Varfëria, edhe si pasojë e degradimit të politikës

Nga Mentor Kikia, botuar Balkanweb, 12 shkurt 2015

mentorkikiaMe shkas nga një reflektim i deputetit dhe publicistit Ben Blushi, lidhur me shpërfaqjen me gjithë përmasat e saj të varfërisë nga fatkeqësia e fundit natyrore që goditi disa rajone në jug-perëndim të vendit, doja ta shikonim këtë problem përtej fotografimit realist të situatës. Padyshim që nuk ishte e nevojshme një përmbytje për të parë gjendjen e mjeruar të banorëve të zonave fushore të Fierit dhe Vlorës. Sikurse nuk është e nevojshme të shikojmë një më një shtëpitë e banorëve të zonave kodrinore që janë edhe më keq se ata të fushës, për të mos shkuar hiç në zonat malore, në Veri, në Shqipërinë e Mesme e në Jug. Në fakt, nuk dua t’i kundërvihem Blushit si bashkëfajtor për shkak se është pjesë e asaj skuadre politike që ka pasur dhe ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për këtë realitet. Dua të përdor fotografimin realist të Blushit për varfërinë, për t’u bërë pjesë jo vetëm e atyre që synojnë adresimin e përgjegjësve, por edhe atyre që sugjerojnë ndonjë zgjidhje.

Në rastin tonë, varfëria duket si “pasuri” e trashëgueshme. Që do të thotë se derisa ne kemi qenë një shoqëri që ishim të fundit nën perandorinë osmane, mbetëm të tillë, pra të fundit, edhe nën qeverisjen e mbretit Zog, edhe nën qeverisjen e komunizmit dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Sado kemi ndërtuar pallate e rrugë të reja, kemi blerë makina dhe jahte, disa syresh, jemi sërish një nga popujt me të varfër të Europës. Të jesh i varfër nuk është gjenetike, por të mos dish të ndërtosh shtet dhe të vetëqeverisesh, edhe mund të jetë. Në mos gjenetike, diçka më shumë se mungesa e traditës dhe kulturës, po.
OKB ka përcaktuar disa standarde të ardhurash për të përcaktuar nivelin e jetesës, sikundër përcakton edhe shkaktarët e kësaj gjendjeje, po nuk dua të merremi me matematikë këtu. Dua të them se nëse ka njerëz që i kanë bërë dëme më shumë këtij vendi në këtë çerek shekulli të fundit, kanë qenë politikanët. Ishin ata që këshilluan dhe toleruan zhbërjen e komunizmit, jo vetëm si formë qeverisjeje dhe ideologjie, por edhe të ekonomisë. Dhe këtu nuk kam parasysh ekonominë si model, por si e mirë materiale. Pra, nëse ishim të varfër në komunizëm, u bëmë edhe më të varfër në fillimet e tranzicionit pasi shkatërruam nga fabrikat, plantacionet e drurëve frutorë, kanalet vaditëse dhe kulluese, argjinaturat, pyjet, lumenjtë e ç’mundëm tjetër. Komunizmin ne e zëvendësuam me kaosin, mbi themelet e të cilit ngritëm një regjim babëzie, të cilit sot gabimisht i themi demokraci.
Po, duhet ta pranojmë se, nëse shqiptarët nuk do të kishin çarë me kokë ferrat e kufirit grek dhe me gjoks detin drejt Italisë, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë do të kishte ndodhur këtu. Por nuk është e tepërt të themi se do të kishim parë edhe vdekjen nga uria. Nëse sot shikojmë nëpër fusha e qytete shtëpi të reja, dyqane apo makina, ato janë produkti punës së emigrantëve, të cilët në moshën 45-vjeçare duken sikur janë 75-vjeçarë. Asnjë qeveri nuk ka asnjë meritë në këtë drejtim. Përkundrazi, qeveritë janë përgjegjëse që lejuan që ato para gjaku të investoheshin kuturu, duke ndërtuar fushave, kodrave, luginave të lumenjve, përgjatë bregdetit, pa ditur dhe pa pyetur për pasojat që shkaktonin. Pra, nëse ky popull do të kish pasur politikanë, të paktën gjysmë të përgjegjshëm, do të kishte kursyer shumë nga shkatërrimi i këtij vendi përmes kësaj mënyre ndërtimi.
Padyshim që një qeveri s’mund të nxjerrë shpejt nga balta e të ngrejë në këmbë një shoqëri, prej shekujsh të mjeruar jo vetëm ekonomikisht, por edhe mendërisht. Por klasa politike në një çerek shekulli nuk diti të hedhë së paku themelet e një ekonomie të qëndrueshme dhe mbi të gjitha, të një demokracie reale.
Mund të thonë se kjo punë nuk ka lidhje shumë me demokracinë, pasi ka edhe vende autoritare ku shoqëritë janë shumë më të pasura. Por në Shqipëri kjo është katërcipërisht e lidhur. Sepse klasa politike nuk ndërtoi as demokracinë reale, as ekonominë e tregut të lirë, por disa hibride të tyre që në themel kanë vetëm korrupsionin.
Fshati e bazon jetesën në një bujqësi primitive, ku sundon ende puna e krahut. Sipërmarrja private u zotërua shumë shpejt nga klientelizmi politik dhe kriminal dhe ku shumë shpejt paraja e pistë, krimi dhe politika u përzjenë dhe prodhuan demokracinë që kemi sot. Kjo lloj politike, nga legjislatura në legjislaturë, filloi të degradonte. Ndërsa injoranca dhe cilësia e arsimimit të shoqërisë filloi të merrte përmasa të frikshme, politika filloi të binte në duar tregtarësh, batakçinjsh dhe kriminelësh, të cilët spostuan më të diturit. Kjo kastë njerëzish e shndërroi politikën dhe demokracinë në mall, duke i bërë një dëm edhe më të madh shoqërisë. Ajo bëri ligjet për të vjedhur dhe për të ligjëruar marrjen apo mbajtjen e pushtetit me çfarëdo mënyre.
Sot, populli i thjeshtë, ai që ka votën si mundësi për t’i dhënë shkelmin një qeverie të korruptuar, është vetëm një spektator, ndërsa në ringun politik ndeshen grupet e interesit që quhen parti. Sot shqiptarët nuk janë vetëm të varfër, por më shumë se kaq, të pafuqishëm të zgjedhin një pushtet që t’i përfaqësojë ata dhe interesat e tyre. Ata e shesin votën sa kostoja ditore e një menyje modeste për të ushqyer familjen. Ata e hedhin votën kuturu, sepse janë të bindur se të gjithë njësoj, hajdutë janë.
Ndërsa kamerat u futën nëpër shtëpitë e fshatarëve në zonat e përmbytura, ne pamë mjerimin që ishte ulur këmbëkryq në ato shtëpi. Por ne duhet të dimë se ata njerëz kurrë nuk janë qeverisur nga një qeveri normale. Ata mbjellin tokën me farëra që nuk prodhojnë kurrë atë që thotë etiketa. Ata blejnë plehra e pesticide të skaduara, sepse importuesi i madh i këtyre artikujve është sponsor i fushatave elektorale në të dyja krahët. Ata prodhojnë qumësht dhe s’kanë ku ta shesin, prodhojnë perime dhe s’kanë treg, prodhojnë fruta e sërish s’kanë ku t’i shesin.
Ata kanë pasur në krye drejtues komunash e bashkish, që veç të tillë nuk kanë qenë, por ca batakçinj që kanë shndërruar në prona të tyre fshatrat e qytetet. Ata kanë votuar për deputetë që as i njohin as e dinë kush janë, sepse kështu e kan ndërtuar politika sistemin. Shkurt, këta njerëzit e varfër që përshkruan shumë bukur edhe artistikisht Blushi, as janë qeverisur, as janë përfaqësuar. Ndërsa për shumë prej tyre tashmë është vrarë edhe e fundmit gjë që thuhet se vdes, që është shpresa. Përkundër këtij realiteti, kasta politika vazhdon të pasurohet në kurriz banorëve të këtij çifligu që quhet Shqipëri. Ndaj ndryshimi i kësaj situate nuk fillon me kompensimin e deleve të ngordhura, por me krijimin e një sistemi politik, ku populli të zgjedhë realisht atë që do ta qeverisë, si në bashki, ashtu edhe në qeverinë qendrore.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi