Shtrenjtohet me 2.3% shporta bazë e ushqimeve dhe e shërbimeve
INSTAT, 10 mars 2015
Shtrenjtohet me 2.3% shporta bazë e ushqimeve dhe e shërbimeve. Rritja e shpejtë e inflacionit në shkurt 2015, sipas INSTAT, erdhi nga ndikimi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që mbajti peshën me +1,88 pikë përqindje. Por, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rritja e taksave për mallrat e akcizës dhe ulja e numrit të universiteteve private për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Kështu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, ku është rritur taksa doganore e akcizës, kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë peshën +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Ndërsa, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” janë ulur dhe kanë kontribuar respektivisht me -0,20 pikë përqindje dhe -0,15 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,05 pikë përqindje. Krahasuar me muajin shkurt 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,2%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,3%, grupi “Komunikimi” me 3,7% etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,8%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17,1%, pasuar nga nëngrupi “fruta” me 11,4%, “qumësht, djathë e vezë” me 3,0% etj. Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 3,5%, pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 2,3% etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 4,5%, pasuar nga grupi “Transporti” me 3,3%. Ndryshimi mujor i indeksit është 2,4%.
Krahasuar me muajin janar 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,4%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” me 26,7%. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,5%. Krahasuar me muajin janar 2015, çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4% dhe çmimi i benzinës u rrit me 1,9%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila në raportin e fundit të politikës monetare parashikoi rritjen e shpejtë të inflacionit, shkak është përmbytja. “Një faktor i cili mund të ndikojë në një rritje më të shpejtë të inflacionit në të ardhmen, është rritja e çmimit të produkteve bujqësore si pasojë e dëmtimit të tokave bujqësore nga përmbytjet”, është shprehur guvernatori Gent Sejko, para disa ditësh. Por, mungesa e prodhimit vendas mund të ketë edhe shkaqe të tjera, që nuk lidhen me përmbytjen, po të kemi parasysh se shtrirja e saj është vetëm në një pjesë të vogël të Ultësirës Perëndimore të vendit.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit llogaritet me shportën e artikujve, peshat e të cilave janë llogaritur bazuar në rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes, realizuar nga INSTAT. Në shportë, numri total i artikujve është 272. Indeksi llogaritet dhe publikohet duke përdorur strukturën e Klasifikimit të Shpenzimeve sipas Qëllimit (COICOP) me 12 grupe kryesore, tërësisht të përputhshëm me klasifikimin e shpenzimeve që përdor EUROSTAT. Peshat e artikujve janë llogaritur për çdo prefekturë duke marrë në konsideratë shpenzimet e familjeve qytetare dhe fshatare.