Lufta e ndyrë
Nga Besnik Aliaj, botuar në Mapo Online, 14 shkurt 2015
Ky vend po rrëshqet “butë” drejt asaj që quhet “dirty war”. Doni ta kuptoni më mirë? Mjaft të shikoni tensionin kudo. Në parlament, në rrugë, në punë, në media, në shoqëri. Dhe s’e kam thjesht për krizën ekonomike dhe të besimit që na ka marrë frymën…Është e dhimbshme te konstatosh se si të gjithë bëjnë sehir kur “deshët” inatçorë përplasin “brirët” çdo ditë me njëri-tjetrin, ndërsa një i tretë fërkon duart…
Ky vend po rrëshqet butë por frikshëm drejt “dirty war”! Ah, e kuptova…Po mendoni se jam demoralizuar? Trembur? Depresuar? Ok, …po nëse nuk ju mjafton terrori i bombave si Italia e viteve ‘70-‘80, atëherë po jua shpjegoj. Nuk besoj se ka më naivë të mos kuptojë se ç’ndodh. As gënjeshtrat në mediat e kontrolluara nuk pijnë më ujë. As zgjedhjet demokratike vendore në horizont! Ne zgjodhëm rrugën më të gabuar të mundshme sepse jemi irracionalë. Nuk besojmë tek idetë, pozitiviteti, konstruktiviteti, tryezat, negociata, ndarja e pushtetit. Ne fjalën e fundit e themi në fillim! Sa e kemi pushtetin, ne e duam të gjithin vetë. Asnjë thërrime për të tjerët. Kur nuk e kemi, bëjmë moral…
Pra ky vend po shkon me nje butësi cinike drejt një konflikti si ‘97-a. Madje më keq akoma! Nuk ju mjafton edhe kjo provë? Ok, në qafë paçi veten, sepse nëse s’e keni kuptuar akoma, atëherë po ju them se ne jemi tashmë në luftë dhe ajo është vërtet “dirty -e ndyrë”. Sepse nuk është më ballë për ballë. Është kurvërisht skuthe dhe joburrërore. Madje ajo nuk bazohet në asnjë ideologji, vlerë, parim, mirësi apo besim. Pra mund të më thotë dikush se kush përfiton kur dy palë zihen? Kush është i treti fatlum? Është ai djall apo engjëll? Jua them unë! Nuk do të jetë as forca e tretë politike jooo! Kjo sepse sistemi politik zyrtar postkomunist po shembet i gjithi me rrapëllime njësoj si “Muri i Berlinit”. Pra, pas Komunizmit të 1990-s, më 2006-n bashkë me “Lehman Brothers” ra edhe Kapitalizmi antihuman dhe i korruptuar i korporatave dhe mediave të kontrolluara. Ky kolaps e nxori klasën politike “formale” zbuluar e lakuriq me përkëdhelitë e papërgjegjshmëritë e saj skandaloze. Çuditërisht, ata kujtojnë se janë “zota” njësoj si liderët komunistë dikur.
Njerëzit s’kanë bukë të hanë. Pra “fshati digjet, kurva krihet”, – thonë njerëzit e thjeshtë e të përvuajtur! Por ky kolaps moral ekonomik dhe politik është edhe më agresiv se ai në ‘91-n. Sepse tashmë nuk ka më shpresë dhe optimizëm. Nuk ka më referencë lokale dhe globale. Kjo rënie do ia lërë vendin kaosit total dhe ekstremeve ideologjike e religjiozet e panjohura nga ne më parë. Do të jetë një kataklizmë e vërtetë, nëse…në horizont nuk dalin njerëz të rinj, të ditur, të papërlyer e me kurajë e filozofi të re shpresëdhënëses e konstruktive, që vërtet e duan këtë vend dhe shoqërinë përtej interesit të karriges së pushtetit dhe grupeve ekonomike që dominojnë.
Po a ekzistojnë këta njerëz më? Vështirë ta them edhe pse dua shumë t’ju jap ende shpresë. Ndaj kujdes, të paktën mos u bëni pjesë e “dirty war” me gjuhë nepërkash, tritol, shantazh, Molotov, frikë, gozhda, kërcënime, gjoba, kontrolle, mashtrim…Sepse së shpejti ky mut mund t’ju bjerë vetë në kokë. Sepse ndërkohë i treti që ju fola më lart (me drapër-çekan, kryq të thyer, thasë droge apo libër të shenjtë, qoftë në dorë) e që fërkon duart djallëzisht, do të përfitojë që të shkojë në majë dhe të na sundojë me ligësi …
Zoti ju mbrojttë!