Pensionet ose reforma më e thellë sociale
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com
Ishte në nderin e shumicës së sotme qeverisëse që kërkoi dhe nisi reformën në pensionet e Shqipërisë. Qeveritë e mëparshme, në 16 vite drejtimi, nuk guxuan ta merrnin përsipër kwtw reformw, kaq mision i pamundur dhe me kosto të jashtëzakonshme shoqërore ju dukej. Ishim dhe vazhdojmë të mbetemi vendi i fundit në Evropë (ndoshta Moldavia na rivalizon) për numrin e të punësuarve në shtet apo privat, që me pagesën e tyre të sigurimeve shoqërore mbajnë një pensionist (tek ne ishte një vit më parë 1.1 kontribues për 1 pensionist).
Nga ana tjetër, në 24 vite tranzicion, pensionet e rreth 600 mijë shqiptarëve të Shqipërisë, edhe pse u rritën vazhdimisht, për shkak të bazës shumë të vogël nga u nisën, ngelën qesharake dhe nuk mjaftojnë në shumë raste as për mbijetesë.
Deri një vit më parë, ato, në masën e tyre aq të vogël, rrezikoheshin nga një borxh në rritje i strukturës shtetërore që merret me pagimin e tyre, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që gjithnjë e më tepër i është varur në qafë Buxhetit të Shtetit. Por duket se diçka ka ndryshuar për mirë. Jo vetëm fasada dhe mjediset e brendshme të Drejtorisë së Tiranës të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që u inaguruan dy ditë më parë.
Pakkush besonte në janar 2014, kur u nis me letra të reja ligjore, por reforma e pensioneve nga atëhere, lëvizi mirë dhe arriti të parandalojë dhe të nxjerrë nga kolapsi financiar skemën e pensioneve. Sot kemi 650 mijë njerëz që paguajnë kontribute për 600 mijë pensionistë, kur vetëm një vit e pak muaj më parë ishin rreth 560 mijë punonjës në privat dhe në shtet, që kontribuonin. Pra më pak kontribues se sa pensionistë! Të 93 mijë kontribuesit e rinj që i janë shtuar skemës, nuk janë shumica të punësuar të rinj, por ata, kontratat dhe letrat e tyre të punës janë zbardhur dhe i janë kthyer formalitetit.
Megjithë ecjen e mirë, jemi ende në kushtet e një rrethi vicioz, i cili mund të prishet vetëm nga një strukturë që po fuqizohet dhe duhet përforcuar çdo ditë e më shumë, Inspektorati Shtetëror i Punës. Ajo duhet të kthehet në “qenin besnik” të qeverisë, që nuhat dhe zbulon “drogën” e të punësuarve në të zezë, ose të atyre që, në marrëveshje me sipërmarrësit, fshehin pagën e vërtetë (e cila është shumë më e lartë), për të kontribuar më pak për pensionet.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit i disa kohëve më parë, zbuloi se inspektorët e këtij Inspektorati nuk njohin situatën e kompanive që zhvillojnë aktivitet në territorin që mbulojnë. Inspektorati ka të rregjistruar në shkallë vendi 22 mijë subjekte fizike dhe juridike që kontrollon, ndërkohë që në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe në drejtoritë e tatimeve janë rregjistruar 79 mijë subjekte. Me fjalë të tjera, rreth 240 inspektorëve të Inspektoratit ju mungojnë të dhënat për 57 mijë kompani të mëdha e të vogla. Sikur të marrim një mesatare prej 4 punonjësish për kompani, del se Shteti ynë nuk arrin të shikojë se sa janë rrogat dhe sa janë kontributet për pensionet për afro 200 mijë të punësuar në Shqipëri!
Këtu reforma duhet të bëjë katarsisin e plotë! Ajo përbën ndryshimin më të thellë dhe të shtrirë në kohë në shoqërinë shqiptare, pse mund të zgjasë edhe 20 apo 30 vjet. Disa hapa të parë janë premtues, sidomos rritja e kontribuesve dhe garimi i lirë, duke hequr tavanin e pensionit. Kjo masë e fundit ka sjellë që të kemi edhe pensionet e para në nivele 340 mijë lekë të vjetra në muaj, nga tavani 240 mijë lekë që ishte para një viti.
Janë dallëndyshet e para të një sfide që parashikohet të jetë shumë e gjatë dhe e vështirë. Ndryshimet e dobishme në skemën e ndihmës ekonomike të Shtetit dhe në pagesat e personave me aftësi të kufizuara, i shkojnë në krah reformës më të thellë shoqërore dhe dëshmojnë efektivitetin e punës së një segmenti jetësor të qeverisjes së sotme.