Disa shpjegime për detyrimet e prapambetura…
Nga Bardhi Sejdarasi, botuar në Shqiptarja.com, 28 shkurt 2015
Pas publikimit të një njoftimi të hollësishëm të Ministrisë së Financave lidhur me dinamikën e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, sipas parametrave të përcaktuar në strategjinë përkatëse, ka pasur një sërë komentesh ose paqartësish në media dhe opinionin publik.
Për të dhënë një pamje të qartë të të gjithë ecurisë së këtij aksioni të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, por për më shumë informacion edhe për media-t dhe të interesuarit e tjerë, që nuk duan apo nuk dinë të lexojnë të dhënat zyrtare, po hedh disa rreshta.
Ministria e Financave deklaron se deri tani ka paguar nga buxheti deri në javën e tretë të shkurtit rreth 40.5 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj biznesit. Njoftimi nuk u mjaftua me këtë shifër, por u sqarua se në këtë shumë përfshihen detyrime nga të gjitha kategoritë, që nga punët e papaguara publike e deri te TVSH-ja e parimbursuar, apo fatura të pashlyera për blerje mallrash dhe shërbimesh.
Sikurse është bërë e qartë që në krye të herës, shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit nisi janarin e 2014-ës. Në total, Qeveria ka planifikuar që të shlyejë 72.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj biznesit dhe likuidimi i tyre është shtrirë në një hark kohor 3-vjeçar, që nisi vitin e kaluar dhe përfundon në fund të vitit të ardhshëm.
Pse detyrimi per punet publike rezultoi me i vogel se parashikimi?
Media komentoi pas njoftimit zyrtar se “vitin e kaluar, Ministria e Financave pagoi në total rreth 33.8 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga 35 miliardë që kishte planifikuar. Devijimi më i madh nga plani nuk ishte te shuma totale, por ndryshimet brenda zërave.
Për detyrimet e infrastrukturës, ose investimet publike siç njihen ndryshe, Qeveria pati planifikuar 15 miliardë lekë në buxhet, për gjithë vitin e kaluar. Por në fund të vitit, shifra e shlyer rezultoi vetëm 9.8 miliardë lekë. Një shmangie prej mbi 35 për qind më pak sesa plani i buxhetuar”. A është kjo e vërteta? E keqja e medias është se nuk pyet kur shkruan!
Pse kjo shmangie?
Së pari, sepse vlera prej 15 miliardë lekësh nuk është e parashikuar në buxhetin e vitit 2014, por kjo është një vlerë e nxjerrë nga publikimi në ëebsit-in e Ministrisë së Financave të listës paraprake, të konsideruar të rregullt, të detyrimeve të prapambetura për investime publike, vlera totale e së cilës është rreth 15.9 miliardë lekë.
Ky publikim kishte të bënte me transparencën dhe publikimin e faturave të verifikuara dhe deklaruara në degët e thesareve dhe nuk ishte parashikim për shlyerjen e të gjitha këtyre faturave brenda vitit 2014. Për sa më sipër, del qartë se vlera prej 15.9 miliardë lekë është totali i detyrimeve të prapambetura për investime publike, parashikuar për t’u shlyer përgjatë gjithë periudhës kohore të zbatimit të Strategjisë për Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura (2014 – 2016). Hesapet e media-s nuk dalin në këtë rast, sepse duhet pritur 2016-a!
Ministria e Financave, duke synuar proporcionalitetin e shpërndarjes së fondeve për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në kategoritë e përcaktuara sipas strategjisë së cituar më lart, për vitin 2014, në kategorinë e detyrimeve të prapambetura për investime publike, alokoi fondin prej 10.1 miliardë lekë, nga të cilat deri në fund të vitit u paguan rreth 9.7 miliardë lekë ose 96% e tyre. Ndërkohë që, për vitin 2015, u vazhdua me shlyerjen e pjesës së mbetur prej 5.7 miliardë lekë dhe rezulton e paguar në vlerën rreth 4.7 miliardë lekë.
Komentet e pavërteta dhe të padobishme
Sipas një kronikës së transmetuar në një televizion kombëtar dhe të shpërndarë më pas edhe në rrjetet sociale, “borxhet për investime po rezultojnë shumë më pak nga sa ishin parashikuar në fillim, kur nisi procesi i shlyerjes së tyre. Aq sa tani, Ministria e Financave do të shlyejë për dy vjet së bashku, 2014 dhe 2015, aq sa kishte parashikuar të paguante vetëm për vitin e kaluar”.
Dhe më tej komenti vijonte: “Por, teksa detyrimet e paguara për investimet janë rrudhur, një tjetër zë po rezulton dukshëm më i lartë se parashikimet. Janë detyrimet e prapambetura, që Ministria e Financave i klasifikon si ‘të tjera’. Nga 7 miliardë që ishte planifikuar në buxhet, për këtë kategori u paguan 11.1 miliardë, ose 50 për qind më shumë”.
Kaq thotë televizioni. Por ky “rebus” me shifrat mund të zgjidhej, qoftë edhe me një telefonatë! Ja sepse: Vlera prej 7 miliardë lekësh nuk është vlerë e planifikuar në buxhetin e vitit 2014, por një vlerë totale e detyrimeve të prapambetura, të publikuar në ëebsite e MF për kategorinë “Mallra dhe shërbime” dhe “Vendime gjyqësore”, kjo për efekt të transparencës dhe verifikimeve të mëtejshme që mund të kryheshin, si nga subjektet/individët përfitues, ashtu edhe IB debitore.
Përsa i përket kategorisë “Të tjera”, sipas përcaktimit në strategji përfshihen zërat: (i)vendimet gjyqësore ndaj subjekteve/individëve; (ii)shpronësimet; (iii) pagesat për ndihmën ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar; (iv) pagesat për emergjencat civile dhe shpërblimet për lindjet.
Për këtë kategori gjatë vitit 2014 janë alokuar rreth 6.4 miliardë lekë dhe janë paguar rreth 6.2 miliardë lekë ose 97% e totalit të alokuar. Peshën më të madhe brenda kësaj kategorie e zënë pagesat për vendimet gjyqësore, me rreth 3.4 miliardë lekë të paguara dhe pagesat për ndihmën ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, e cila shkon në 2.3 miliardë lekë të paguara.
Përveç kategorive të mësipërme, detyrimet e prapambetura u shlyen edhe në kategorinë “Mallra dhe shërbime”, për të cilën u alokuan rreth 5.6 miliardë lekë dhe u paguan rreth 5.3 miliard lekë ose 95% e totalit të alokuar.
Një tjetër kategori e rëndësishme në kuadër të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura është edhe ajo e “rimbursimit të tepricës kreditore të TVSH-së“, për të cilën janë alokuar rreth 12.9 miliardë lekë dhe janë paguar rreth 12.8 miliardë lekë ose 99% e totalit.
Si përfundim, nga të dhënat e mësiperme, rezulton se detyrimet e prapambetura, të shlyera në kategorinë e investimeve publike, për vitin 2014 dhe 2015 (15.8 miliardë të alokuara dhe 14.4 miliardë lekë të paguara) përbëjnë peshën kryesore në totalin e detyrimeve të prapambetura, të shlyera gjatë kësaj periudhe.
Kur media i referohet opozites!
Nuk ka asnjë gjë të keqe, kjo gjë, por fakti është se opozita as që i njeh këto shifra, edhe pse janë në dritë të diellit. Ja komenti i media-s: “Këto janë diferenca të mëdha, të cilat së fundmi janë bërë dhe objekt i debateve të forta politike në Parlament, pasi opozita pretendon se kategoria e “detyrimeve të tjera” lë shteg për abuzime”. Në fakt, nuk ka asnjë abuzim; të gjitha kategoritë e përcaktuara në strategji kanë respektuar rradhën e shlyerjes.
Ka një të vërtetë: Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura bazohet kryesisht në parimin e metodës FIFO (pra pagesat bëhen mbi bazë faturash, duke filluar nga ajo më e hershme në atë më të fundit). Një pjesë e vogël e pagesave, nisur nga vështirësitë në verifikimin e kërkesave, u shty në kohë dhe audituesit e FMN-së u sugjeruan autoriteteve të përgatisnin një plan veprimi për të adresuar këtë mangësi në të ardhmen.
Kështu u bë! Nuk ka asnjë lidhje kategoria “detyrime të tjera” me tërë strategjinë e ndjekur të shlyerjes së borxheve të prapambetura. Shifrat e hollësishme, të cituara më lart, tregojnë pikërisht të kundërtën, për një korrektësi në respektimin strikt të strategjisë, gjë që është konfirmuar në mënyrë të plotë dhe të hollësishme edhe nga Auditi disamujor i Fondit Monetar Ndërkombëtar.