Traja: Reforma në drejtësi me fokus të posaçëm në Gjykatë e Prokurori

Intervistë e Kristaq Trajës me gazetarin S. Minxhozi, botuar në Java, 3 mars 2015

traja13

Reforma në drejtësi/ Konstitucionalisti i njohur Kristaq Traja analizon aspektet teknike, afatet kohore dhe modalitetet e tjera të reformës që po bëhet gati të startojë. Ai thotë se do të duhet kohë, angazhim i kujdesshëm dhe vullnet i të gjitha palëve. Traja: “Thembra e Akilit? Të sanksionojmë që për çështje të ngjashme, të kemi vendime të ngjashme”

Po bëhen demarshe për t’i dhënë udhë një reforme në drejtësi, e cila mbivendoset mbi nismën e vjetër tuajën, për një reformë kushtetuese. Ku eshte dallimi mes te dyjave?

Sikurse e dini, muaj më parë, ne së bashku nën siglën e fondacionit Soros, patëm propozuar publikisht një nismë për një reformim në disa pika qëndrore të Kushtetutës, me qëllim ndreqjen e disa zgjidhjeve që në rrjedhë të kohës rezultuan jo plotësisht efikase dhe diskutimin e disa ndryshimeve që dikton koha e sotme, në raport me funksionimin e shtetit dhe të pjesëve të tij natyrore. E vërteta është se nisma u konceptua në ndryshime të nivelit kushtetues. Tani flitet për një reformë në drejtësi. Unë e shikoj këtë reformë si pjesë të reformës kushtetuese. Çështja është, sipas meje, te metoda se si duhen ndërmarrë masat për të përshtatur Kushtetutën me realitetet e reja, që pastaj këto realitete të konturohen sipas rregullave dhe parimeve bazë të demokracise dhe të shtetit të së drejtës, kundrejt aderimit të vendit në BE.

Nga kjo anë, nuk shikoj ndonjë mbivendosje reformash dhe as ndonjë dalje të orientimit politiko-insttitucional tej asaj që ne mendonim muaj më parë, si platformë për një qasje të re rregullatore-juridike në kornizën e proceseve integruese. Drejtësia është një nga pjesët themelore të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit dhe si e tillë, përbën një aspekt kushtetues par excellence.

Unë, të paktën tani për tani, nuk shikoj ndonjë ndryshim në thelb midis asaj që u propozua në fillim si reformë kushtetuese dhe asaj që po ndërmerret aktualisht si reformë drejtësie. Kjo sepse termi reformë në drejtësi kuptohet këtu shumë gjerë, duke përfshirë të gjitha aspektet e saj : drejtësia kushtetuese, gjyqësori i zakonshëm deri në majën e tij, ato që quhen shërbime juridike, si avokatia, noteria, përmbarimi, ekspertiza legale etj. Nga ana tjetër, është gati e pakuptimtë të bësh një skanim të problematikës kushtetuese, duke u nisur vetëm nga teksti i Kushtetutës, pa raport me situatat që zhvillohen nën drejtimin e saj në sektorët jetikë të jetës shtetërore. Është fare e natyrshme të diagnostikosh sëmundjet, të themi në drejtësi, dhe nga kjo të kërkosh zgjidhjet përkatëse në rrafsh kushtetues.

Kjo, natyrshëm, do të prekë edhe institucione të tjera të rëndësishme kushtetuese, që kanë lidhje me drejtësinë. Kështu, pozicioni i Presidentit do të shihet në prizmin e sigurimit të një gjyqësori të pavarur e kualitativ, çka nënkupton një analizë të sistemit të emërim-zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues e të Gjykatës së Lartë etj. Pra, roli i presidentit kështu do të vështrohet e jo thjesht në mënyrë abstrakte, sipas nevojash thjeshtësisht politiko-pragmatiste të çastit.

Jo gjithçka mund të rregullohet në nivel kushtetues, kjo dihet, por unë jam më shumë për formulime të hollësishme kushtetuese, që të lihet vetëm ajo hapësirë strikt e domosdoshme për lojën e aktorëve dhe institucioneve kushtetuese. Kushtetuta ekzistuese ka nevojë të preket edhe në mekanizma të tjerë që rregullojnë stabilitetin e qeverisjes, një ndarje më të saktë të pushteteve, riformulime më të goditura të disa dispozitave, garantimin e thelbit të saj nga amendimet e shpeshta ose të improvizuara etj. Gjithë kjo tematikë kushtetuese duhet parë sipas problemeve që kanë dalë gjer më tani dhe të çështjeve të reja që duan rregullim.

Kjo reformë është parashikuar të përfundojë brenda 2015. A është ky një afat realist ?

Afatet janë pothuajse gjithnjë të përafërta, sepse nuk mund të parashikohet a priori se ç’do të dalë nga analiza dhe procesi. Unë besoj se ky afat në çështjet themelore është realist. Ekspertiza vendase dhe e huaj nuk mungon. Ky dispozitiv garanton relativisht një punë me temp të qëndrueshëm dhe normal brenda këtij afati. Kohë do të dojë dhe procesi publik për rilevimin dhe diskutimin e problemeve të reformës. Natyrisht, problemet e reformës kanë cilësinë që të jenë vazhduese, sepse do të punohet njëkohësisht edhe në nivel legjislacioni, në rrafsh strukturor të organizimit, në planin e cilësisë profesionale të operatorëve të drejtësisë (kriteret e karrierës etj) sidhe në prizmin e metodës së punës sidomos gjyqësore që mundëson vetkontrollin e vendimeve dhe shmang njëkohësisht ndërhyrjen e e pushteteve të tjera në drejtësi.

Të gjitha këto kërkojnë kohë dhe janë problematika që duan vëmendje, edhe pas Reformës së madhe. Rëndësi ka që shinat të shtrohen drejt. Besoj se afati i mësipërm është realist për këtë gjë. Ushtrimi kushtetues në vetvete, si teknikë, nuk është një gjë e jashtëzakonshme ; gjithë vështirësia qëndron në diagnostikimin realist të problemeve. Ka çështje që janë gati krejtësisht tonat, dukuri shqiptare që duan rregullim specifik në përshtatje me realitetin tonë. Pra, nuk përjashtoj aspak mundësinë e disa gjetjeve specifike që, natyrisht, duhet të jenë brenda standardeve të gjera avropiane. Kjo problematikë, sipas meje, duket të konsumojë një pjesë të rëndësishme të afatit.

Cilat janë sfidat më të vështira, në aspektin konkret, që parashihen në javët e ardhshme?

Një proces reforme, sidomos Kushtetuese në drejtësi, është në mënyrë të natyrshme një sfidë e madhe. Mua më duket se te ne duhet fokusim intensiv në dy aspekte : a) në gjykatë dhe b) në prokurori. Në lidhje me të parën, dua t’ju them se çështja nuk është aq në ligjet, të cilat edhe sot janë të mira si në Evropë, megjithë përmirësimet e mundshme, sesa në atë që unë e quaj metodë të punës gjyqësore. Me këtë të fundit kuptoj kalimin e aktivitetit gjyqësor në një fokus të ri, pra, të kalimit të gjyqtarëve nga zbatues të ligjit, në kontrollues të zbatimit të tij. Ligjin e zbaton administrata nga pikëpamja e oportunitetit dhe efikasitetit, kurse administratën e kontrollon gjykata nga pikëpamja e të drejtave dhe vlerave njerëzore.

Vërtet sistemi ynë legal është ndërtuar sipas parimit të sundimit të ligjit dhe të rregullave të përgjithshme abstrakte, si në shumë vende të tjera evropiane, por po aq e vërtetë është se ky sistem kontrollohet gjyqësisht nga Gjykatat e Strasburgut, sipas një parimi më të ndryshëm, i cili konsiston në «ligjbërjen gjyqësore», pra në rregullat e praktikës gjyqësore, në precedentët. Për më tepër, vendimet e asaj Gjykata janë të detyrueshme për ne.

Sigurisht, vendi ynë mund të vazhdojë me sistemin ekzistues, ku gjyqtari i bindet ligjit sipas shkronjës, duke u bërë pjesëtar ose vazhdues i administratës publike, por ç’kuptim ka pastaj të kontrollohesh e të ndëshkohesh rradhazi nga instanca më e lartë gjyqësore evropiane ?

Garancia më e mirë për pavarësinë e gjykatës është linja e qëndrueshme e praktikës, ku çështjet analoge zgjidhen në mënyrë analoge. Por, mund të thuhet se kjo tashmë ekziston te ne me vendimet e forumeve tona të larta gjyqësore. Po si shpjegohet që praktika devijon shpesh dhe përse ka korrupsion të pandëshkuar ? kush do ta bëjë kontrollin e punës gjyqësore nëse jo vetë gjykata ? Për mua kjo është thembra e Akilit.

Të vijmë te prokuroria. Të gjithë e dimë problemin që nuk shkon. Veç shkaqeve të tjera, ka diçka që nuk shkon në sistem. Një logjikë normale na thotë se nuk bën që ai i cili akuzon edhe të hetojë. Hetimi, në thelb, ka karakter gjyqësor që synon provat. Në seancë gjyqësore nuk mund të hetohen të gjitha veprat penale për shkak të karakterit të tyre të ndërlikuar, të pengesave nga autorët e tyre etj etj. nga ana tjetër, dhe ekzekutivi përgjigjet direkt për luftën kundër krimit. Por, a mund ta bëjë këtë, kur organi kryesor, prokuroria, është e pavarur prej saj ? Paqartësitë burojnë nga fakti se çështja e prokurorisë shikohet institucionalisht, si organ, dhe jo nga pikëpamja e funksioneve të procedurës penale. Ndoshta duhet ndarë ndjekja penale nga hetimi penal. Dhe të mos harrojmë se procedura nuk është thjesht konvejer për të dërguar automatikisht të dyshuarin në burg, por, në rradhë parë, ligj që garanton lirinë e tyre deri në fajësinë e vërtetuar.

Sfidë më vete është edhe riformatimi i rolit të presidentit. Është e qartë si drita e diellit, se sado e fortë qoftë karizma personale e një presidenti, vendimtare është garancia e tij kushtetuese. Besoj se një president te ne duhet të ketë një legjitimitet të pavarur nga Kuvendi. Mund ta zgjidhte populli ose të gjendej një formulë tjetër garantuese. Meqë ndarja e pushteteve te ne është e dobët (ose më saktë është dobësuar) sepse qeveria dhe kuvendi janë në një linjë politike, një president që të garantojë pavarësinë e gjyqësorit duhet të jetë më parë i garantuar për vete.

Piketë tjetër me rëndësi në këtë reformë, mesa shoh unë, është dhe « juridiksionalizimi » i të drejtave themelore nën kontrollin e Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, të drejtat themelore si prona etj duhet të rishikohen gjyqësisht nga kjo gjykatë, jo si sot që shqyrtohet vetëm e drejta formale e procesit të drejtë ose të rregullt gjyqësor. Meqenëse gjykatat e zakonshme merren vetëm me të drejtat e njeriut dhe gjendja këtu është e pakënaqshme, mendimi se Gjykata Kushtetuese do të përbënte një garanci plus për individët më duket i saktë.

Një nga sfidat më të mëdha më duket reformimi i sistemit të emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve të të gjitha niveleve, por sidomos të atyre të instancave më të larta. Një aspekt është rishikimi i balancës president-kuvend, kriterizimi i cilësivë për të qenë gjyqtar, baza juridike se si mund të çmohet se gjyqtari ka shkelur ligjin, kur ai ka misionin ta interpretojë e të vendosë përfundimisht e të tjera si këto. Nga një anë duhet që gjyqtarët të jenë të kontrollueshëm e nga ana tjetër të jenë të pavarur ! më duket se kriteri kryesor edhe i njërës edhe i tjetrës anë duhet të jetë precedenti detyrues gjyqësor i kombinuar me metoda kritike që mbështeten pikërisht në respektimin e linjës së precedentëve. Do të duhen edhe ndryshime në sistemin e kritereve profesionale për prurjet në gjykatë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi