Një funksion i ri abuzues për partitë
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 17 shkurt 2015
Në teorinë politike njihen të paktën gjashtë funksione bazë të partive politike në demokraci. Të gjitha kanë të bëjnë me formimin dhe përfaqësimin politik. Në ligjin shqiptar mbi partitë politike këto të fundit specifikisht ndalohen të kryejnë çdo aktivitet tjetër përveç funksionit politik dhe përfaqësues.
Kushtetuta e Shqipërisë detyron partitë të veprojnë në mënyrë demokratike dhe të bëjnë publike në çdo rast burimet e tyre të financimit. Këto janë parimet e kornizës kushtetuese, ligjore dhe teorike të partive politike. Jashtë tyre ka përjashtime, në varësi nga vendi dhe tradita, nga standardet e demokracisë dhe problematikat e sistemit politik. Shqipëria është një shembull unikal edhe në këtë drejtim.
Gjatë dy javëve të fundit publiku pa dhjetëra raste kur partitë politike, selitë e tyre, deputetët dhe drejtuesit e strukturës partiake, u angazhuan në aktivitete të ndryshme nga funksionet klasike të partive: mblodhën ndihma, organizuan lëvizje të bazës materiale dhe shpërndanë ushqime, veshje, materiale teknike dhe deri edhe bazë ushqimore për kafshët në disa zona të vendit.
Ky nuk është zhvillim i ri, por pjesë e një mentaliteti, i cili në emër të humanizmit dhe solidaritetit, në fakt fsheh një sëmundje tjetër të madhe të sistemit partiak shqiptar, – funksionimin paralel me shtetin dhe klientelizmin në kërkim të mbështetjes elektorale. E bëjnë çdo festë, çdo fundviti, çdo rast të vëmendjes mediatike e publike. Sa herë ndodh një ngjarje tragjike ato janë aty “duke ndihmuar”, pa harruar të kenë me vete gjithnjë media të shumta, kamera televizive dhe aparatë fotografikë. Sa herë publikohet ndonjë rast fatkeq varfërie ata nxitojnë të jenë aty, si humanitarë, duke sjellë ndonjë paketë ndihmash me vete, dhe duke këshilluar shtetin, doktorët dhe çdo zyrtar tjetër të përfshirë sesi të sillet.
Për publikun në nevojë aktivitete të tilla partiake nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Nëse dikush sjell ndihma është i mirëpritur dhe ndaj nevoja i bën ata të mos i kushtojnë vëmendje aspekteve të tjera të ndihmës, përdorimit dhe keqpërdorimit politik që iu bëhet ngjarjeve, njerëzve dhe viktimave të tyre. Le të ilustrojmë rastin e fundit të ndihmave humanitare. Pyetjet që mbeten pa përgjigje janë të shumta: ku dhe kush i furnizon partitë politike? Kush paguan për ndihmat e tyre të shumta ekonomike?
A regjistrohen ndihmat dhe a janë pjesë e sistemit të verifikueshëm tatimor? Cili organ kontrollon cilësinë e tyre, skadencën apo dobinë e tyre publike për qytetarët në nevojë? A janë ato pjesë e nevojës që kanë qytetarët apo është ofertë e supozuar nga dhuruesit? Dhe mbi të gjitha, – fushatat për ndihma dhe mbledhja e tyre ka një kosto të lartë financiare, – sa është ajo akt human dhurate, përse dhurata nuk u shkon qytetarëve por partive, a është ajo pjesë e një marrëveshjeje (para)elektorale, si pjesë e paketës së ndihmës që sot ose nesër në pushtet shndërrohet në privilegj përmes sjelljes klienteliste me buxhetin shtetëror?
A nuk krijon pikëpyetje fakti se vetë politikanët kurrë ose rrallë dhurojnë diçka nga vetja e tyre, familja e tyre, rroga e tyre, ndërkohë që menaxhojnë paratë dhe dhuratat e të tjerëve, në emër personal dhe pa treguar asnjëherë burimin e tyre të vërtetë.
Element tjetër i lidhur me këtë fenomen është mënyra e veprimit të partive, paralel dhe jashtë strukturës shtetërore. Në çdo rast ndihme, në çdo vend demokratik, çdo subjekt, privat apo publik, mbledh ose jep ndihma duke i depozituar ato pranë shtabit koordinator shtetëror. Vetëm një strukturë shtetërore mund të përcaktojë ku janë nevojat më të mëdha dhe se ku duhet të dërgohen ndihmat, cilat ndihma nevojiten dhe sesi mund të përballohet gjendja e emergjencës.
Tek ne vijohet ndryshe, – secili mbledh dhe shpërndan për llogari të vet, duke refuzuar strukturën shtetërore, duke vendosur vetë se ku do shkojnë ndihmat, cila familjeve u jepen, cilat produkte ndihmash mblidhen, etj. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me partitë e opozitës (kritike ndaj qeverisë dhe strukturave shtetërore) por edhe nga partitë në vetë koalicion qeveritar, të cilat përmes këtij akti duan të përfitojnë vëmendje më të madhe, dhe indirekt, të krijojnë një sistem klientele me parimin, sot të jap ndihma, nesër të kërkoj votën si shpërblim.
Ndaj shohim deputetë e politikanë që vrapojnë në zona të zgjedhura prej tyre, shpesh larg zonave prioritare të ndërhyrjes në fatkeqësi, dhe një sistem dhuratash selektiv, bazuar në të dhënat partiake që vijnë nga seksionet, paralel me shtetin, strukturën shtetërore dhe listat prioritare qytetare.
Së fundi, fenomeni i shndërrimit të partive politike në gjithçka, përfshirë edhe në subjekte dhuruese, donatore apo financiare, mbetet jo vetëm antiligjor dhe antikushtetues, por edhe zhvendos funksionin kryesor të partive, – detyrën e tyre të paraqesin alternativa zhvillimi dhe të ndihmojnë në formësimin e kulturës politike.
Duke vepruar si modele klienteliste ato duan të orientojnë shoqërinë drejt këtij modeli. Duke treguar shpërfillje ndaj ligjit ato ndikojnë në krijimin e një sistemi partiak me mbipushtet, arrogant dhe përcaktues në çdo zhvillim e fenomen shoqëror. Duke përfituar nga çdo dramë e ngjarje ato imponojnë sjelljen e tyre politike, i trajtojnë mediat e qytetarët si mekanizma formalë në fushatën propagandistike dhe dobësojnë shtetin, respektin dhe besimin ndaj tij. Duke u imponuar në çdo rast ato jo vetëm dobësojnë shtetin, por edhe mbajnë në këmbë tezën se ne ekzistojmë jo për shkak të shtetit, por për shkak të partive, se partitë janë shpëtimi dhe sidomos parti si këto, bashkim midis politikës, klientelës, biznesit dhe fiktivitetit informativ.
Këto e të tjera argumente mbeten dëshmi e një sistemi klientelist politik që ushqen dhe imponon një sistem partiak, i cili ka pak lidhje me qytetarin, me humanizmin, me aftësinë e ndryshimit dhe me veprimin brenda kuadrit ligjor e kushtetues. Sjellje të tilla janë tipike për modelet Al Kapone apo fondacionet piramidale, të cilat, në aktivitetin e tyre abuzues dhe denigrues ndaj çdo vlere demokratike, vishnin hera herës kostumin e humanizmit, bamirësit, solidaritetit me njerëzit në nevojë dhe shpëtimtarit në raste fatkeqe.
Ato kanë sukses derisa sistemi ku veprojnë reagon me integritet, moral, përgjegjshmëri dhe referim ligjor; derisa shqiptarët të mos vijojnë të shikojnë tek partitë klienteliste të tyre Zeusin shpëtimtar. Dikur na thuhej se udhëheqësi e partia mendonin vetëm për popullin, gjithçka e bënin për popullin. Sot na thuhet se ata mendojnë për qytetarin, vetëm për qytetarin. Zhgënjimi tragjik herën e parë dhe ai që vijon prej vitesh janë mjaftueshëm për të kuptuar se modele të tilla kanë sukses vetëm në shoqëri në krizë, në varfëri, në harresë, në pamundësi reagimi, në nënshtrim propagandistik, në varësi ekstreme nga humori politik, – tipare që fatkeqësisht i kemi pasur dhe vijojmë ti kemi me shumicë.
Afrim Krasniqi