Një rritje ekonomike pa zhvillim

Nga Klodian Muço, botuar në Shqip, 20 shkurt 2015

Në epokën e globalizimit mund të ngjajë pak pa sens dhe si nostalgji fakti i përdorimit të instrumenteve të ndërhyrjes publike në ekonomi edhe për një vend si Shqipëria, i cili është një vend kandidat për BE. E them këtë gjë, jo për të kritikuar globalizmin apo për të matur kostot dhe oportunitetet e integrimit në BE, por për faktin se instrumentet e politikës ekonomike që janë në dispozicion të administratës publike kombëtare ridimensionohen shumë në krahasim me periudhat e kaluara. Kjo jo vetëm për arsyen se Shqipëria vuan nga një borxh publik shumë i lartë, që limiton shumë instrumentet e politikës fiskale dhe investimet publike dhe, mbi të gjitha, se bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, limiton ndërhyrjet publike në ekonomi, por edhe për motivin se një vend aspirant për BE si Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën linjë si BE-ja pra borxh publik të limituar deri në masën 60% dhe një politikë monetare të ngjashme me atë të Bankës Qendrore Europiane. Pa harruar këtu edhe faktin që në këto vitet e fundit vërehet edhe një afirmim shumë dominant jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë vendet e zhvilluara se, literatura ekonomike nxjerr në pah dhe “mrekullohet” me kapacitetin që ka tregu për të siguruar eficiencën optimale të burimeve dhe rritjen e prodhimit.

Faktikisht, problematika mbi rolin e tregut dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi është një çështje antike që ka pasionuar dhe pasionon edhe sot. Ekonomistë të ndryshëm kanë folur vazhdimisht për rolin e tregut dhe impaktit të politikave ekonomike në kombe të ndryshme. Shpesh ata kanë arritur në përfundime krejt të ndryshme për sa i përket rolit të tregut dhe impaktit të disa instrumenteve bazë të politikës ekonomike në zhvillimin ekonomik të një vendi. Kjo për faktin se ky argument është i pamundur të analizohet shkencërisht, pasi ekzistojnë shumë pozicione ideologjike të cilat arrijnë në përfundime krejt të ndryshme. Ky fenomen ndodh edhe në momentin kur analizohet situata ekonomike shqiptare në vitet e fundit, shumë analistë arrijnë të formulojnë gjykime të ndryshme, duke kundërshtuar shpeshherë njëri-tjetrin.

Përgjatë tranzicionit ekonomik të vendit policy maker-at shqiptarë kanë hartuar gjithmonë politika neoliberiste. Pra çdo ditë e më tepër, instrumentet e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, po ridimensionoheshin në mënyrë drastike duke e konsideruar tregun si një ekuilibrues perfekt. Po ashtu, edhe pronat shtetërore u reduktuan në mënyrë të vazhdueshme, procesi i privatizimit u konsiderua i pashmangshëm nga të gjitha forcat politike në vend, jo vetëm për arsye ideologjike por edhe si një element i nevojshëm për të përmirësuar menaxhimin e shoqërive, për të pasur likuiditet për premtime elektorale dhe për të shpëtuar ekonominë e mbytur nga borxhi publik i vendit, i cili po rritej çdo herë e më tepër.

Natyrisht zhvillimi ekonomik i vendit përgjatë dekadës së fundit nuk është vetëm rezultat i politikave ekonomike por edhe rezultat i shumë arsyeve të tjera, për këtë motiv analiza në vijim vazhdon të jetë një debat i hapur edhe në ditët e sotme.

Për sa u përket opinioneve mbi politikat ekonomike, sot ka një debat të madh në Europë mes të djathtëve dhe të majtëve për stimulimin ekonomik të ekonomisë së një vendi. E majta thotë PO nevojitet, të djathtët janë krejtësisht kundër, pasi, sipas tyre, stimulimi ekonomik varfëron ekonominë e një vendi.

Shpesh e djathta shqiptare, ndryshe nga ajo europiane në mandatet e fundit, ka përdorur stimulimin ekonomik apo siç quhet ndryshe politika keynesiane, pra ka rritur shpenzimet për investime publike dhe ka rritur pjesërisht rrogat, këto veprime kanë shkaktuar deri diku rritje ekonomike por, nga ana tjetër, ka çuar borxhin publik në nivelet e papërballueshmërisë. Ndryshe nga Keynes, i cili thoshte se për të zhvilluar një vend duhet të rrisim shpenzimet dhe investimet, kështu do stimulojmë konsumin, ekonomistët ortodoksë do të thoshin se, nëse një vend është i varfër, ai duke marrë para borxh, s’do bëhet më i pasur pra zgjidhja për një vend të tillë është: të impenjohet më tepër në luftën ndaj evazionit, korrupsionit, formalizimit dhe orientimit të ekonomisë. Diçka të tillë po përpiqet ta bëjë qeveria e majtë.

Qeveritë e djathta dhe të majta në Shqipëri historikisht kanë marrë edhe financime nga jashtë, për të rritur investimet publike ku, sipas tyre, kjo do të gjeneronte zhvillim dhe rritje konsumi por këto investime nuk gjeneruan të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar investimin dhe nuk e justifikuan koston e tyre. Për këtë arsye, ekonomistët ortodoksë apo neoliberistët thonë se zgjidhja e vetme, janë investimet private, ato janë shumë të rëndësishme për të rritur prodhimin dhe punësimin.

Në realitetin shqiptar, edhe investimet private nuk dhanë rezultatet e pritshme, pasi pati një mungesë të orientimit të investimeve. Mjafton të përmendim faktin se në disa segmente rrugësh gjenden rreth 20 pika karburanti në 15 km rrugë, të cilat po vuajnë nga mungesa e shitjeve. Pra investimi i bërë nuk ka gjeneruar zhvillim mjaftueshëm dhe vende të reja pune pasi ka qenë jo eficient si investim.

Me pak fjalë, në periudhën e marrë në konsideratë nuk kanë munguar politikat ekonomike, as stimuli ekonomik, thjesht ka pasur një mosshpërndarje të drejtë të të ardhurave, një keqorientim të investimeve dhe mbi të gjitha një paaftësi e administratës shtetërore, e në disa raste, nëpunësit e administratës publike kanë qenë më të orientuar nga interesat personale sesa për interesat kolektive, duke stimuluar kështu fenomenin e korrupsionit.

Në të tilla raste, në të ardhmen, për të stimuluar punësimin, konsumin dhe prodhimin të cilat çojnë në një rritje të qëndrueshme në kohë, shteti ka në dorë instrumentet e ndërhyrjes makroekonomike, si dhe instrumentet e ndërhyrjes mikroekonomike për të siguruar funksionimin e tregut, ku në këtë rast, ndërhyrja e shtetit loz rol shumë të rëndësishëm për të arritur në një ekuilibër optimal.

Për të nxitur investimet dhe punësimin nevojitet që sipërmarrësit të mendojnë që në të ardhmen do të ketë një rritje kërkese dhe mbi të gjitha, një orientim të investimeve private. Shteti, me anë të financimeve të BE-së, mund të sigurojë mjaftueshëm fonde për shumë sektorë të ekonomisë, të cilat do të shërbenin për të bashkëfinancuar projekte që nxisin prodhimin vendas dhe që përmirësojnë dhe standardizojnë produktet vendase, të cilat mund të shkojnë si për konsumin e brendshëm, si për eksport.

Po ashtu një rritje e eficiencës: në vjeljen e taksave, në uljen e informalitetit, si dhe në uljen e shpërdorimeve të fondeve publike do të gjeneronte të ardhura mjaftueshëm për të ulur presionin fiskal dhe për të rritur investimet publike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi