Qeveria gati t’i japë lamtumirën teksteve shkollore alternative
Nga Vladimir Karaj, botuar në Reporter.al, 2 mars 2015
Qeveria pritet t’i japë fund përdorimit të debatueshëm të altertekstit në arsimin parauniversitar duke i zëvendësuar ato me përkthime nga botimet e huaja; megjithatë, ekspertët nuk janë të bindur me idenë që përkthimet do jenë të përshtatshme për nivelin e nxënësve shqiptarë.
Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka shpallur tashmë synimin për të zëvendësuar sistemin aktual të hartimit të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, me një sistem të ri të bazuar më së shumti në përkthimin e librave mësimorë që përdoren nga sistemet arsimore të vendeve perëndimore. Ministria synon të përkthejë së paku tekstet e shkencave ekzakte, ndërsa do të mbajë vetëm ato tekste që nuk janë të disponueshme si mallra importi, si tekstet e gjuhës shqipe, historisë apo letërsisë.
Shqipëria ka përdorur që nga viti 2005 një sistem të njohur si Alterteksti, ku kompani private të botimit dhe shpërndarjes së librit marrin licenca për librat që përgatisin nga një komision në Ministrinë e Arsimit dhe i shpërndajnë nëpër shkolla.
Para vitit 2005, tekstet e librave shkollorë në Shqipëri prodhoheshin nga një shtëpi botuese nën pronësi publike dhe shtypeshin nga shtypshkronja private përmes tenderëve.
Librat shkollorë janë një produkt me shitje të garantuar më masën thuajse 100 për qind dhe kanë një xhiro vjetore të vlerësuar në rreth 10 milionë euro. Reforma e altertekstit e ndërmarrë në vitin 2005 qe njëkohësisht një privatizim i sektorit të prodhimit të teksteve të librave shkollorë dhe një liberalizim i pjesshëm i tregut. Teoria qe që pasi Ministria e Arsimit të licenconte prodhimin e disa teksteve për të njëjtën lëndë, mësuesit do të mund të zgjidhnin librin që ata e konsideronin si më të mirë, duke krijuar konkurrencë në një treg që më parë qe një monopol publik. Përveç licencimit të teksteve të lejuara për t’u përdorur në shkolla, qeveria imponoi edhe çmime tavan për shitjen e këtyre teksteve te nxënësit. Përgjatë dekadës që pasoi, dy dyzina kompanish private prodhuan një numër të madh tekstesh alternative.
Por vitin e kaluar, Ministria e Arsimit dhe e Sportit e shpalli të dështuar reformën e Altertekstit.
Kaosi me tekstet
Sistemi është shoqëruar përgjatë dhjetë viteve të zbatimit me dyshime për favorizime të botuesve të caktuar, klientelizëm dhe për cilësi të dobët të teksteve shkollore të hedhura në treg.
Sipas MAS janë të paktën 29 shtëpi botuese që janë përfshirë deri tani në procesin e prodhimit të librave shkollorë. Kjo solli një mbingarkesë me tekste që silleshin si alternativa, mesatarisht 5 deri në 8 tekste për çdo lëndë edhe pse në disa raste ka pasur dhe 11 tekste alternative, siç pranon ministria dhe botues të ndryshëm.
Të gjitha palët bien dakord që kjo është një prej arsyeve kryesore të problemeve të sistemit, i cili siç thonë ata hoqi barrierat duke lejuar një vërshim librash shkollorë me dhe pa vlerë, duke u plotësuar oreksin për fitime të disa dhjetëra shtëpive botuese, një pjesë e të cilave, aludohet se u ngritën më së shumti falë lidhjeve politike me qeverinë e shkuar.
Disa nga tekstet në qarkullim qenë efektivisht të njëjtat tekste të prodhuara nga monopoli publik para vitit 2005 ndërsa pjesa më e madhe u krijuan rishtazi si tekste.
Gjatë viteve të para të zbatimit të këtij sistemi, javët e para të viteve shkollore u karakterizuan nga kaosi. Fillimisht nxënësit e patën të vështirë të gjenin në treg variantin e duhur librit që do të përdorej në klasën apo shkollën e tyre. Vetë shtëpitë botuese patën vështirësi në krijimin e infrastrukturës së nevojshme të shpërndarjes së librave në të gjithë Shqipërinë.
Pastaj qeveria pati programe që synonin të rimbursonin nxënësit për koston e librave, gjë që supozonte detyrime për blerje librash me faturë fiskale apo me pulla sigurie, gjë që e ktheu procesin e sigurimit të librave në një makth të vërtetë për shumë prindër.
Në vitin 2014, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, në mediat sociale dhe ato konvencionale pati një debat të gjerë për cilësinë e librave në qarkullim.
Ndërkohë, konkurrenca mes shtëpive botuese qe në kulm. Tregu u përmbyt nga një numër i madh alternativash mes të cilave supozohej se duhej të zgjidhnin mësuesit, por në realitet nuk ndodhi kështu.
“Ka pasur mësuese që janë ankuar pasi i detyronin të përdornin libra që ato nuk i parapëlqenin. Na ka ndodhur që të na ketë thënë drejtori i shkollës për “urdhrin” e marrë nga lart mbi titullin e librit që duhej të përzgjidhej nga shkolla”, thotë Loreta Berhami përgjegjëse për marrëdhëniet me shtypin pranë shtëpisë botuese Pegi.
Lejimi i alternativave pa kufizime dhe pa një strategji të qartë sipas MAS ka sjellë probleme në mësimdhënie.
“Në një kaos tekstesh alternative, në një vend të vogël siç jemi ne, me lëvizjen gjeografike të nxënësve e plot faktorë të tjerë, mësuesi dhe nxënësi e kanë pasur të vështirë dhe të pamundur të gjejnë tekstin më cilësor”, tha në një intervistë për BIRN Agim Leka këshilltar i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), i cili po ashtu pohon se sistemi i përzgjedhjes së teksteve ka qenë “lehtësisht i manipulueshëm dhe korruptueshëm”.
Profesor Agron Tato, autor i disa librave të shkencave të natyrës bie dakord, duke shtuar se tregu i librit shkollor ishte kthyer në një biznes të rëndomtë.
“Në se ka një lidhje jo parimore, por krejt vulgare është se tregu i librit shkollor është një treg me xhiro ndoshta mbi 10 milionë euro dhe një treg i sigurt sepse është ndërmjetës agjensia shtetërore e arsimit parauniversitar”, thotë ai.
Profesor Tato vë theksin se shtimi i teksteve pa kriter erdhi si pasojë e presionit nga shtëpitë botuese, të cilat ai thotë, kanë luajtur më shumë rolin e shtypshkronjës.
“Ata luftojnë për tregun duke përdorur metoda që njihen tashmë në vendin tonë, ryshfeti dhe servilizmi politik”, thotë Tato, duke sqaruar se kjo ka bërë që mjaft libra të kalojnë kriteret e botimit dhe t’u serviren nxënësve edhe pse ishin plagjiatura.
Këshilltari i ministrisë pranon se një pjesë e mirë e teksteve të miratuara ndër vite janë pranuar edhe pse nuk plotësonin kushtet.
“Në këto kontekste, Komisionet e vlerësimit të ministrisë kanë miratuar nga 2-3 tekste alternative, deri në 10-11 të tilla, me një mesatare 5-6 tekste alternative për lëndë/klasë. Recenca e teksteve është bërë formalisht dhe e paguar nga botuesit”, thotë Leka duke vënë dukje skemat e përdorura.
Gafa, lapsuse dhe spekulime
Në disa nga këto tekste gjenden gafa historike të cilat e kanë sjell shpesh reformën në vëmendjen mediatike.
“Muhamedi është biri i zotit” në librin e sociologjisë për klasën e 11 të Gjimnazit, e deri te probleme fizike gjatë të cilave nxënësi duhej të vendoste edhe pse vetëm teorikisht vdekjen e vetes apo një të afërmi, bënë që qindra libra të tërhiqen nga libraritë.
Klementin Mile një nga autorët e librit të sociologjisë me probleme tha për BIRN se fjalia e gabuar ishte një lapsus në botimin e parë të librin para 4-5 vjetësh, ndërsa sqaroi se libri ishte ribotuar me frazën e saktë.
Botues të ndryshëm ndërkohë pretendojnë se gafat në fjalë ishin veç lapsuse edhe nxjerrje prej kontekstit dhe copa të shkëputura që veçantë dukeshin si gabime.
“E megjithatë, nuk duhet harruar që një pjesë e madhe e këtyre denoncimeve ishin të rreme (pra fotografi të manipuluara) dhe një pjesë tjetër ishin thjesht gjykime subjektive mbi një tekst apo një fjali të nxjerrë nga konteksti”, thotë Loreta Berhami.
Nga ana e saj Ministria e Arsimit dhe Sportit njofton se pati mijëra ankesa nga mësuesit sa i përket cilësisë së teksteve.
Disa nga botuesit ia vënë fajin për cilësinë e keqe të librave çmimeve të ulëta të vendosura nga qeveria. Megjithëse librat do të prodhoheshin privatisht nga konceptimi i tekstit te shtypja dhe shpërndarja, qeveria ruajti monopolin e licencimit të teksteve dhe vendosi tavan për çmimet finale. Për disa nga botuesit, çmimet tavan të ministrisë në rangun e 200 deri në 600 lekë për libër nuk krijonin të ardhurat e nevojshme për të prodhuar libra në volumin dhe cilësinë e duhur. Për më tepër, segmentimi i tregut në disa libra e zvogëlon mundësinë për ekonomi shkalle që qe në kohën kur prodhohej vetëm një tekst për të gjithë nxënësit duke sjellë efektivisht rritje të kostos. Një pjesë e librave të hedhura në treg qenë për rrjedhojë dështim komercial.
Leka na tha se të paktën 150 prej tyre ishin tërhequr nga tregu prej vetë shtëpive botuese.
Disa nga botuesit besojnë se vendimi i qeverisë për të hequr dorë nga alterteksti dhe për t’u kthyer te sistemi i vjetër ku prodhimi i teksteve shkollore është monopol publik dhe ku të gjithë nxënësit e vendit mësojnë me të njëjtat tekste, është një ndërhyrje për të nxjerrë nga tregu botuesit aktualë, të cilët u rritën gjerësisht gjatë kohës së qeverisë së djathtë 2005-2013 dhe për t’i zëvendësuar ata me klientelë të re politike.
Latif Ajrullai, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore mbron librat duke thënë se një pjesë e madhe e asaj që u paraqit si skandal ishet e fryrë dhe nuk pati verifikim nëse librat që u jepeshin nxënësve ishin korrigjuar apo jo.
“Pavarësisht nga problemet, unë ju them me bindje se realiteti në lidhje me tekstet shkollore nuk është si u fry e u ekzagjerua në fillim te vitit shkollor. Nga mijëra e mijëra faqe librash vetëm disa shembuj u rrotulluan në media të ndryshme dhe gjysma e tyre nuk ishte fare në botimet e këtij vitit shkollor”, thotë Ajrullai.
Agron Tato nga ana e tij fajëson botuesit për problemet që pati reforma dhe po ashtu për dështimin për të prodhuar libra cilësorë.
”Ju nuk keni parë dhe dëgjuar ndonjë debat ndërmjet autorëve apo komentatorëve të teksteve për metodologjinë e ndjekur apo mbi ndikimet që kanë ato në nivelin e mësimdhënies veç rasteve flagrante dhe gabimeve të bëra nga autorë diletantë dhe të sforcuar. Ju ndiqni “betejat”” ndërmjet të ashtu quajturave shtëpi botuese”, thotë Tato.
Ai fajëson këto të fundit se në përpjekje për të marrë një copë prej tregut të sigurt të librit shkollor kanë deformuar sistemin e përzgjedhjes, ndërsa i kanë mohuar shoqërisë edhe debatin mbi metodologjitë e mësimdhënies dhe përmirësimin e tyre.
Por zyrtarët e qeverisë thonë se kjo ndërhyrje është vetëm për t’i dhënë fund kaosit të krijuar me librat shkollorë dhe për t’i dhënë nxënësve libra cilësorë të çertifikuar në masë të madhe nga autoritetet arsimore të vendeve të Europës Perëndimore.
“Tekstet shkollore të fushave të gjuhëve të huaja, të kulturës dhe artit botëror të shkencave ekzakte, të shkencave të natyrës, të sportit etj., do të blihen nga botues të vendeve evropiane, tekstet e të cilëve përdoren më shumë nga bashkëmoshatarët e nxënësve shqiptarë”, tha Leka.
Por a do të prodhojë sistemi i ri i zgjedhur nga qeveria e majtë aktuale libra më të mirë shkollorë?
Teksti i huaj apo shqiptar
Ajrullai dhe botuesit e tjerë të Altertekstit besojnë se sistemi aktual nuk është një reformë që duhet ndryshuar. Ata besojnë se duhet parë mundësia për ta përmirësuar atë.
Edhe Tato beson se Alterteksti është një sistem më i mirë se sa “monopoli mbi dijen” i vetëm pak zërave që ishte në fuqi para 2005 dhe ku nxënësit kishin në dorë vetëm një lloj libri për 20 vjet e më shumë.
Duke u marrë me reformën Tato thotë se problemet janë të zgjidhshme nëse fjalën e thonë specialistët dhe jo ata që ai i quan “tregtarët e librave shkollor”. Edhe pse për të është një defekt ai i universiteteve shqiptare që kryesisht kanë karakter pedagogjik, kjo mund kthehet sipas tij në një avantazh sa i përket arsimit parauniversitar me krijimin e akademive të edukimit të cilat duhet të jenë përgjegjëse më pas për përpilimin e metodave, rrymave pedagogjike dhe vlerësonin në një debat të hapur tekstet me të cilët fëmijët do mësojnë.
Tato nuk beson as te kopjimi i teksteve nga jashtë pa i përkthyer në realitetin shqiptarë siç dëshiron të bëjë ministria. Ai shpjegon se përshkak të nivelit të shkollave tona një pjesë e këtyre teksteve, kur bëhet fjalë për lëndët shkencore, do të ishin shumë të vështira. Sipas tij tekstet duhet të përpunohen duke mbajtur parasysh edhe nivelin dhe mundësitë e shkollave shqiptare.
Mësuesit e matematikës, kimisë e lëndëve të tjera egzakte, ku ka pasur edhe nivele më të mëdha të kopjimit prej tekstesh të huaja, ankohen edhe pse nuk duan të përfshihen me emër në debat, pikërisht për vështirësinë e ushtrimeve që kërkohet të zgjidhin nxënësit e tyre. Në shkencat shoqërore problemet e teksteve janë më lehtësisht të dallueshme. Edhe në vetë tekstet për mësuesit që i gjen lehtësisht online dhe të shkarkueshme, diçka që është pjesë e transparencës së reformës, gjen lehtësisht gabime.
Një tekst historie për mësues të klasave të 4-ta për shembull u sugjeron këtyre që të përdorin poemën Argjiro të Ismail Kadaresë për të ilustruar periudhën ilire edhe pse mbretëresha e poemës i përket periudhës së pushtimit Osman.
Arjan Leka thotë se cilësia e dobët e teksteve me të cilat është dhënë mësim deri tani ka dëmtuar nxënësit.
“Në qoftë se do të flasim për dëmet e reformës në procesin mësimor edukativ, ato janë të mëdha”, thotë ai duke fajësuar tekstet e dobëta për rënien e cilësisë së nxënies tek fëmijët.
Nga ana tjetër Latif Ajrullai edhe pse pranon problemet që pati Alterteksti sipas tij vetëm në vitet e fundit, thotë se reforma prodhoi tekste më të mira se ato që ishin në fillim.
Për Ajrullain duhet të vazhdohet me Altertekstin dhe se sulmet ndaj tij vijnë nga mosnjohja dhe fryrja tej mase e defekteve. Ai thotë se pjesa më e madhe e teksteve janë cilësore dhe se janë bërë prej profesionistësh. Madje për shpërthimin e akuzave për tekste me gafa Ajrullai mendon se është e stisur dhe e qëllimtë, për të rikthyer sistemin e monotekstit apo për të ndihmuar dikë që të krijojë monopol në treg.
“Për mendimin tim kjo fushatë kundër teksteve shkollore bëhet me qëllim që të kalohet nga tekstet alternative në tekstin unik, gjë që me siguri mund t’i interesojë dikujt që pretendon ta fitojnë tregun jo përmes konkurrencës, por përmes vendosjes së monopolit. Pra nuk është çdo gjë si duket në TV”, thotë ai në një intervistë.
Ai thotë se reforma mund të përmirësohet lehtësisht duke dhënë ndër të tjera edhe forma që duhet të aplikohen për këtë. Kreu i Shoqatës së Botuesve vlerëson se pas seleksionimeve nga ministria, mësuesit apo prindërit të ketë edhe një formë tjetër seleksioni që do të përjashtonte automatikisht librat që përzgjidhen në më pak se 10 për qind të shkollave.
MAS nga ana e saj duket se ka vendosur të kombinojë monotekstin që do të merret i gatshëm nga shkolla jo shqiptare dhe altertekstin që sipas tyre do i nënshtrohet tani e tutje standardeve për tekstet shkollore.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.