Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare: Raporti i Parandalimit të Pastrimit të Parave
Raportim në Komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, 2 mars 2015
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka raportuar ditën e hënë para Komisionit Kuvendor Për Sigurinë Kombëtare. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie shtetërore, z. Gent Gazheli, iu tha deputetëve të Kuvendit se Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ka realizuar drejtimet themelore të veprimtarisë së saj.
Sipas z. Gazheli, në saj të mbështetjes së qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, progresi është krejt i dukshëm, madje edhe përtej pritshmërive.
Z. Gazheli e lidhi këtë rezultat edhe me vendimin e marrë pak ditë më parë në Francë, në takimin vjetor të Guidës Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, (Task Forca për Aksionin Financiar, të dyja organizata botërore, të cilat bëjnë analizën e shteteve në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe të luftës kundër financimit të terrorizmit), vendim i cili sanksionoi se vendi ynë nuk është më pjesë e vendeve në monitorim nga FATF.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP iu referua rezultateve konkrete të agjencisë që drejton. Ai tha se për vitin 2014, DPPPP ka referuar 462 raste në institucionet ligjzbatuese, ndërsa gjatë vitit 2013 janë referuar 283 raste dhe në vitin 2012 janë referuar 211 raste. “Pra ka një rritje 63% krahasuar me një vit më parë”, – tha z. Gazheli.
“Janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm, që kapin një vlerë totale prej rreth 18 milionë Euro, nga të cilat rreth 15 milionë Euro janë sekuestruar me vendim gjykate/prokurorie, shifra këto që tejkalojnë bindshëm të gjitha bllokimet dhe sekuestrimet e viteve 2009-2013 të mbledhur së bashku”- nënvizoi drejtori i DPPPP.
Një dukuri tjetër pozitive e kësaj agjencie ka të bëjë edhe me rritjen e mbikëqyrjes ndaj subjekteve të ligjit. Numri i subjekteve dhe/ose punonjësve të tyre, të trajnuar për vitin 2014 është 699 persona, ndërsa në vitin 2013 janë trajnuar 401. I njëjti trend rritës për vitin 2014 është edhe për numrin e masave administrative dhe ekzekutimit të tyre.
Deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare kanë mësuar edhe tregues të tjerë që lidhen me efikasitetin e sistemit parandalues në vend, mbi dyfishimin e raporteve e dyshimta që kanë dërguar subjektet e ligjit. Kështu, nga 462 rastet e dyshimta të referuara në organet ligjzbatuese, për 162 prej tyre është arritur përcaktimi i lidhjes së mundshme me veprën origjinuese/mëmë, nga ku rrjedhin paratë në proces pastrimi. Dominojnë trafikimi i lëndëve narkotike dhe fshehja e të ardhurave/evazion fiskal, raste që kanë lidhje me korrupsionin/shpërdorimin e detyrës, etj.
Z. Gazheli u ndal edhe në shqyrtimin e raporteve vjetore të punës së Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me pastrimin e parave. Ai nënvizoi se për periudhën 2009-2013 Prokuroria ka regjistruar 231 procedime penale; ka dërguar në gjykatë vetëm 22 procedime ose 9.5 % të rasteve, në të cilat ka pasur 42 të pandehur. “Ndërsa nga gjykatat është dhënë vendim dënimi për 20 persona, – pra mbi 50% të rasteve”, – tha në këtë raportim, drejtori i Përgjithshëm i DPPPP.