Baraj: Devijimi i Vjosës ka pasoja të jashtëzakonshme
* Fjala e deputetit të PS-së në seancën parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë
Për më shumë hollësi shih intervistën e deputetit Baraj dhënë TV A1
Dua të sjell një shqetësim, bëhet fjalë për një ngjarje që unë do të thosha që duhet të vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga qeveria shqiptare, nga ky parlament. Bëhet fjalë për devijimin e lumit Vjosa dhe ky nuk është një thashethem, kjo është një e vërtetë se janë institucione dhe subjekte në Greqi të cilët kanë hyrë në marrëdhënie gjyqësore me shtetin grek për të kontestuar devijimin e këtij lumi, i cili ka pasoja të jashtëzakonshme jo vetëm për atë komunitet në Greqi, por veçanërisht për Shqipërinë. Ju e dini, se në Greqi ky lumë ka një gjatësi rreth 70 km, kurse në Shqipëri është pjesa tjetër me një gjatësi diku tek 270 km. Bëhet fjalë për një ndryshim të një ekosistemi që do të sillte pasoja të jashtëzakonshme për pjesën shqiptare. Ndaj unë do ju lutesha edhe pjesës së parlamentit edhe medias, po dhe shtetit shqiptar që të bënte pjesën e duhur në përputhje më me të gjitha ato mundësi që i lejon përafrimi i legjislacionit dhe ratifikimi i kësaj marrëveshje multilaterale. Unë po ju citoj vetëm një hollësi, e cila është parashikuar në konventën përkatëse Espoo, është një qytet në Finlandë, ka që në ’91 kur është bërë dhe njëkohësisht dhe në deklaratën e Rio-s, ndër të tjera në parimin 19, ku thuhet: “Shtetet duhet të sigurojnë në kohë informimin dhe të japin informacionin e duhur tek shtetet që mund të preken nga pikëpamja mjedisore nga një aktivitet apo plan zhvillimi në vendin e tyre, për këtë duhet që të konsultohen në kohën e duhur dhe me një fryme reciproke mirëbesimi”.
Pra kemi të gjithë kuadrin ligjor jo në nivel kombëtar, por ndërkombëtar për ta kontestuar nëse realisht ky vendim, i cili është në gjykatën në Greqi do të adoptohet nga Qeveria Greke. Pala greke pretendon në gjykatë, në gjyqin e parë që është bërë, se është informuar Qeveria Shqiptare dhe bëhet fjalë për disa vendime të marra nga Këshilli Kombëtar i Ujërave që miratoi planin e menaxhimit të lumenjve në qarkun e Epirit dhe nga një sërë ministrish në lidhje me studimin strategjik të ndikimit mjedisor të planit të menaxhimit të lumenjve në basenin e Epirit. Këto dy miratime janë bërë në vitin 2013-të në muajin korrik dhe fillimi i shtatorit dhe sigurisht unë besoj që Ministria e Jashtme në atë kohë nuk ka qenë e informuar, por ne kemi të gjithë të drejtën të veprojmë në përputhje me interesat e vendit dhe të frymës së legjislacionit që garanton këto marrëdhënie dhe siguron zgjidhjen e drejtë të tyre.