo e rritjes graduale të peshës së sektorit privat ndaj atij publik. Të paktën, në këndvështrimin e analizës ekonomike.