Projektligji i ri për lojrat e fatit do të disiplinojë industrinë e kumarit

Shtetiweb, 16 shkurt 2015

winner-casino-coupon-code1Qeveria ka miratuar një projektligj të ri për lojrat e fatit, i cili ndryshon rrënjësisht mënyrën se si rregullohet industria e kumarit në vend. Qeveria thotë se përmes ligjit të ri do të disiplinojë industrinë e kumarit, reduktojë përhapjen e këtij fenomeni dhe do të mbrojë më shumë qytetarët.

Drafti shtrëngon kriteret e liçencimit, por edhe rrit fort taksat për të gjitha llojet e aktiviteteve të bixhozit. Të gjitha pikat e kazinove elektronike nëpër qytete do të hiqen. Kushtet e reja për këtë lloj aktiviteti duket se do të ngushtojnë dukshëm mundësinë e atyre që do arrijnë të marrin një licencë, të cilët do të ketë të drejtën e vetëm një salle. Projektligji i miratuar nga qeveria tashmë ka mbërritur në Kuvend për t’u diskutuar në komisionet parlamentare.

Në projektligjin e ri “Për lojërat e fatit” përcaktohen edhe kriteret e reja për kazinotë, ku për herë të parë futet pjesa e lokalizimit vetëm në resorte dhe hotele me pesë yje, në zona me rëndësi kombëtare, kjo e fundit e lidhur ngushtë me turizmin. Kazinotë do të zhvendosen vetëm në zonat turistike dhe nuk do të lejohen më në qendrat e banuara, ndërsa sallat e basteve sportive do të jenë me numër të reduktuar.

Me ligjin aktual sallat e kazinove elektronike mund të hapeshin me kushtin që të kishin jo më pak se 10 makina dhe i licencuari nuk kishte kufizim për numrin. Me projektligjin e ri nuk ka më term të kazinosë elektronike në ndarjen e kategorive të lojërave të fatit. Ka vetëm kazino dhe kushdo që përfiton licencë për këtë kategori, do të duhet të paguajë 10 milionë dollarë dhe mund të hapë vetëm një sallë. Po kështu, vendoset kufizim edhe për numrin e makinave ku nuk duhet të jenë më pak sesa 20 të tilla.

“Organizatori për kazinotë duhet të njoftojë AMLF-në, 10 ditë përpara, për çdo makinë shtesë që vendos në pikë/sallë. Në çdo rast, organizatori për kazino nuk mund të vendosë më pak se 20 makina në secilën sallë. Salla duhet të ketë një sipërfaqe të tillë që secilit automat t’i takojë një sipërfaqe prej 5 m²” thuhet në projektligjin e ri. Kategoria tjetër që sjell projektligji i ri është ajo e kazinove në resorte dhe hotele me pesë yje.

Për bastet sportive, numri total i sallave do të reduktohet në 500 dhe nuk do të lejohet të ndërtohen në distancë më të vogël se 200 metra nga njëra-tjetra. Po kështu, shoqëritë që ushtrojnë këtë aktivitet, ndryshe nga më parë nuk do të kenë më liçençë me afat të pakufizuar, por me afat 10-vjeçar dhe për ta marrë atë do të paguajnë 200 milionë lekë. Për bingon kombëtare, afati do të jetë po dhjetëvjeçar, ndërsa tarifa për të marrë liçencën është vendosur 40 milionë lekë, ndërsa për kazinotë dhe llotaritë kombëtare tarifa e liçencimit varion nga 40 milionë deri 1 miliardë lekë.

Projektligji i ri “Për lojërat e fatit” vendos kushte të reja edhe distancën që duhet të kenë pikat e lojërave të fatit nga institucionet e kultit dhe ato të arsimit, si të mesëm edhe të lartë. Nëse më herët distanca ishte 50 metra në vijë ajrore, tashmë kjo është rritur duke shkuar në 200 metra. Ajo që është e ndryshme nga ligji aktual, lidhet me mundësinë e afërsisë me degët e institucioneve bankarë. Projektligji i ri nuk vendos asnjë lloj kufizimi për pjesën e afërsisë.

Sot mund të luajnë në lojëra fati të gjithë ata që kanë mbushur 18 vjeç dhe po kështu edhe mund të punojnë në këto ambiente nëse plotësojnë këtë kusht që lidhet me moshën. Me projektligjin e ri është rritur mosha e atyre që mund të marrin pjesë si lojtarë në lojërat e fatit. “Hyrja në kazino dhe pjesëmarrja në lojë do të lejohen vetëm për personat mbi 21 vjeç, të cilët janë të detyruar të identifikohen me dokument identifikimi”, thuhet në projektligjin e ri. Organizatori duhet të kërkojë për çdo rast dokumentin e identifikimit në mënyrë që të sigurohet që në lojë të mos futen persona që nuk kanë mbushur moshën e përcaktuar me ligj.

Një tjetër specifikë që vjen me projektligjin e ri “Për lojërat e fatit” lidhet me mënyrën se si do të bëhet taksimi. Nëse aktualisht është në përqindje të xhiros bruto, por jo më pak se disa vlera dysheme për secilën kategori loje, me projektligjin e ri taksimi bëhet në bazë të të ardhurave. Pra çdo subjekt i licencuar sipas kategorisë ku ka fituar licencën do të taksohet në përqindje të të ardhurave dhe me disa kufizime që lidhen me vlerën minimale që duhet të shkojë si tatim. Kjo në njëfarë mënyre shtron përpara sfidën e mënyrës si do të kontrollohen të ardhurat e kompanive nën monitorimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

S’ka më baste në internet, kushtet për pikat Bastet sportive do të kenë ndryshim të rregullave. Nëse aktualisht mund të vendosen baste online në pika apo kompani që operojnë në internet dhe jashtë territorit të Shqipërisë, kjo tashmë nuk mund të bëhet. Kompania duhet të ketë përfituar licencë në Shqipëri ose t’i ketë dhënë të drejtën një kompanie vendëse që ta përfaqësojë duke mundësuar kështu paraqitjen fizikisht në pikë nga ana e lojtarit për të vënë bast. Lidhur me bastet online të kompanive shqiptare, projektligji përcakton kushtet teknike që duhet të ketë secila. “Për bastet që zhvillohen online, i gjithë sistemi duhet të operojë mbi një server të dedikuar, të autorizuar për administrimin e basteve, të certifikuar, të miratuar dhe të monitorueshëm online nga AMLF-ja nëpërmjet kredencialeve përkatëse të Autoritetit. Serveri në fjalë duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nivelit të lartë të sigurisë, të sistemeve mbrojtëse, kundrejt 21 ndërhyrjeve të rrezikshme nga elemente të rrezikshme për dëmtimin e të dhënave dhe daljen jashtë pune të këtyre serverëve”, thuhet në projektligj.

Megjithatë, ndryshimi më i fortë që sjell ligji i ri është ai i skemës së taksimit. Aktualisht taksat mbi kumarin janë fikse mbi numrin e sallave, nipteve apo makinave elektronike, në varësi të llojit të aktivitetit. Me ligjin e ri, taksimi do të jetë në përqindje mbi xhiron që realizojnë. Përkatësisht, bizneset e të gjitha llojeve të bixhozit do të paguajnë si taksa në shtet 25 për qind të të ardhurave bruto që ato realizojnë. Parlalelisht mbi këtë taksë, organizatorët e lojrave të fatit do të paguajnë edhe një tarifë prej 3 për qind mbi të ardhurat për llogari të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave, MF dhe 0.2 për qind në Ministrinë e Sporteve.

 

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi