Ku po shkon konflikti Rama-Nishani?
Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo Online, 21 shkurt 2015
Më 30 janar të këtij viti, Filloreta Faber u dekretua si ambasadore e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propozimi për Faber u bë gati një vit më parë, por prej pranverës së 2014-s, Presidenti i Republikës nuk kishte vendosur nëse do ta dekretonte apo jo. Mbajtja pezull e dekretit nuk u sqarua prej palëve të përfshira. Ndërkohë, pak ditë pas këtij dekreti shumica në Kuvend dhe pakica bashkuan votat për të miratuar kandidaturën e presidentit, Gent Sejko si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Kalimi i Sejkos me vota të shumicës ishte bërë i qartë më herët prej mazhorancës, pas ndërmjetësimit të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, edhe pse qeveria pati nisur një procedurë të vetën për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së. Në distancë, Presidenti dhe shumica parlamentare u përplasën për çka ishte kushtetuese apo jo në formën për zgjedhjen e kreut të ri të BSH-së, por duket se kjo e fundit vendosi të lëshonte pe pas një sërë takimesh. Kryeministri Edi Rama u tërhoq prej një procesi që ai vetë kishte nisur në kërkim të guvernatorit, ndërsa u duk se u “nënshkrua” një marrëveshje e heshtur mes qeverisë dhe presidencës për të shmangur përplasjet e panevojshme në raste emërimesh. Por duket më shumë se sa një dakordësi për t’u marrë vesh dhe vënë punët në vijë, dekreti për ambasadoren Faber dhe votimi i Sejkos kanë qenë një si shkëmbim kokë më kokë, ndërsa qeveria fitonte edhe shmangien e tensioneve të panevojshme financiare nga ngërçi për zgjedhjen e guvernatorit në rast se ky do të futej në peripecitë e zakonshme.
Fundi i idilit dhe përmendja e shkarkimit
Pa u mbyllur muaji nga kompromisi, Presidenti i Republikës rrëzoi 5 dekrete për ambasadorë me argumentin se nuk ishin konsultuar. Në fakt, për t’i dhënë zjarr konfliktit pati shërbyer ankesa e Presidentit se i ishte fshehur një ftesë në një aktivitet ndërkombëtar dhe një përgjigje ironike e ministrit të Jashtëm. Më tej konflikti u përshkallëzua në pak javë në deklarata publike të ashpra të Presidentit kundër Kryeministrit dhe përgjigje të këtij të fundit. Një katalizator i fshehur duket ka qenë një bisedë e ashpër telefonike që u përmend në media dhe që u konfirmua dy ditë më parë nga presidenti Bujar Nishani në ‘Top Story’. “Ka qenë një telefonatë e papranueshme, e paimagjinueshme, e adresuar me tone dhe terma të papranueshëm. Besoj që kjo është e qartë dhe e besueshme”, tha Presidenti. Nga një anë, pretendimet e Presidentit për “fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë” dhe nga ana tjetër, përgjigjja e Ramës se po shkelte zotimin që të mos i komentonte në publik përplasjet me Presidentit të Republikës si një institucion themelor i shtetit: “Sepse Bujar Nishani është kalimtar”.
Aludimi i Ramës për përkohshmërinë e mandatit të Nishanit (deri më 2017 njëkohësisht me atë të qeverisë Rama) është në fakt më i buti prej shumicës, zërat radikalë të së cilës kanë qenë gati të shkonin drejt shkarkimit të Presidentit që prej fillimit të mandatit. Një propozim i tillë u përmend për herë të parë nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili kërkoi nisjen e procedurave për shkarkimin. Vetë Nishani nënkuptoi se diçka e tillë ishte përmendur edhe në telefonatën e ashpër të Ramës, duke folur në ‘Top Story’ ai tha: “Presidenti është aty, të mos ketë frikë se mund ta heqin nga puna, gjobisin etj., etj”. Kështu, në më pak së një muaj prej idilit në zgjedhjen e guvernatorit të ri, marrëdhëniet me Presidentin e Republikës kanë kapur anën tjetër, atë të “kërcënimit” për shkarkimin e tij. Shumica në fakt e ka thuajse të pamundur t’i hyjë një procesi të tillë pa pasur prova të forta për shkelje të rënda dhe po ashtu do i duhen më shumë vota sesa ajo ka aktualisht në kuvend. Veç shumicës prej 93 votash që kërkohen për shkarkimin e tij, Presidenti po ashtu mbrohet edhe prej faktit se gjykimin vendimtar në këtë rast e jep Gjykata Kushtetuese. Nga ana tjetër do duhet të merren parasysh edhe kostot politike në Shqipëri e jashtë saj, që me gjasë nuk do ia vlejnë sipërmarrjen.
Rrethi vicioz president-qeveri
Por ndërsa përmendja e shkarkimit duket se është vetëm pjesë e acarimit të gjuhës mes dy institucioneve, fakti është se palët janë larg të marrit vesh si dy institucione të shtetit që duhet të zgjidhin jo pak prej punëve në vend. Kështu, ndërsa ministri i Jashtëm refuzon të konsultojë, sepse sipas tij nuk është detyrim ligjor, Presidentin për emërimin e ambasadorëve, ky i fundit jo vetëm nuk i dekreton duke prodhuar ngërçe në shërbimin e jashtëm, por nga ana e tij ndjek procedurat e veta, ndryshe nga ato që shumica miratoi me ligj, sa i përket dekretimit të gjykatësve, që më pas rrëzohen në Kuvend. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një institucion ku të dyja palët kanë duar dhe ku Presidenti e opozita kanë më shumë ndikim, luan po ashtu rol bllokues, duke i neglizhuar apo rrëzuar nismat e qeverisë përmes ministrit Nasip Naço. Pezull prej konfliktit mbeten edhe reforma në drejtësi apo të tjera akte të rëndësishme, ndërsa konflikti është zgjeruar edhe në Forcat e Armatosura apo emërimet në Shtabin e Përgjithshëm.
Kur Edi Rama, atëherë kreu i opozitës, vendosi në 2009-n të bashkonte votat me PD-në për të ndryshuar Kushtetutën për t’i mundësuar vendit një president me shumicë të thjeshtë, duke shmangur rrezikun për zgjedhje të parakohshme, duket nuk është menduar gjatë për pasojat që kjo do të kishte. Konflikti i shumicës së sotme me Presidentin filloi në fakt që në momentin kur ky u zgjodh me vetëm 73 vota nga PD dhe LSI, asokohe bashkë në qeverisje. Zgjedhja e Nishanit ishte për Ramën: “nishan ndaj konsensusit”. E lënë jashtë procesit, pasi shumica pranoi t’i digjte me kandidatura të njëanshme tri votimet e para, PS vendosi të mos merrte pjesë as në votimin e tretë. Përplasja vijoi menjëherë pas ardhjes së Ramës në qeveri. Pasi ishte betuar para Nishanit dhe kishte marrë detyrën, Kryeministri në mbledhje qeverie vendosi heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga institucionet publike dhe vendosjen në vend të tij të kryeministrit të parë dhe shpallësit të Pavarësisë, Ismail Qemali. Prej këtej, marrëdhënia e komplikuar është bërë gjithmonë e më e vështirë. Rama pati garantuar se nuk do të kishte një nismë për shkarkim të presidentit, duke mos dëgjuar radikalët, kjo edhe për shkak të presionit ndërkombëtar dhe frikës publike të përqendrimit të pushteteve në një dorë.
Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës nuk ka lënë mundësi pa kundërshtuar qeverinë. Ai është presidenti që ka kthyer më shumë ligje pas në Kuvend, ku dekretet e tij rrëzoheshin pa u marrë në konsideratë dhe po ashtu ka lënë më shumë ligje të hyjnë në fuqi në heshtje pa u dekretuar pas kalimit të afateve për dekretim. Rrëzimi i ambasadorëve dhe ankesa e Presidentit se nuk konsultohet janë të hershme në fakt. Këtë ai e ka përsëritur edhe në 2014-n, edhe pse prej asaj kohe disa prej të pakonsultuarve janë dekretuar prej tij edhe pse është dashur jo pak kohë për ta arritur këtë. Nga ana tjetër Presidenti është përballur më shumë se një herë në Gjykatën Kushtetuese me shumicën.
Kjo e fundit, në përpjekje për të minimizuar efektin e përplasjes dhe shmangien e ngërçeve, ka ndërmarrë një sërë nismash ligjore që i shkurtojnë kompetencat Presidentit apo e kufizojnë atë në vendimet që merr. Megjithatë, kjo është një zgjidhje e ngushtë dhe i merr shumicës shumë kohë nga ajo që kjo e fundit kërkon për të reformuar, siç thotë apo për të marrë nën kontroll, siç është akuzuar edhe nga presidenti, institucionet e pavarura.
Tradita e konfliktit
Prej miratimit të Kushtetutës më 1998-n dhe deri më sot, përjashto kohë të shkurtra, marrëdhëniet mes Presidencës dhe Qeverisë nuk kanë qenë thuajse asnjëherë të mira, edhe pse jo kaq publikisht të ashpra. Përplasje të ashpra pati mes presidentit Alfred Moisiu dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, mes Moisiut dhe ish-kryeministrit Berisha. E dhunshme deri në cilësime të tipit “horr bulevardi” ishte marrëdhënia e Berishës me Bamir Topin, i cili u zgjodh me shumicë të cilësuar me mbështetje të Berishës dhe vota të “trafikuara” nga PS që nuk e pranoi këtë. Përplasje që kanë sjellë zgjatje të ngërçeve institucionale për emërime që janë parashikuar të kalojnë përmes presidentit dhe shumicës apo qeverisë, si forma që do zbusnin ekzekutivin, por që janë kthyer në konflikte dhe përballje të pafundme publike ku kompromisi nuk është gjetur.
Marrëdhënia e Ramës me Nishanin, që prej fillimit nuk dukej të ishte një përjashtim i këtyre rasteve. Ndërkohë ndryshe nga të tjerat, Moisiu dhe Topi ishin zgjedhur me miratimin e Berishës dhe votat e shumicës së drejtuar prej tij edhe pse me të i patën përplasjet më të ashpra, kjo e fundit mban mbi shpinë edhe dyshimin se presidenti i zgjedhur me shumicë të thjeshtë në kohën kur ishte ministër i Brendshëm i qeverisë së kaluar, është më partiak se të tjerët para tij. Analistë si Mero Baze apo deputetë radikalë të shumicës e quajnë atë një vegël të Berishës dhe opozitës. Nishani, sipas tyre, komandohet prej ish-kryeministrit dhe mbron pak a shumë pushtet që pakica ka ende në dorë përmes të zgjedhurve prej saj si KLD-ja, SHISH dhe një pjesë të gjyqësorit që jo rrallë është sulmuar nga shumica aktuale për vendimet e tij. Dyshime mbi qëndrimin politik të Presidentit shprehu para se të largohej prej Shqipërisë edhe ish-ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. I pyetur se si e vlerësonte presidentin, Arvizu duke mos u marrë konkretisht me këtë të fundit përdori një batutë që u sulmua ashpër prej ish-kryeministrit Berisha. “Varet nga sjellja e tyre që të jenë të pavarur. Por nëse institucionet e pavarura marrin urdhra marshimi nga SHQUP-i apo nga godina e ABA-s, atëherë nuk është mirë”, tha ai. Ky lloj dyshimi i ftoh më tej marrëdhëniet mes dy institucioneve, që pa apo me këtë dyshim, vazhdojnë të funksionojnë si ishuj të ndarë dhe të largët apo si shtete të veçanta në armiqësi edhe pse nëse i referohemi rastit të Guvernatorit, kompromisi nuk duket aq i paarritshëm.