Kryeministri Edi Rama në Bruksel: Takime me Juncker dhe Tusk

Rama vizitë në Bruksel, 19 shkurt 2015

Juncker 2Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Bruksel, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Kryeministri pati një takim tejet inkurajues me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker. Presidenti Juncker shprehu keqardhjen për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në jug të vendit dhe ofroi mbështetjen e Komisionit, i cili është duke mobilizuar ndihmën e emergjencës nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.

Në takim u diskutua për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe zhvillimet në rajon. Kryeministri Rama bëri një paraqitje të reformave integruese dhe shtetndërtuese, për të cilat mori vlerësimin dhe mbështetjen e Presidentit të KE.

Presidenti Juncker rikonfirmoi angazhimin e Komisionit në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe siguroi se KE do të vazhdojë të japë mbështetje dhe asistencë në hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në BE. Presidenti Juncker vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.

Fjala e Presidentit të KE, Donald Tusk, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama:

Më lejoni ta filloj duke thënë se zgjerimi mbetet një prioritet i madh për Bashkimin Europian dhe për mua personalisht. Gjithsesi, ashtu sikurse sapo i thashë edhe Kryeministrit Rama, çdo hap i ri përgjatë kësaj rruge do të sjellë përgjegjësi të reja e një punë gjithnjë e më të madhe. Megjithatë, ju, ashtu si edhe unë, e dimë se është shumë më mirë kështu. Shqipëria është tashmë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndaj dhe shpresojmë e presim që ajo të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma. Fokusi duhet të jetë mbi përparësitë e identifikuara dhjetorin e kaluar. Kjo do të vendosë baza të forta dhe do të bëjë të mundur që të ndërmerren hapa të tjera drejt pranimit. Shumë është arritur deri tani, përfshi luftën kundër krimeve të drogës. Gjithësesi, ajo çka pritet dhe është e nevojshme të bëhet është zbatimi në të gjitha fushat. Në takimin tonë, unë i shpreha Kryeministrit Rama vlerësimin për rolin pozitiv që vendi po luan në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i tij për një politikë me zero probleme me fqinjët është konstruktiv dhe shembullor. Më tej, kryesimit i Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore është një tjetër mundësi që Shqipëria të tregojë veten si një shembull tipik të fqinjit të mirë. Po kështu, përfitoj nga ky rast për të lavdëruar Shqipërinë për rreshtimin e saj 100% përkrah politikës së jashtme të BE-së. Kjo ka një rëndësi domethënëse për procesin e zgjerimit, që është edhe më e madhe tani, sidomos duke pasur parasysh situatën në Ukrainë dhe sfida të tjera të përbashkëta. Në fund, folëm për nevojën që dialogu i brendshëm në Shqipëri të rritet dhe përmirësohet. Politika e kundërvënies, bojkotet dhe qëndrimi që “fituesi i merr te gjitha” nuk do t’i ndihmojnë qytetarët shqiptarë. Për t’u bërë një vend modern europian, Shqipërisë i duhet të ndërtojë një dialog politik bazuar mbi kulturën e kompromisit. Një gjë e tillë krijon hapësirën optimale për të realizuar reforma politike të vështira, por shumë të nevojshme. Kjo ka rëndësi të posaçme edhe në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Shqipëria duhet të jetë po aq konstruktive dhe e arsyeshme në politiken e brendshme sa është në rajon. Ju faleminderit shumë!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi