Integriteti dhe korrupsioni

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 21 shkurt 2015

Fatos-Cocoli-320x240Qeveria e sotme duket se e ka seriozisht me luftën ndaj korrupsionit galopant që nuk po dëgjon të frenohet. Vepron ndaj denoncimit të parë në portalin online www.stopkorrupsionit.al, premton se do të jetë pas çdo denoncimi të qytetarëve. Janë nisma të mira, përpara kamerave të televizioneve shkëlqejnë, por menjëherë pas, në realitetin e së përditshmes, u bie kallaji. Madje ngjajnë disi idealiste, në mjedisin tonë ku qytetarët ende i besojnë pak përdorimit të kompjuterit dhe internetit për të zgjidhur hallet e tyre.

Dhe akoma më pak atyre që qëndrojnë pas “kutive” virtuale të portalit, ku shkruhet “polici”, “shëndetësi”, “arsim publik”, “dogana”, “tatime”, etj. Të presësh që qytetari të të ndihmojë për ta zhbiruar korrupsionin është deri diku një qëndrim pasiv. Qeveria jonë duhet të kuptojë se sado portale kundër korrupsionit të krijosh, je në periferi të luftës së vërtetë per ta kufizuar atë. Korrupsioni është si një kuçedër, që sado koka të presësh duke marrë informacion nga denoncime, gjithnjë dalin të tjera edhe më të shumta.

Korrupsioni kufizohet dhe mbahet nën kontroll vetëm me luftën në sistem dhe me goditjen nga rrënjët, aty ku ai lind. Lufta parandaluese është arma më e aftë për të goditur korrupsionin, për t’i rrëmbyer të ardhmen atij! Korrupsioni e ndërton të ardhmen e vet me shumë kujdes dhe durim. Studjon aleatët e tij të natyrshëm, korrupton njerëz që për paranë abuzive mund të bëjnë shumë gjera, frikëson ata që nuk korruptohen, me mesazhin “shih punën tënde e mos llap, se ndryshe do të përfundosh keq”.

Të korruptuarit e gjejnë lehtë njeri-tjetrin, lidhen fort me sho-shoqin, kanë një komunikim për t’u admiruar dhe aleancat-klane të tyre janë tejet të qëndrueshme e punëmbaruar. Të ndodhur përpara murit korrupsion, qeveri të vendeve të ndryshme hartojnë strategji dhe programe të veçanta për luftën kundër tij. Vihet re, jo vetëm në rastin e Shqipërisë, se shumë qeveri tentojnë të anashkalojnë forcën dhe incizivitetin e punës së organeve të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm shteteror të financave publike, në garën për të rrëmbyer sa më shumë pikë publike në strategji e qasje kundër korrupsionit.

Qeveria e sotme është mirë të mos i dorëzohet kësaj ngasjeje. Korrupsioni goditet në zemër të tij, vetëm në rastet kur luftohet gjeneza nga lind, kushtet që e bëjnë të lulëzojë. Pa goditjen në parandalim, pa rritjen maksimale të llogaridhënies dhe transparencës, dy visaret kryesore të integritetit të një institucioni shtetëror, duhet ta harrojme se do të mund të hyjmë në rrënjët e korrupsionit dhe ta mposhtim atë. Megjithë përpjekjet e qeverise se sotme për të denoncuar veprimet korruptive, ndjeshmëria e shqiptarëve se shteti ynë është i krimbur në korrupsion, paperegjegjshmeri e abuzime do të vijojë, përderisa korrupsioni nuk do të luftohet nga rrënjët. Dhe rrënjët duhen gjetur në të gjitha institucionet publike, të cilat duhet të fillojnë katarsisin e vërtetë, pastrimin, nëpërmjet procesit të vetëvlerësimit dhe grilës së integritetit.

Kontrolli i integritetit te çdo institucioni publik është një sfidë e veçantë, por thelbësore. Prej këtej nis lufta më efiçiente dhe e plotë kundër korrupsionit, pse e godet atë në gjenezën, në fillesat e tij. Një program shumë i mirë vetëvlerësimi të integritretit(i quajtur Into-Saint) është zhvilluar nga Gjykata Hollandeze e Auditimit në vitin 2012. Ndonëse ky program ju adresua fillimisht institucioneve të auditimit suprem (ndërmjet të cilave është dhe KLSH-ja jonë), ai vlen për çdo institucion shtetëror. Kontrolli i Lartë i Shtetit u njoh me programin Into-Saint në vitin 2012 dhe vendosi zbatimin e tij.

Periudha deri në fund të vitit 2013 ishte periudhë e njohjes më të thelluar të Programit dhe e vlerave të tij. Gjatë vitit 2014 dhe këtë vit, KLSH po provon vetëvlerësimin e integritetit të vet, me ndihmën e organizatave të shoqërisë civile. Kjo qasje duhet marrë nga qeveria jonë qëndrore, por dhe nga pushteti vendor, shpresojmë ai disi më idealist që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2015.

Me një vendim të veçantë, qeveria e ka në dorë të mundësojë që institucionet më të rëndësishme të Shtetit, nga ministritë deri te drejtori qëndrore, bashki dhe ndërmarrje publike në formën e shoqërive aksionere, ku luhen me dhjetëra miliona euro para të taksapaguesve shqiptarë dhe ku, nga shkeljet e abuzimet, edhe dëmi ekonomik është po ashtu në nivele miliona euro, të njihen dhe në mënyrë të detyruar ta zbatojnë instrumentin e vetëvlerësimit, procesin dhe programin Into-Saint.

Ka dhe “ushtarët” për të mbikqyrur dhe drejtuar procesin. Janë me qindra audituesit e brendshëm, të cilët duhen mësuar dhe trajnuar për të zbatuar Into-Saint në institucionet e tyre. Në luftën kundër korrupsionit janë të përfshira në front të parë institucione të posaçme, si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Prokuroria, Departamenti i Parandalimit të Krimit Ekonomik, Departamenti i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Policia e Shtetit etj. Të gjitha këto institucione duhet ta njohin dhe përvetësojnë teknikën e programit Into-Saint.

Asnjë institucion shtetëror nuk është në gjendje të luftojë me efiçiencë korrupsionin, në rast se me një proces transparent dhe korrekt vetëvleresimi, nuk del me integritet të lartë për vete. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë nga statusi i strukturës gjobëvënëse të disa viteve më parë dhe po përpiqet t’i kthejë në nivelin e duhur të përgjegjshmërisë dhe integritetit institucionet publike që ai kontrollon (praktikisht të gjithë ngrehinën e Shtetit dhe qeverisë).

Mirëpo i vetëm ai nuk mund të arrijë rezultatet që presim të gjithë si qytetarë nga lufta e ndershme kundër korrupsionit, jo nga ajo “luftë” e llafeve të bukura, seminareve, konferencave me banera dhe mesazhe prekëse apo të forta. Nëse shoqëria civile dhe opinioni publik, pse jo dhe mediat, bashkohen me KLSH dhe rrisin kërkesën e llogarisë dhe presionin pozitiv, edhe Kuvendi e qeveria do të mund të kenë ndër duar instrumentin më efiçient kundër korrupsionit, vetëvlerësimin e integritetit, parandalimin, krijimin e ambientit antibiotik ndaj farës së abuzimit dhe përvetësimit, procesin që e rikthen të plotë integritetin në moralin dhe mjedisin tonë publik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi