Strategjia e reformimit të arsimit
Nga Pëllumb Karameta, botuar në Shekulli Online, 23 shkurt 2015
Këto ditë, MAS-i publikoi draftin e Strategjisë për reformimin e arsimit parauniversitar 2014-2020. Drafti paraqet vizionin për arsimin që dëshirojmë për fëmijët dhe për të rinjtë tanë, si dhe përvijon rrugën për përmbushjen e tij, përmes plotësimit të përparësive strategjike që kemi caktuar për këtë sektor. Ai plotëson objektivat e papërmbushura të strategjisë së periudhës 2009-2013 dhe qartëson e mbështet procesin e përsosjes së sistemit arsimor. Puna për hartimin e strategjisë ka filluar një vit më parë. Gjatë periudhës prill-gusht 2014, u përgatit “Raporti Paraprak për Reformën e Sistemit”. Nga diskutimi i gjetjeve dhe i propozimeve u përftuan objektivat dhe pritshmëritë respektive. Në periudhën shtator-dhjetor, u thellua kërkimi për të njohur dhe evidentuar gjendjen në sistem, në aspektet e veprimtarisë së tij. Në këtë periudhë, u organizuan tri seminare në të cilat ekspertë, mësues dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme kontribuuan në identifikimin e pikave të forta, problemeve, vështirësive dhe në zhvillimin e kornizës konceptuese. Për të siguruar qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e veprimtarive të parashtruara në strategji, janë respektuar kërkesat thelbësore për një proces të tillë planifikues: gjithëpërfshirja (kontributi dhe autorësia mbi produktin e një numri të madh ofruesish dhe përfituesish); koherenca (ndërmjet niveleve të arsimit parauniversitar dhe të arsimit të lartë, përmes përfshirjes së ekspertëve nga secili nënsektor); ekspertiza dhe komunikimi.
Dokumenti i Strategjisë përcakton piketat e realizimit të ndryshimeve në sektorin arsimor. Nuk përfshihet në të zhvillimi i arsimit profesional, pasi strategjinë e tij e ka zhvilluar MMSR-ja. Dokumenti parashtron përparësitë arsimore kombëtare për periudhën në fjalë dhe përbën, kështu, një platformë gjithëpërfshirëse, brenda së cilës mund të kontribuojnë aktorët institucionalë dhe grupet e interesuara. Strategjia është propozim për transformimin, për reformimin dhe për zhvillimin e arsimit tonë, sipas një modeli të frytshëm planifikimi, menaxhimi dhe vlerësimi. Ai merr parasysh parimet dhe praktikat më të mira, trajton gjendjen e SAPU-së dhe propozon ndërhyrjet për secilën prej përparësive të vlerësuara si më të rëndësishme, duke shmangur, njëherazi, përshkrimet e panevojshme. “Strategjia e re – thekson znj. Lindita Nikolla, ministër i Arsimit dhe Sportit – orienton politikat afatmesme dhe afatgjata sektoriale për përsosjen e APU-së, sipas vizionit të qeverisë. Në këtë kontekst, strategjia mbështet edhe në unifikimin e sistemeve arsimore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dokumenti, kështu, konkretizon angazhimin profesional të specialistëve tanë dhe mundëson dialogun ndërmjet aktorëve për të ndërtuar një sistem arsimor cilësor dhe të respektuar në nivel ndërkombëtar. Si i tillë, ai është kyç për projekte konkrete në arsim”.
Strategjia e hartuar pajtohet me prirjet kryesore të zhvillimit të arsimit në Europë dhe në botë. Si e tillë, ajo synon: të përmirësojë cilësinë e arsimit për të gjithë; të identifikojë veprimtaritë kryesore dhe të planifikojë buxhetet e nevojshme; të ndihmojë bashkëpunimin mes agjencive qeveritare, partnerëve tanë dhe grupeve të tjera me interes ndaj arsimit, në drejtim të shtrirjes së veprimtarive dhe të investimeve në arsim, në kufijtë e një kuadri të njësuar konceptimi, planifikimi dhe financimi. Bazuar në këtë dokument, zhvillohen planet operuese për secilin vit, ku përcaktohen objektivat vjetore, veprimtaritë konkrete dhe burimet përkatëse. Në këtë kontekst, strategjia do të mbështesë jetësimin e 43 veprimtarive/masave kyçe, përmes të cilave presim të përfitohen 174 produkte arsimore themelore. Parashikohet që ky jetësim të kërkojë, vetëm për arsimit parauniversitar, rritjen e kufirit të financimit, nga 2.72% të PPB-së në vitin 2014 (ndryshe, 32.043.126 lekë), në nivelin e 2,96% në vitin 2020 (ndryshe, 57.162.056 lekë).
Strategjia është orientuar nga përparësitë e Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2014-2020. Për hartimin e saj janë konsultuar, gjithashtu, strategjitë tona të mëparshme, ato të Kosovës, Korniza Strategjike për Bashkëpunimin në Arsim dhe Trajnim – Europë 2020 dhe Strategjia Europiane e Arsimit 2020. Drafti i strategjisë është dakordësuar me të gjithë ekspertët e agjencive vartëse të ministrisë. Ai po bëhet objekt diskutimi publik dhe pritet të përfitojë nga kontributet e mjaft të interesuarve.
Drafti integron 5 seksione.
Në seksionin 1, shtjellohet situata aktuale në sistemin e arsimit parauniversitar (organizimi dhe funksionimi i tij) dhe paraqitet një sintezë e pikave të forta dhe e vështirësive që lidhen me kapacitetet drejtuese dhe menaxhuese të sistemit, me cilësinë dhe nivelin e kushteve të nxënies, me sigurimin e cilësisë së arritjeve dhe me burimet njerëzore në arsimin parauniversitar.
Në seksionin 2, shpaloset vizioni, parimet që u respektuan për hartimin e strategjisë dhe përparësitë e politikës arsimore. Si përparësi të politikës përcaktohen: përmirësimi i qeverisjes, i udhëheqjes dhe i kapaciteteve menaxhuese të sistemit; nxënia cilësore dhe gjithëpërfshirëse; sigurimi i cilësisë së arritjeve bazuar në standarde të krahasueshme me vendet e BE-së dhe përgatitja e zhvillimi profesional bashkëkohor i mësuesve dhe i drejtuesve. Për secilën përparësi janë përcaktuar rezultatet e pritshme dhe veprimtaritë kryesore. Këto të fundit qartësohen nëpërmjet shtjellimit të aspekteve thelbësore që i karakterizojnë. Ky grup përparësish është në sintoni me tendencat ndërkombëtare. Sipas OECD-së, pjesa më e madhe e reformave të analizuara fokusohen në: mbështetjen e fëmijëve të pafavorizuar dhe kujdesin për fëmijërinë e hershme; reformimin e sistemeve të arsimit profesional dhe krijimin e lidhjeve me punëdhënësit; përmirësimin e formimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve; forcimin e vlerësimit të shkollës dhe çmuarjen e rezultateve.
Në seksionin 3, nëpërmjet matricave përkatëse, parashtrohet plani për zbatimin e Strategjisë. Matricat paraqesin veprimtaritë kryesore, produktet e pritshme, zbatuesit dhe afatet kohorë.
Në seksionin 4, janë paraqitur elementet e sistemit të monitorimit dhe të vlerësimit dhe indikatorët për vlerësimin e progresit të strategjisë.
Në seksionin 5, paraqiten tabelat e financimeve të secilës përparësi, të shtjelluara sipas viteve. Dokumenti i Strategjisë mban parasysh se shoqëria shqiptare po evoluon dhe po përgatitet për të sfiduar devijimet që e pështjelluan jo pak, duke riorganizuar themelet dhe duke ripërcaktuar qëllimet arsimore dhe përparësitë e saj strategjike. Kjo kërkon nga të gjithë që të zhvillojmë një vizion imponues për nxënien dhe arsimin, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojnë që të përmbushet në të gjitha nivelet arsimore të sistemit arsimor. Sepse arsimi është një nga kapacitetet vetjake kyçe me të cilin njerëzit mundet të ndryshojnë botët e tyre.