Edhe sa do të bjerë euro?

Nga Anatole Kaletsky, botuar në Shqiptarja.com, 20 mars 2015

Euro-dollaroDollari amerikan ka shënuar nivelin e ri më të lartë në 12 vjet dhe ka realizuar rekorde pothuajse çdo ditë ndërkohë që euro duket se po zhytet në mënyrë të pashmangshme drejt paritetit me monedhën amerikane.

Lëvizjet në kursin e këmbimit shpesh përshkruhen si variablat më të paparashikueshme mes të gjithë treguesve financiarë; por ngjarjet e fundit të tregjet e këmbimit valutor duken, së paku për tani, se kanë një shpjegim të qartë – një shpjegim të cilin pothuajse të gjithë ekonomistët dhe politikëbërësit e pranojnë dhe e mbështesin.

Presidenti i Francës François Hollande, për shembull, e mikpriti me entuziazëm rënien e euros: “Kjo i bën gjërat të këndshme dhe të qarta: një euro është e barabartë me një dollar,” tha ai para një audience me industrialistë. Por është pikërisht kjo, çasti kur gjërat duken “të këndshme dhe të qarta” kur investitorët duhet të vënë në dyshim mënçurinë konvencionale. Dollari i fortë dhe euro e dobët shtë me siguri basti më popullor për vitin 2015.

Por a ka mundësi që kursi aktual i këmbimit të ketë zbritur më poshtë nga sa është e logjikshme? Në njërën anë, shpjegimi konvencional i luhatjes së kohëve të fundit euro­dollarë është natyrisht i drejtë. Forca kryesore udhëheqëse është qartësisht divergjenca monetare, ku Rezerva Federale ka nisur politikë shtrënguese ndërsa Banka Qëndrore Europiane po mban interesat në zero dhe po kryen “lehtësim sasior”.

Por sa shumë nga kjo divergjencë është konvertuar në ndryshim të çmimit respektiv të këtyre monedhave? Përgjigjja varen nga sa shumë njerës janë ose të pavetëdijshëm mbi hendekun mes dy normave të interesit ose se sa besojnë se do të zgjerohet më tej ky hendek. Vitin e kaluar, shumë investitorë vunë në pikëpyetje aftësinë e BQE­së për të nisur një program të blerjes së bondeve përballë kundërshtimit të Gjermanisë dhe shumë të tjerë vunë në dyshim gadishmërinë e Fed për të ashpërsuar politikën monetare, për shkak se një shtrëngim nga ana e saj do të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike të SHBA­ve.

anatoleKjo është arsyeja se pse euro vlente ende 1.4 dollarë një vit më parë – dhe pse unë dhe të tjerë prisnim që euro të binte goxha përballë dollarit. Por përmasat e rritjes së dollarit dhe rënies së euros janë surprizuese sot. A ka ndokënd që beson sërish se ekonomia e SHBA­ve është në prag të recesionit? Apo që Bundesbank ka fuqinë të ndalojë vendimet e presidentit të BQE­së Mario Draghi? Me kaq shumë divergjencë monetare tashmë të llogaritur në çmim, ndoshta ne duhet të përqendrohemi më shumë te faktorë të tjerë që mund të ndikojnë lëvizjen në kursin e këmbimit në muajt e ardhshëm. Në anën e dollarit më të fortë dhe euros më të dobët, duket se ka tre mundësi.

Njëra është që FED të rrisë normat e interesit në mënyrë thelbësore më shpejt nga sa pritet, Një tjetër është që investitorët dhe korporatat të rrisin vetëbesimin dhe të marrin hua në mënyrë agresive në europër t’i konvertuar ato në dollarë dhe për të përfituar nga normat më të larta të interesit që ofrohen për dollarin. Në fund, bankat qëndrore të Azisë dhe të Lindjes së Mesme apo fondet sovrane të pasurive mund të përfitojnë nga programi i blerjes së bondeve të BQE­së për të shitur një pjesë gjithnjë e më të madhe të titujve të tyre të borxhit gjerman, francez apo italian me synimin për të riinvestuar fondet në tituj borxhi të thesarit amerikan të cilat kanë interesa më të larta.

Të gjitha këto janë skenarë të mundshëm. Por së paku katër faktorë të tjerë mund të çojnë kursin e këmbimit dollareuro në drejtimin tjetër. E para, është efekti që vetë dollari i fortë ka në ekonominë amerikane dhe në politikën monetare të këtij vendi. Nëse dollari do të vijojë të rritet, aktiviteti ekonomik dhe inflacioni në SHBA do të dobësohen. Në këtë rast, FED, në vend që të rrisë normat e interesit më shpejt nga sa pritet, ka gjasa do të bëhet më paralajmëruese.

E dyta, duhet të ketë dyshime serioze për idenë nëse qeveritë e Azisë apo të Lindjes së Mesme do të jenë të gatshme të zhvendosun më shumë rezerva monetare në dollarë, veçanërisht nëse kjo do të thotë që duhet të konvertohen eurot që ata kanë blerë që nga viti 2003, me një humbje dhe me një kurs këmbimi shumë më të ulët se sa pariteti i fuqisë blerëse të euros. Shumë vende kanë shpenzuar shumë dekada për të diversifikuar portofolin e tyre të rezervave valutore dhe për t’iu larguar dollarit, si për arsye financiare, ashtu edhe për arsye gjeopolitike.

Ndërsa SHBA­të po shfaqen gjithnjë e më shumë të gatshme për të përdorur monedhën e vet si një instrument i diplomacisë, apo edhe vetë luftës – një proces i njohur në Uashington si “kthimi i dollarit në armë” – Kina, Rusia dhe Arabia Saudite për shembull, mund të kenë arsye për të ngurruar të krijojnë varësi të mëtejshme nga bondet e thesarit të SHBA­ve. Një faktor i tretë që sugjeron se tendenca aktuale rënëse e euros përballë dollarit mund të mos vijojë gjatë është disbalanca tregtare mes SHBA­së dhe Europës.

Hendeku është sakaq shumë i gjerë – Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një deficit prej 484 miliardë dollarësh këtë vit për SHBA­në, përkundrejt një suficiti prej 262 miliardë dollarësh për eurozonën – dhe kjo është pothuajse e sigurtë se do të zgjerohet shumë më tepër, për shkak të zhvlerësimit të euros me 20 për qind që nga koha kur FMN publikoi vlerësimin e vet vjeshtën e kaluar. Komplikimi që krijohet nga kjo është që qindramiliardë dollarë kapitale do të duhet të fluturojnë çdo vit në SHBA nga Europa thjeshtë për të mbajtur kursin aktual të këmbimit euro­dollar.

Ndërsa disbalanca zgjerohet më tej, flukse kapitale edhe më të mëdha do të nevojiten për ta mbajtur euron të dobët. Flukse të tilla të stërmëdha janë tërësisht të mundshme, por çfarë i shkakton ato? Kjo pyetje na sjell te argumenti i katërt dhe më i rëndësishëm që na shtyn të presim ndalimin e rënies së mëtejshme të euros, rikthimin e saj ose stabilizimin. Megjithëse interesat më të larta në SHBA do të tërheqin ca investitorë, të tjerë do të largohen nga dollari nëse kombinimi i një euroje më konkurruese, stimuli monetar i stërmadh i BQE­së dhe lehtësimi i presioneve fiskale në Francë, Itali dhe Spanjë, gjenerojnë rimëkëmbje të pastër ekonomike në Europë.

Flukset që do të krijohen nga kapitali global te aksionet europiane, pronat dhe investimet direkte – të cilat janë aktualisht thelbësisht më të lira se sa asetet e ngjashme amerikane – mund të balancojnë me lehtësi investimet në para të thata apo në bonde që do të kalojnë Atlantikun si pasojë e normave në rritje të interesit në SHBA. Pas kësaj, çfarë mund të sjellë në balancë forcat kundërshtuese që po veprojnë në kursin e këmbimit euro­dollar?

Askush nuk mund ta thotë me siguri, por një gjë është e qartë: Ndonëse përfitimet që mund të krijohen nga diferencat në normat e interesit në të dy anët e Atlantikut mund të variojnë mes 1 dhe 2 për qind në vit, investitorët mund të humbasin lehtësisht këtë fitim në një ditë të vetme – apo një orë të vetme – duke blerë monedhën e gabuar kur tendenca të përmbytet. Siç e dimë tashmë nga shumë dekada të eksperiencës japoneze dhe zvicerane, shitja e monedhave me norma të ulëta interesi thjeshtë për të arkëtuar norma më të larta interesi në SHBA është shpesh një gabim i kushtueshëm.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi