Reformë e vërtetë është ajo që nxjerr shoqërinë nga depresioni

 

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 16 mars 2015

Rexhep_MeidaniNgjarjet e rënda brenda familjeve shqiptare ka-në tronditur opinionin publik, por jo politikën. Madje, aty, në vlerësimin e zhvillimeve politike-institucionale e social-ekonomike ndeshen pikëpamje diametralisht të kundërta. Por, të dy këto anë me nota të theksuara propagandistike, jo vetëm që nuk e pasqyrojnë realitetin, por as nuk ndihmojnë në gjetje zgjidhjesh të përshtatshme të problematikës së tij. Për më tepër, një gjë e tillë e turbullon dhe e acaron atë problematikë. Kështu, një shqetësim, që mbulohet nga pozita (pavarësisht se cila është ajo) apo ekzagjerohet e pompohet nga opozita (pavarësisht se cila është ajo), është depresioni në gjirin e shoqërisë shqiptare. Ai sot po mbart disa nuanca tragjike, të konstatuara në fillimet e tranzicionit apo gjatë ngjarjeve të vitit 1997. Për ta kapërcyer një situatë të tillë kërkohet një mobilizim i gjithanshëm i politikës, medias, kulturës, i qytetarëve. Pa një kundërvënie të fuqishme ndaj këtij procesi tragjik, shoqëria shqiptare do të vazhdojë të vuajë në vite pasojat e dhimbshme të tij. Aq më tepër që dhe përplasjet politike të përditshme, me dashje apo pa dashje, e ushqejnë atë…
Pasqyrë e këtij depresioni është krimi brenda familjes
Ngjarjet e hidhura, të ndeshura në të gjithë hartën e vendit, në pjesën e madhe të rasteve pasqyrojnë një krim në rritje brenda familjes, të nxitur nga vështirësitë e mëdha të jetës, nga papunësia e probleme strehimi, nga abuzimi me pronën, nga prapambetje e paragjykime kulturore etj. Prandaj, dhe zgjidhja nuk mund të jetë ajo policore, por mbi të gjitha social-ekonomike e kulturore-emancipuese. Aq më tepër që ngjarje të tilla janë bërë pjesë e dhimbjes së brendshme të tranzicionit shqiptar. Ato më shpesh janë të provokuara drejtpërsëdrejti nga papërgjegjësia individuale dhe tërthorazi nga papërgjegjshmëria kolektive. Edhe goditja e ashpër e kohezionit social dhe e zhbërja e ftohtë e kapitalit social kanë luajtur rolin e tyre. Por, ky përfundim, i formuluar me pak fjalë, duket si tepër i thjeshtë!… Po të fotografohen këto ngjarje dhe më tej të detajohen e analizohen ato, mund të veçohen aty, krahas shqetësimeve psikologjike e kulturore, aspekte të tjerë me natyrë materiale (të lidhura me papunësinë, mundësi të pamjaftueshme për të ushqyer veten dhe fëmijët, mungesë strehimi ose strehim fyes, kujdes i pamjaftueshëm shëndetësor, pamundësi për të paguar energjinë elektrike, ujin etj.). Të gjitha këto e kanë stresuar e lodhur këtë shtresë të popullsisë, e kanë bërë atë apatike, e kanë zhytur në depresion, deri në humbje të interesit të jetës. Sepse, individë në këtë grup, të ndodhur në krizë “xhepi”, të turpëruar nga mungesa e parave për të paguar borxhet, në pamundësi të gjetjes së një pune, me dinjitet të tronditur, nën goditje të forta psikologjike e mendore, arrijnë deri në vetëvrasje! Madje, siç duket në ngjarjet e fundit, jeta ka rezultuar e pavlefshme dhe për fëmijët e tyre. A nuk është tragjike një situatë e tillë? A mund të pranohet mospërfillja politike e qeverisëse ndaj trajtimit të saj? Në asnjë mënyrë! Për ta kapërcyer këtë depresion, çdo qeveritar e drejtues duhet të kontribuojë dhe të veprojë me mendje e zemër. Një shembull për t’u analizuar është dhe ai i Presidentit Ruzvelt, që në periudhën e rëndë të Depresionit të Madh nxiti iniciativa nga më të ndryshmet, si: programe konkrete për të pastrehët, mensa për të varfrit, zhvillim projektesh urbanë për punësim (ndërtim digash, rrugësh e hekurudhash) dhe, mbi të gjitha, ndërtim shprese e ushqim besimi.
Depresioni e ushqen terrorizmin
Flitet kudo sot për rrezikun e terrorizmit. I madh është alarmi që vjen nga zonat e pushtuara nga ISIS. Ai në disa raste ka dëmtuar dhe perceptimin e jashtëm për shqiptarët. Por, i shtrirë dhe i fuqizuar më tej, ai mund të bëhet një rrezik real për popullsitë në Ballkan, përfshirë Shqipërinë, apo në vende të tjera, p.sh. në Kaukaz. Po ashtu, është pozitiv fakti që dhe ne japim ndihmesën tonë në arenën ndërkombëtare, duke çuar njësi ushtarake modeste në vende të tjera, për të përballuar këtë kërcënim apo për të kontribuar për sigurinë e paqen globale. Edhe pse shpenzimet nuk janë të vogla, ky kontribut i nderon shqiptarët e Shqipërinë. Sepse, terrorizmi jo vetëm është kërcënim për jetë njerëzore të pafajshme, por, po ashtu, ai zhvendos popullsi e krijon kosto njerëzore masive dhe turma refugjatësh, cenon sigurinë njerëzore. Por, krahas tij, një kujdes i madh duhet të tregohet mbi problemet e brendshme, sidomos ata të lidhur me varfërinë e punësimin, me trysnitë e administratorëve publikë, bankave, ndërmarrjeve publike (si ato të energjisë e ujit), me korrektësinë në shlyerjen e shpronësimeve për vepra publike etj. Shtrëngesa tepër serioze janë ato sociale e financiare. Kështu, përmbytjet e fundit, pavarësisht mobilizimit fillestar të ekzekutivit dhe ndihmës së lavdërueshme të biznesit, duhet të shoqëroheshin me të njëjtin intensitet e ndjekje të mëtejshme (gjë që do të ndihmohej nga shpallja në kohën e duhur të një urgjence ekonomike-sociale). Borxhet në banka apo borxhet ndaj shtetit (kompanisë së energjisë, ujit, organeve tatimore etj.) po terrorizojnë të përmbyturit, por edhe individë të tjerë në prag falimentimi. Edhe pse pohohet se kjo nuk ka të bëjë me kultivim frike te njerëzit!… Sot, një shqetësim gati apokaliptik është ai për jetën, mbrojtjen e garantimin e saj. Vrasjet e vetëvrasjet e kohëve të fundit janë të shumta, shpesh në përmasa tepër kritike. Në këtë kuptim, shfrytëzimi i vdekjes për luftë politike, por edhe mbulesat mediatike apo vetë analiza e komanduar janë shpesh një maskaradë sa e lodhshme, po aq e shëmtuar. Prandaj, ia vlen të fuqizohet reagimi i qytetarëve të përgjegjshëm, madje një peshë gjithnjë në rritje duhet të marrë media sociale. Sepse, nga buzët e politikanëve ose bëhet politikë, ose nuk nxirret asnjë fjalë për humbjet e jetëve njerëzore të kohëve të fundit.
Depresion social apo qeverisje e pandjeshme?!
Asnjë popull nuk mund të kapërcejë lehtë pasojat e një krize kombëtare, aq më pak pa kryer ndryshime të thella sociale e kulturore. Ndërkohë që vese të padëshirueshme, të ushqyera nga mungesa e shpresës janë në rritje, është goditur dhe qeliza bazë e shoqërisë shqiptare – familja, uniteti dhe pesha e saj. Natyrisht, dhe migrimi masiv brenda dhe jashtë vendit ka pasur ndikimin e tij, si pozitiv, ashtu dhe negativ. Por, me ndikim tepër negativ është kriza ekonomike që ka goditur seriozisht konsumatorin e thjeshtë. Nga ana tjetër, financimi i borxheve duke marrë borxhe të tjera mund të vlejë deri në një vlerë të caktuar, sepse ashtu si një borxhli individual, edhe në rastin e shtetit tejkalimi i një kufiri borxhi mund të shndërrohet në një vetëvrasje financiare. A jemi aty afër? Përgjigjen për këtë më së miri mund ta japin vetëm specialistë dinjitozë të fushës, por jo militantët e servilët, aq më pak qeveritarët përkatës. Ndërkohë, në kushtet e sotme të vështira, edhe kompani, biznesmenë të pashpirt e politikanë të korruptuar po fitojnë padrejtësisht në kurriz të njerëzve të thjeshtë, duke ndikuar tërthorazi në vetëvrasje individuale. Gjithashtu, në mozaikun social-kulturor po ndeshet sot edhe kultura e dëshpërimit, përfshirë dhe prostitutimin fizik e shpirtëror. Paralelisht me të, po heshtet ndaj rënies së kapitalit social apo e kohezionit social; dhe kjo gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Edhe varfëria e papunësia, apo gjendja e rënduar ekonomike është shoqëruar në jo pak raste me një rritje të dukshme të krimit ordiner, përfshirë dhe atë brenda familjes. Janë shtuar aty shumë rastet e vetëvrasjeve dhe vrasjeve. Në kushte të tilla të vështira, edhe përkujdesja shëndetësore nuk është një përparësi e qytetarëve me të ardhura modeste, me përjashtim të rasteve mjaft të rënda dhe akute. Edhe pse është rritur çmimi për cigaret dhe janë rritur kufizimet për vendpirjet e saj, sidomos në zonat urbane, ajo vazhdon të bashkëshoqërojë të rinjtë, krahas përdorimit të alkoolit e drogës. Fatmirësisht, nuk është goditur ende dëshira e shkollimit të fëmijëve dhe të rinjve, pavarësisht rënies së cilësisë së mësimdhënies dhe mbështetjes së ulët financiare. Po aq problem është punësimi pas shkollimit. Edhe prirjet demografike kanë ndryshuar në mënyrë të dukshme. Është rritur mosha e krijimit të familjes sidomos në zonat urbane, ndërkohë që dhe divorci ka ndikimin e vet. Kjo ka bërë që të ulen dukshëm lindjet, duke ndikuar në vjetrimin mesatar të popullsisë.
Konkretisht, nuk mund të flitet më në Shqipëri për popullsi të re dhe relativisht të shëndoshë. Madje, gjatë periudhës 1987-2011, mosha mesatare është rritur nga 26 në 35.3 vjeç. Ndërkohë, ndryshime janë regjistruar edhe në shpeshtësinë e sëmundjeve e tipologjinë e tyre. Kurse, siç u theksua më sipër, episodet depresive e ngjarjet e shpeshta tragjike, sidomos traumat familjare dhe vetëvrasjet, dëshmojnë për dëmtimin e shëndetit moral të shoqërisë. Pra, diçka nuk funksionon në “metabolizmin” e kësaj shoqërie. Kështu, varfëria, papunësia, përjashtimi social, dobësitë deri mungesat në shërbimet jetësore bazë, streset e pasiguria si tipare shoqërore “përkthehen” lehtësisht në ankth, panik, depresion e sëmundje mendore, që, duke u shumuar, janë shndërruar në depresion të shoqërisë, në cenim të moralit e sjelljes etike brenda saj. Turbulencat e ndryshme brenda mjediseve familjare, trysnitë ndaj personalitetit të individëve në nevojë, ngjarjet e mbushura me stres të panevojshëm, në një mënyrë apo tjetrën, lënë gjurmën e tyre mbi gjenet e strukturat biokimike, duke rritur kështu riskun e sëmundshmërisë social-mendore individuale e kolektive. Shkurt, patologjitë individuale të shumuara shndërrohen në patologji sociale e mendore brenda një mekanizmi “feed back”-u.
Kolaps social-ekonomik pa revolucion
Për mbi dy dekada, një pjesë jo e vogël e popullsisë shqiptare vazhdon të jetë e viktimizuar, jo vetëm nga kushtet e vështira të jetës, por dhe e vetë paaftësisë e papërgjegjshmërisë së politikës në realizimin e ndryshimeve të duhura strukturore e ekonomike. Janë të shumtë shqiptarët që nuk gjejnë punë për të ushqyer veten dhe familjen, ndërkohë që sistemi social është krejtësisht anemik. Duke lënë mënjanë thyerjet konceptore me lëvizjen antikomuniste, reagimin popullor me rënien e skemave piramidale, tentativën për grusht shteti më 14 shtator 1998 apo protestën me katër viktima më 21 janar 2011, përgjithësisht, kolapsi politik-institucional e social-ekonomik-politik apo kriza financiare, pavarësisht dëshirës së njërit apo tjetrit, nuk janë “ngjyrosur” me tipare revolucioni. Madje, nuk duket se kjo mund të pretendohet në të ardhmen…
Në fakt, në kohë të tjera, kriza ekonomike ka provokuar përmbysje të mëdha, tepër të rrezikshme, si rasti i revolucionit bolshevik të udhëhequr nga Lenini, më 1917, apo ai i ardhjes në pushtet të Hitlerit në Gjermani, më 1933. Kurse, në Amerikë, me gjithë Depresionin e Madh, edhe gjatë viteve më të errëta (1932-33) nuk ndodhi ndonjë revolucion. Pra, aty, me gjithë mundësinë “teorike”, kriza u shoqërua përgjithësisht nga një apati frenuese. Në fakt, të ashtuquajturit revolucione apatike nuk janë fare revolucione! Kjo duhet të kihet parasysh dhe sot, në Shqipëri, në leximin politik të ngjarjeve, sidomos nga opozita. Por, le të kthehemi tek Amerika. Në të vërtetë, atje, reagimi i qytetarëve amerikanë në vend të ndonjë “etheje revolucionare”, karakterizohej nga vetëkritika, dorëzimi stoik e depresioni, mbështetur tek individualizmi, sipas të cilit si suksesi, ashtu dhe dështimi lidhet me paaftësinë dhe papërshtatshmërinë individuale. Sjellje kjo e simbolizuar në thënien “nuk jam i përshtatshëm apo i mirë sa duhet”, që në vetvete e dobësonte aksionin revolucionar. Pra, konceptimi i gabimit kolektiv si rrjedhojë e gabimit individual u bë i zakonshëm në trajtimin politik, mediatik e kulturor të Depresionit të Madh. Por, një gjë e tillë nuk mund të ishte e gjithëkohshme, sepse përndryshe do të ishte deri vdekjeprurëse në rrafshin social-ekonomik, madje dhe për vetë thelbin e demokracisë së fuqishme amerikane. Pikërisht përvoja amerikane dhe logjika e saj bashkëshoqëruese e një kolapsi pa shkatërrim e djegie, e njohur në histori si kolaps pa revolucion, vlen të analizohet në rastin shqiptar. Dhe kjo nuk është pak!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi