Një iniciativë në shërbim të kapitalit social
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 18 shkurt 2015
Një iniciativë kroate
Mbi 60,000 kroatë me të ardhura të ulëta po përballeshin me vështirësi tepër të mëdha për të paguar faturat e ndryshme. Në kushte të tilla, qeveria kroate nisi një program të veçantë të quajtur “Fillim i Ri”, me të cilin ajo anuloi për njerëzit më të varfër të vendit të gjitha borxhet që ata i detyroheshin shtetit dhe ndërmarrjeve të ndryshme. Kështu, së bashku me një numër bankash, operatorësh telefonikë, të kompanive të energjisë, qeverisjes qendrore dhe qeverisjeve vendore apo firmave të tjera, qeveria kroate ka rënë dakord me të gjitha këto struktura që të falin borxhet për mbi 60,000 kroatët e varfër me një vlerë totale afro gjysmë miliard dollarë (afro 530 milion në total apo afro 9000 dollarë për individ). Aq më tepër që, për këtë kategori, mundësia e deritanishme për larje borxhi ishte tejet e ulët. Prandaj dhe e mori këtë vendim, edhe pse ekonomia kroate është në një recesion të zgjatur me një rënie të prodhimit të përgjithshëm bruto që në fund të vitit 2011. Qëllimi i dukshëm i një mase të tillë është pritshmëria për nxitje të besimit të konsumatorit apo e rritjes së shpenzimeve në tërësi, nga njëra anë, por, ndoshta, në mënyrë të “fshehtë”, edhe rënia e mbështetjes në sondazhe ndaj qeverisë vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, në shkurt 2016, nga ana tjetër. Sidoqoftë, këtë ide falje borxhesh për një kategori tepër të varfër qytetarësh, me sa duket, e mbështeti dhe FMN-ja, në nëntor 2014.
Kosova ndjek shembullin e Kroacisë
Në një nga mbledhjet e fundit, qeveria e Kosovës ka miratuar në një vendim të veçantë themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë e faljes së borxheve për një kategori qytetarësh të varfër, por dhe të personave fizikë e juridikë; konkretisht për “të gjithë borxhet që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit dhe ndaj ndërmarrjeve publike”. Falja e borxheve do të përfshijë të gjithë institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike, por do të trajtohen dhe të gjitha borxhet që kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Janë bërë dhe vlerësimet paraprake për borxhet, që bizneset e qytetarët kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, përfshirë tatimin për pronën, apo borxhet ndaj ndërmarrjeve publike për energjinë, ujin, ngrohjen, etj. Madje, po shqyrtohet dhe mundësia që pas 31 dhjetorit 2008 të falen ndëshkimet apo gjobitjet, por edhe interesi për borxhet që qytetarët e bizneset nuk kanë paguar gjatë kësaj periudhe. Kjo iniciativë u mirëprit nga mjaft ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve raste të tilla kanë ndodhur edhe në shtete të ndryshme, të cilat kanë pasur probleme të theksuar socialë.
Një problem në vete është aty ndërtimi i kritereve dhe përcaktimi i kategorive se cilat mund të përfitojnë nga vendimi i qeverisë. Për më tepër, puna e parë e komisionit është “gjetja e shifrave mbi totalin e borxhit, qoftë si obligime fiskalë apo shërbime të ndryshëm publikë, por së pari duhet të ndërtohen kritere, për faljen e borxheve apo dhe mundësinë për fshirjen e të gjithë borxheve të vjetër”. Sipas specialistëve, borxhet më të mëdha të konsumatorëve kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), asaj të shpërndarjes apo Administratës Tatimore të Kosovës. Kështu, flitet për një borxh për mbi 400 milionë euro të konsumatorëve ndaj KEK (që nga përfundimi i luftës së Kosovës deri në mesin e dhjetorit të vitit 2007). Kurse, borxhi i përgjithshëm që tatimpaguesit kanë ndaj Administratës Tatimore deri në tetor 2008, vlerësohet mbi 241 milionë euro, prej të cilëve rreth 60 milionë euro janë gjobitje e ndëshkime. Borxhi i konsumatorëve ndaj Ngrohtores “Termokos”, deri në dhjetor 2010, ka arritur në 5 milionë e 800 mijë euro. E kështu me radhë.
Po Shqipëria?
Tranzicioni shqiptar ka parë humbje të ndryshme. I tillë ka qenë, p.sh., zhvlerësimi në një kohë të shkurtër i dispozitave bankare të qytetarëve të ndryshëm. Po ashtu, të tilla ishin humbjet e qytetarëve shqiptarë që shitën tokat, shtëpitë, apartamentet dhe pronat e tjera në vlera krejt minimale (qoftë me largimin jashtë vendit, qoftë gjatë shpërnguljeve drejt qendrave kryesore urbane). Sidomos, tepër vrastare ishin humbjet me afro 2 miliardë dollarë, me rënien e skemave piramidale, të zhvilluara në sytë e shtetit dhe me “bekimin” e tij. Tepër të ulëta, larg vlerës së një tregu normal, kanë qenë dhe pagesat për shpronësime të ndryshme, sidomos në fillimet e tranzicionit, për vepra publike etj. Edhe strukturimi social gjatë kësaj periudhe ka qenë i padrejtë, deri dhe me “ndryshim shenje”, duke rritur jo vetëm abuzimin, por edhe numrin e individëve të margjinalizuar, në skemat e asistencës, në shtresimin e varfër, etj. Aq më keq, që në jo pak raste, ai strukturim u mbështet tek puna e individit, por pati veshje abuzive e korruptive, deri mafioze. Nga një shpërndarje krejtësisht e pabarabartë u rrit në vite dhe numri i familjeve dhe individëve që, jo vetëm në fillim, nuk arrinin, por që nuk arrijnë dot as sot, të shlyenin dhe të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit apo ndërmarrjeve të ndryshme. Dhe, për më tepër, që një evolucion i tillë, me përmbajtje qartësisht negative, nuk mund të zhbëhet më. Por, diçka mund të riparohet!…
Megjithatë, në momente të ndryshëm, shteti, duke e ndier goditjen e vazhdueshme ndaj kohezionit social, duke i analizuar këto padrejtësi, diku edhe për arsye elektorale, ka ndërhyrë dhe ka vepruar, edhe pse në mënyrë minimale, në funksion të zbutjes së varfërisë, të rindërtimit të kapitalit social dhe qetësisë shoqërore. Aty-këtu ka pasur dhe ndërhyrje apo disa falje pjesore. Disa nga këto veprime apo propozime të pjesshme (diku dhe të përkohshme apo për arsye elektorale) në 3-4 vitet e fundit janë radhitur më poshtë:
– Disa lehtësira në import të fasonëve apo për doganën e makinave (pas hyrjes në fuqi të ligjit, hiqej taksa doganore, ndërkohë që përgjysmohej ajo për makinat e futura deri në fund të vitit 2010).
– Amnistia fiskale sipas ligjit të dt. 21.4 2011 (të shtyrë deri në vitin 2013) që përfshiu falje gjobash e detyrimesh të prapambetur, duke krijuar një mundësi për rivlerësim asetesh. Pra, me ligjin përkatës synohej një “legalizim i kapitalit dhe falje e një pjese të borxhit tatimor e doganor” (Aty, faleshin të gjithë detyrimet tatimorë të papaguar të individëve deri më 31 dhjetor 2010; apo detyrimet tatimorë të papaguar të tatimpaguesve, personave juridikë apo persona fizikë, me veçoritë dhe periudhat përkatëse. Sipas kësaj amnistie, qytetarët mund të legalizonin kapitalin, paratë e tyre kundrejt një tarife prej 3%; pronat për 1% të vlerës; po ashtu, biznesi i vogël i paregjistruar mund të regjistrohej duke paguar një tarifë prej 3%; kompanive u krijohej mundësi që të përfshinin në bilancin e tyre pasuritë e tyre kundrejt një tarife 6%; faleshin gjobat dhe kamatëvonesat dhe detyrimet e prapambetur apo faturat e energjisë elektrike nga debitorët familjarë (mbi 270 mijë familje shqiptare). Në rastin e fundit, pjesa e borxhit në një shumë prej 38 miliardë lekë u përkiste konsumatorëve familjarë dhe pothuajse 98% e tyre shtresave në nevojë – familje në ndihmë ekonomike, pensionistë pa burime të tjerë të ardhurash, përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë etj.).
– Një propozim i Bankës së Shqipërisë me të cilin synohej një ristrukturim i portofolit të kredive, ngaqë kreditë e këqija arritën në vlerën afro 24% të totalit të portofolit të kredisë, në fillim të vitit 2013 (Bëhej fjalë për rreth 300 milionë euro kredi të këqija në afro 1 miliard euro kredi të standardizuara me probleme; që duhet të fshiheshin nga regjistri i kredive të pakthyera, ngaqë nuk kishte më shpresë që bankat t’i vilnin ato. Kushti i vetëm i bankave të nivelit të dytë ishte çlirimi i këtyre fondeve nga tatimi, por organet tatimore nuk po e pranonin këtë fakt).
– Një nismë ligjore, me të cilën faleshin gjobat ndaj biznesit dhe sipërmarrjes të vendosura si pjesë e detyrimit tatimor nga administrata tatimore e mëparshme ndaj tatimpaguesve, të kontabilizuar në mënyrë abuzive në regjistrat tatimorë, në periudhën 1 mars-31 gusht 2013 (Brenda tetorit 2013, administratat tatimore, qendrore e vendore, duhet të fshinin dënimet administrativë të falur, të lidhur me masën e tatimit dhe kamatëvonesat, por dhe të bënin pasqyrimet konkretë të fshirjes në regjistrat e tyre).
– Shlyerja e pagesave të sigurimeve shoqërore pa kamatë, deri në 31 dhjetor 2014. Konkretisht, do të faleshin aty kamatëvonesat dhe gjobat për 290 mijë të vetëpunësuar në fshat për vitet që ata nuk kanë paguar sigurimet shoqërore (d.m.th., ata mund të paguajnë pa kamatë, me kosto shumë të ulët, të gjitha vitet e pensionit të pasiguruar). Madje, kjo lloj amnistie u konsiderua si e fundit para hyrjes në fuqi, më 1 janar 2015, të reformës së pensioneve.
– Propozimi për falje kamatëvonesash të faturave të energjisë (Gjatë debatit për projektbuxhetin 2015, deputeti P. Majko kërkoi faljen e kamatëvonesave të energjisë për personat nën mbrojtje sociale, gjë që nuk u trajtua me seriozitetin e duhur).
– Lehtësimi nga bankat, me ndërhyrjen e qeverisë, për të dëmtuarit nga përmbytjet.
– Rinjohja, sipas deklarimit publik të Kryeministrit, e detyrimit ndaj 53 900 konsumatorëve, në masën e 41.8 miliardë lekëve (Ky borxh ndaj qytetarëve është krijuar nga operatori privat CEZ. Shpërndarje në periudhën 2010-2011, i cili vepronte në mënyrë arbitrare duke faturuar shuma të pamatura. Madje, që në vitin 2010, ERE shpalli të paligjshme faturimet me emërtimin “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”).
-Nisja e studimit mbi një trajtim të veçantë për njerëzit e zonave të prekura nga përmbytjet lidhur me borxhet ndaj OSHEE-së.
Por a mjafton kaq?
Në fakt, iniciativa e fundit e qeverisë kroate dhe angazhimi i qeverisë së Kosovës duhet të na fusin në mendime serioze, pse jo dhe të na nxisin për një vendimmarrje urgjente legjislative e ekzekutive në të njëjtin drejtim. Në mënyrë të veçantë për të mos ecur në vijë të kithët me të parën! Sepse, jo patjetër metodat represive janë të suksesshme, sidomos kur nuk shoqërohen me masa të arsyeshme sociale. Prandaj, nuk flitet kot për “shkop e karotë”! Aq më tepër për politikë inteligjente apo të mençur (“smart”)!…
Dhe kjo duhet të kihet parasysh. Por, jo sepse së shpejti do të jemi në prag të zgjedhjeve vendore, apo pse po ndjehet një pakënaqësi në rritje; mbi të gjitha, rindërtimi i kohezionit social po bëhet një domosdoshmëri e dukshme e shoqërisë shqiptare, që ende vazhdon të shfaqë një depresion shqetësues. Aq më problematike është dhe gjendja e sotme pas përmbytjeve të fundit, që e ka deziluzionuar akoma më shumë qytetarin, sidomos në raport me politikën dhe “lojën” e saj të papëlqyeshme me fatkeqësinë. Për këtë duhet menduar, kjo duhet ndryshuar, për këtë të hartohet dhe baza ligjore. Dhe për këtë mund të analizohet dhe shfrytëzohet vendimmarrja e fundit kroate, rruga e saj ligjore, eksperienca e saj konkrete.