Rreth bankave, Qeverisë dhe zhvillimit ekonomik
Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 27 shkyrt 2015
Nxitje për këtë koment u bë njoftimi mbi ardhjen këto ditë në Shqipëri si ndihmësguvernator apo, siç e quante jo pa humor analisti Gjergj Erebara në një shënim të tij “guvernator në hije”, të ekonomistit të njohur dhe historianit 66-vjeçar Mario Blejer, ish-guvernator i Argjentinës (janar-qershor 2002). Në të vërtetë, shqetësimi i opinionit publik është jo aq se si po përdoren paratë borxh që shpenzohen me këtë rast (këto ditë p.sh. Banka Botërore shpalli se do t’i ofrojë edhe një miliard dollarë të tjera shtetit shqiptar, borxh shtetëror kuptohet (?!), por a do të jetë e mundur që sistemi bankar të vihet në funksion të përshpejtimit të rritjes dhe të zhvillimit ekonomik në një vend që, për fat të keq, gjatë dy-tri viteve të fundit është në kufijtë e stanjacionit, d.m.th. me një rritje ekonomike rreth 1% dhe të papërfillshme sa i takon punësimit etj.… E duke pasur Këshillin Mbikëqyrës të plotësuar, guvernatorin e porsaemëruar në detyrë, si dhe duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë të “guvernatorit në hije”, në vijim po ofroj nja dy-tri ide për debat rreth mënyrës se si mundet që sistemi ynë bankar të vihet më mirë në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit.
Problemi i parë ka të bëjë me gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të qëndrueshme për problemin e “kredive të këqija”. Duke qenë se as pas marrjes së rreth 700 milionë dollarëve borxh shtetëror gjatë dy ditëve të fundit dhe pompimit në ekonomi gjatë së njëjtës periudhë të rreth 150 milionë dollarëve në formën e likuidimit të punimeve, mallrave dhe të shërbimeve publike të kontraktuara me herët, gjendja e kredive të këqija jo vetëm nuk është zvogëluar në 4% siç ishte pritshmëria e qeverisë, por është rritur në një nivel pak më të lartë se para dy vjetësh (mbi 25% sipas Bankës së Shqipërisë). Por a ka ndonjë mënyrë që i “shkund” bankat tregtare nga situata oligopolistike e dekadës së fundit, nga alokimi i kredive në mënyrë korruptive duke përfshirë posaçërisht kreditë në shuma të mëdha (siç ka pasur denoncime në shtyp), që nxit konkurrencën ndërmjet tyre për të ofruar produkte dhe shërbime sa më të lira klientëve të tyre, me qëllim që të bëhen faktorë kontribuues të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit? Mendoj se ka ardhur koha që Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare të krijojnë një institucion bankar që të merret specifikisht me “kreditë e këqija”, duke mundësuar kështu të dalin nga ky biznes ato pjesë (e ndoshta edhe ndonjë bankë e kontaminuar), që mbajnë peng prej kohësh aktivitetin kredidhënës në ekonominë shqiptare. Kështu bie edhe alibia e prognozave të disa bankave tregtare mbi “perspektivën e rezervuar” të ekonomisë sonë kombëtare, veprimtaria e tyre bëhet më transparente duke përfshirë edhe transaksionet me jashtë apo “shërbime” të tjera që mundësojnë mbijetesën si institucione bankare pa ofruar kredi për vite me radhë… Ndërkaq, emërimi i Guvernatorit, plotësimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë apo ardhja e z. Blejer në Tiranë mund dhe duhet të kontribuojë jo vetëm në rikthimin e besimit të tregjeve ndaj atij institucioni, por veçanërisht për forcimin e mbikëqyrjes bankare dhe, pse jo, në rishikimin e në ndonjë rast edhe revokimin e licencës së veprimtarisë bankare për shkak të përdorimit jashtë kushteve të përcaktuara në ligj etj.
Problemi i dytë lidhet me një histori të vjetër sa vetë tranzicioni – amnistia fiskale. Përvojat e derisotme kanë treguar se reforma të tilla kanë sukses nëse janë të thjeshta në zbatim dhe që mundësojnë garancitë politike, ligjore dhe institucionale për mbylljen e kapitullit të kapitalizmit pa “rregulla loje”. Në rastin e vendit tonë, përpjekja e dështuar e qeverisë paraardhëse tregoi se pa një konsensus të gjerë politik midis shumicës dhe pakicës në Kuvendin e Shqipërisë, pa një instrument legal të konsultuar me institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe pa lënë mënjanë paragjykimet rreth përfitimeve imediate dhe afatgjata të kësaj reforme është e vështirë, për të mos thënë e pamundur të mbyllet ky kapitull. Aq më keq nëse, me ose pa mbështetjen e qeverisë së djeshme apo asaj aktuale, këtë rol tentojnë ta luajnë bankat tregtare, ndonëse ndokush që lexon këto radhë, mund të thotë se këto burime kanë ndihmuar mbijetesën prej një dekade të 17 bankave në një ekonomi kaq të dobët sa jona… Në këto kushte, mendoj se qeveria aktuale, më shumë sesa rritjen e pakontrolluar të tatim-taksave, që në thelb ka goditur dhe godet atë pjesë të shoqërisë që është me korrekte me pagimin e tyre, do të duhet të shfrytëzojë reformimin e kryer në Bankën e Shqipërisë dhe përvojën e njohur te z. Blejer në këtë fushë për t’iu rikthyer seriozisht çështjes së amnistisë fiskale, duke ndërtuar kuadrin përkatës ligjor dhe institucional të reformës në këtë fushë, me qëllim investimin e kapitaleve të fjetura në instrumente financiare transparente. Në fakt, vendi i origjinës së z. Blejer (Argjentina) e ka ndërmarrë një politikë të tillë fiskale herën e parë në vitin 2009 dhe herën e dytë në maj të 2013-s. Personalisht, mendoj se në këtë proces mund të marrin pjesë gjerësisht edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendet perëndimore, ndërsa qeveria shqiptare duhet të përgatitet për të ofruar projekte për ndonjë vepër publike, ku mund të investohen drejtpërdrejt paratë e përfituara nga amnistia p.sh. një vepër energjetike siç mund të jetë hidrocentrali i Skavicës ose ndonjë vepër tjetër me interes të madh publik. Angazhimi mbi baza konkurruese të hapura për pjesëmarrësit në programin e amnistisë fiskale mendoj se do të kontribuojë edhe në frenimin e prirjes abuzive, që po shfaqet edhe qeveria aktuale në ofrimin e koncesioneve të dyshimta, si në shëndetësi, në përpunimin e mbetjeve urbane etj., sidomos sa i takon transparencës së munguar; arsyetimit për përfitueshmërinë publike; studimit të detajuar të fizibilitetit; procedurave të paqarta dhe kohës së mjaftueshme për tenderimin e shërbimeve; përvojës së pamjaftueshme e kompanive pjesëmarrëse e mbi të gjitha implikimeve serioze e të rrezikshme buxhetore aktuale dhe për periudhat e ardhshme etj.
Problemi i tretë lidhet me praninë e investimeve të huaja. Përtej publikimeve zyrtare dhe shifrave deklarative të Kryeministrit Rama apo anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar për “miliarda dollarë investime që kanë ardhur e po vijnë në ekonominë tonë”, tashmë është bërë e qartë se kjo ekonomi është tejet anemike dhe zhvillimi i saj varet dukshëm nga aftësia e qeverisë dhe institucioneve të shtetit në tërësi për të thithur investime të huaja të drejtpërdrejta. Kjo është aq e vërtetë, sa mund të thuhet se ritmet e rritjes së ekonomisë mbeten kryesisht derivat i investimeve private, sidomos në kushtet e sotme në kushtet kur qeveria nuk merr dot hua të reja përtej disa limiteve; kur huat po përdoren në drejtime të tjera, veç atyre zhvillimore p.sh. shlyerja e detyrimeve shtetërore të mëparshme (d.m.th. merr “borxhe të reja” për të shlyer “borxhet e vjetra”); kur bankat tregtare, edhe pse kanë likuiditete të mjaftueshme, po kreditojnë ekonominë reale “me pikatore” etj. Sipas mendimit tim, po kaq i rëndësishëm mbetet krijimi i një klime besimi të poseduesve të kursimeve e kapitaleve për mobilizimin brenda vendit të kursimeve monetare dhe të kapitaleve, të ndryshme nga kjo e sotmja, për të dekurajuar nxjerrjen e parave jashtë vendit. Duhet pranuar se, përveç konfliktualitetit politik të brendshëm me ulje-ngritjet e tij, edhe rritja e taksave rezulton të ketë ndikuar negativisht në këtë drejtim. Por po kaq e rëndësishme është që qeveria, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në dokumentet ndërkombëtare, duhet të shpenzojë paratë e buxhetit të shtetit dhe borxhet që merr me firma dhe sipërmarrës shqiptarë. Ky nuk është thjesht një patriotizëm formal, por një tregues përgjegjësie dhe pjekurie i qeverisë, detyrim për të rritur efektivitetin e përdorimit të fondeve publike dhe borxheve që merren prej saj në emër dhe për llogari të qytetarëve shqiptarë. Kjo është përvojë që është zbatuar e zbatohet edhe sot e kësaj dite nga ekonomitë më të mëdha të botës (kujtoni këtu “Buy American Act” të vitit 1933 dhe të përsëritur më 1983 në SHBA, etj). Të mos harrojmë se as shtete shumë më të fuqishme se yni nuk marrin borxh pa bërë me kujdes llogaritë për aftësitë ripaguese të ekonomisë kombëtare, nuk nxitojnë të pajtojnë me pagesa dhjetëra herë më të larta individë dhe kompani të huaja thjesht se janë të huaja, apo më keq akoma thjesht sepse nuk kanë besim te klasa menaxheriale dhe burimet njerëzore të vendit të vet. Meqë jemi tek efektet e parave që ikin jashtë vendit në mënyra të ndryshme, i propozoj qeverisë që në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë të procedojë pa humbur kohë për një marrëveshje të posaçme fiskale me Zvicrën për heqjen e sekretit bankar, d.m.th. që të mos ketë më një sekret të tillë.
Në fund të fundit, më mirë disa qeveritarë dhe oligarkë të tranzicionit që detyrohen të “sillen” më mirë d.m.th. të investojnë brenda vendit paratë e siguruara prej tyre në mënyra të ndryshme, sesa deklarata e përbetime retorike pa fund për “luftë totale” apo “tolerancë zero” kundër korrupsionit dhe evazionit. Kështu do të rivendosen edhe disa ekuilibra të rinj të dëshirueshme në shoqërinë e sotme shqiptare dhe “target” i masave shtrënguese fiskale, të ashtuquajtura herë-herë edhe “reforma” të qeverisë nuk do të jenë vetëm shtresat e varfra dhe të mesme të saj, por edhe oligarkia dhe një pjesë e vetë elitës politike së pasuruar përmes ushtrimit të paligjshëm të pushtetit.