Të vërtetat e plakjes së shqiptarëve

Nga Gjergji Filipi, botuar në Panorama Online, 26 shkurt 2015

gjergjifilipiNe prindërit e sotëm nuk po arrijmë të zëvendësojmë veten tonë përmes sjelljes në jetë të fëmijëve. Një situatë kjo e thjeshtë në dukje, por komplekse për shoqërinë shqiptare, sidomos për nga intensiteti me të cilin po zhvillohet si realitet kohët e fundit me pasoja të shumta, veçanërisht në terma afatgjatë.
Nga pikëpamja demografike, që një çift të zëvendësojë vetveten, duhet që indeksi sintetik i fekonditetit në rang vendi të jetë mbi 2.1 fëmijë për grua. Kjo do të thotë që një grua duhet të sjellë në jetë të paktën dy fëmijë gjatë viteve riprodhuese të jetës së saj, së paku të zëvendësojë dy prindërit origjinues. Për herë të fundit indeksi sintetik i fekonditetit në Shqipëri ka qenë më i lartë se 2.1 në vitin 2001, në nivelin 2.3. Në vitin 2012, indeksi sintetik i fekonditetit ishte 1.72 fëmijë për grua dhe, sipas projeksioneve të popullsisë, pritet të vazhdojë të zvogëlohet deri në 1.5 fëmijë për grua në 2031. Pra, nëse këto ritme vazhdojnë, nuk pritet, të paktën në të ardhmen e afërt, që lindshmëria të kontribuojë për të rinuar popullsinë e vendit.
Një fenomen tjetër që e përshpejton plakjen e popullsisë, është edhe migracioni. Në fakt, jo sepse sot emigrojnë më shumë shqiptarë sesa pas viteve ’90, madje e kundërta është e vërtetë. Sipas vlerësimeve të INSTAT, në vitin 2014 kanë emigruar rreth 46 mijë persona. Ndërkohë që në periudhën 1990-2001 emigronin mesatarisht 60 mijë persona në vit.
Një ndër treguesit më të qartë për vlerësimin e plakjes së një popullsie është mosha mediane. Kjo është mosha në krahasim me të cilën ekzaktësisht gjysma e popullsisë është më e re dhe gjysma tjetër është më e moshuar. Në vendin tonë mosha mediane është rritur me ritme të shpejta. Në dhjetëvjeçarin ndërmjet dy censuseve, mosha mediane u rrit nga 26.5 vjeç në 2001 në 32.5 vjeç në 2011. Pra, ajo është rritur me 6 vjet në vetëm 10 vjet kohë. Më 1 janar 2015 mosha mediane ishte 35 vjeç, çka dëshmon për plakje në vazhdim të popullsisë. Mosha mediane e 28 vendeve të Bashkimit Europian, shumica e shteteve qe bëjnë pjesë në kontinentin plak, në vitin 2013 ishte rreth 42 vjeç. Nëse gjithçka vazhdon me këto ritme, Shqipëria parashikohet të arrijë këtë moshë mediane në vitin 2032.
Rënia e shtesës natyrore pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen me ritme të shpejta, deri sa, sipas parashikimeve të projeksioneve të popullsisë, në vitin 2028 për herë të parë ajo do të jetë negative. Që do të thotë se me këto ritme lindjesh, në vitin 2028 pritet të lindin me pak shqiptarë, sesa ata që vdesin.
Ulja e lindshmërisë
Shqipëria ishte dikur vendi me lindshmërinë më të lartë në Europë, duke arritur një maksimum prej 7 fëmijësh për grua në vitin 1960.
Ky realitet është përmbysur tërësisht me treguesin e vitit 2012, ku çdo grua lind 1.72 fëmijë. Përpara viteve 1990 Shqipëria ishte vendi me normat më të larta të lindshmërisë në Europë, ndërsa tani nuk është as në dhjetë vendet me normat më të larta. Vetëm 4 vende kanë nivel lindshmërie më të lartë se 2 fëmijë për një grua, i cili konsiderohet si niveli i zëvendësimit dhe ato janë Turqia, Irlanda, Islanda dhe Franca. Madje, Shqipëria ka nivel më të ulët lindshmërie edhe se disa vende të Europës Perëndimore, si: Belgjika, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar dhe se disa nga vendet e Europës Veriore, si Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.
Por ama, problematika e rënies së numrit të lindjeve theksohet për shkak edhe të një konsiderate tjetër. Aktualisht në vendin tonë ndodhin 0.8 lindje femra për grua. Kjo do të thotë se femrat në Shqipëri nuk arrijnë ta zëvendësojnë veten në shoqëri. Që do të thotë se në të ardhmen do të kemi gjithnjë e më pak femra në moshë riprodhuese. Sipas projeksioneve, grupi i femrave të moshës riprodhuese 15-49 vjeç ndaj totalit të femrave do të bjerë nga 49% që është aktualisht në 2015, në 43% në vitin 2031. Ky fenomen bëhet akoma më i mprehtë nga një çekuilibrim i raportit aktual gjinor në lindje, rreth 109 meshkuj për 100 femra, një çekuilibrim jonatyral, i cili bëhet shkas për ulje të mëtejshme të numrit të nënave dhe, për rrjedhojë, pritmëri për ulje të mëtejshme të numrit të lindjeve.
Efektet e plakjes
Gjatë viteve në vazhdim pritet një plakje gjithnjë e më e shpejtë e forcave të punës, gjë që rrjedh direkt nga plakja e përgjithshme e popullsisë. Në të njëjtën kohë, personat e moshave më të vjetra që janë pjesë e forcave të punës, kanë më pak shtysa të emigrojnë sesa më të rinjtë. Kjo ndodh pasi në përgjithësi ata kanë norma më të larta punësimi se personat më të rinj në moshë që janë pjesë e forcave të punës. Me ikjen e të rinjve në emigrim, pesha që zënë të moshuarit në forcat e punës pritet të rritet vit pas viti. Efektit të emigrimit pritet t’i shtohet edhe efekti i strukturës moshore të popullsisë në vitin 2022, kur sipas projeksioneve të popullsisë pritet që për herë të parë numri i personave që hyjnë në moshën e punës (mosha 15 vjeç) të jetë më i vogël se ai i atyre që dalin nga kjo moshë (65 vjeç).
Argumentet dhe shifrat për situatën aktuale të popullsisë shqiptare na bëjnë të kuptojmë se plakja mbetet një problem i mprehtë, që duhet të shqetësojë të gjithë shoqërinë. Pasojat janë të rënda, ndonëse të shtrira në kohë, por zgjidhjet duhen menduar dhe adresuar që tani.
Këta faktorë duhen adresuar sa më shpejt në skemën e pensioneve, nxitjen e lindshmërisë, ekuilibrimin gjinor në lindje dhe synimit të uljes së vdekshmërisë, në mënyrë që të mos kapemi befas kur të jetë tepër vonë.
Ka disa modele politikash incentivuese, të përdorura edhe në vende të tjera për rritjen e lindshmërisë. Disa prej tyre që mund të gjejnë vend edhe në shoqërinë tonë, mund të jenë politikat nxitëse lidhur me lejet e lindjes, të shoqëruara këto edhe me uljen e informalitetit në tregun e punës. Gjithashtu incentiva të tjera që mund të ndërmerren, janë rritja e shpërblimit për lindje, rritja e cilësisë në çerdhe, kopshte etj.
Një përmirësim i sistemit shëndetësor do të ndikonte në uljen e numrit të vdekjeve. Fushatat parandaluese, sidomos në uljen e vdekshmërisë për sëmundjet kardiovaskulare, si një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në vend, do të ishin një tjetër opsion.
Problematika të popullsisë, ndonëse lidhen me vendime të jetës sonë të përditshme, të ekzistencës sonë, duhet të marrin më shumë vëmendjen tonë si shoqëri për kontributin që duhet të japim, si dhe mbi të gjitha të institucioneve politikëbërëse për të nxitur rritje të mirëqenies, kushteve optimale në mënyrë të veçantë për promotorët e popullsisë sonë, nënat dhe fëmijët.
*Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi