CDI dhe Shtetiweb prezantojnë “Observatori i Integrimit Rajonal” (ORI)
6 mars 2015
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe ShtetiWeb prezantuan sot portalin “Observatori i Integrimit Rajonal” (ORI). Kjo inisiativë mbështetet nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Fondacioni Friedrich Ebert dhe ka për qëllim të informojë të interesuarit mbi statusin e integrimit rajonal të Shqipërisë, ecurinë dhe sektorët e bashkëpunimit, donatorët, si dhe kush janë institucionet dhe organizatat shqiptare që bashkëpunojnë në programet dhe projektet konkrete të këtij procesi.
Observatori i Integrimeve Rajonale (ORI) synon ngritjen e një platforme për vrojtimin, mbledhjen e të dhënave empirike, analizën dhe promovimin e flukseve përbërëse të integrimit rajonal, në kuadrin e integrimeve ndërkufitare, trans-nacionale dhe inter-rajonale të Shqipërisë.
Tek ORI do të gjeni një databazë me 443 projekte rajonale dhe ndërkufitare ku marrin pjesë institucionet dhe organizatat shqiptare, të kompletuara me studime, analiza dhe raporte që trajtojnë integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.