Si do ta reformojmë drejtësinë
Intervistë me Kryetarin e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi F. Xhafaj, botuar në Java, 11 shkurt 2015
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi shpalos të gjithë projektin e reformimit të sistemit të drejtësisë, duke folur për partneritetin me profesionistët, ekspertët e ndërkombëtarët. “Do të jenë këta ekspertë që do të na sugjerojnë hapat konkrete të reformës në drejtësi”, thotë Xhafaj
Tashmë komisioni ad-hoc për reformën në drejtësi ka kryer disa mbledhje. Cila është perspektiva e afërt e punës së tij ?
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi u krijuar më 27 nëntor 2014 dhe mbledhjen e tij të parë e mbajti në datë 22 dhjetor. Nisur nga fakti që të gjithë aktorët institucionalë, politikë dhe profesionistët e fushës, por dhe partnerët tanë ndërkombëtare, e identifikuan si forumin më të përshtatshëm dhe gjithëpërfshirës, Kuvendi i Shqipërisë me ngritjen e këtij komisioni të posacëm parlamentar, shprehu vullnetin për përballimin e kësaj sfide.
Edhe pse ende i paplotësuar me përfaqësuesit e opozitës, Komisioni i Posacëm Parlamentar ka bërë disa hapa të rëndësishëm, mes të cilëve do të doja të vecoja, ngritjen e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë. Ky grup ekspertësh, përbëhet nga përfaqësuesit e institucioneve më përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, si Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Universiteti i Tiranës, Ministria e Drejtësisë, Fondacioni Soros dhe misionet ndërkombëtare si Euralius i BE, Opdat i Departamentit të Drejtësisë së ShBA, USAID dhe prezenca e OSBE në Tiranë.
Do të jetë pikërisht ky grup ekspertësh, që me asistencën e sekretariatit teknik të Komisionit të Posacëm do të bëjë të mundur materializimin e produktit final, që është reforma në drejtësi. Falë punës së këtyre ekspertëve, mbi bazën e një materiali analitik të Ministrisë së Drejtësisë mbi gjëndjen aktuale të sistemit, shumë shpejt Komisioni i Posacëm do të ketë në dispozicion një tablo të plotë, të gjithëanshme dhe të detajuar të fotografimit objektiv të gjendjes ku ndodhet sot sistemi i drejtësisë, të metave të tij, anëve pozitive dhe nevojës për ndryshim. Mbi bazën e kësaj analize profesionale, në vijim të punës së Komisionit do të hartohet dhe dërgohet për miratim në Kuvend një Dokument Strategjik, në të cilin do të parashikohen objektivat që do të synohen të përmbushen me kryerjen e kësaj reforme. Ky dokument që do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shpresoj me mbështetjen e të gjithë aktorëve të politikës, do të shërbejë më pas si shtysë për përmbushjen e objektivit kryesor të veprimtarisë së Komisionit, që është hartimi i legjislacionit të nevojshëm për kryerjen e ndryshimeve sistemike.
Duket se ka ende paqartësi rreth përmasave, objektivave konkretë dhe modifikimeve që do të sjellë reforma në drejtësi. A mund t’i përmblidhni shkurtimisht ato ?
Më shumë se paqartësi, unë do të thoja që ne ndeshemi me një pritshmëri të madhe nga ana e të gjithë opinionit publik. Një pritshmëri e tillë përkthehet me një repertor të konsiderueshëm të cështjeve, për të cilat qytetarët kanë nevojë që të prekim ndryshime, sic është performanca e prokurorisë, cilësia e dhënies së drejtësisë, përsosja e arsimit juridik, eficenca e strukturave të sistemit gjyqësor etj. Nisur nga ky konstatim, unë mund t’ ju pohoj se të gjitha këto cështje janë paraparë të gjejnë një adresim nga ana e këtij Komisionit të Posacëm Parlamentar.
Në rast se unë do të nisja këtu të rendisja se cfarë amendimesh nga ana e këtij Komisioni të Posacëm, besoj do të më mirekuptoni që sdo të bëja gjë tjetër vecse do të paragjykoja punën që do të kryhet nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë. Do të jenë këta ekspertë, që do të marrin përsipër të na parashtrojnë ne anëtarëve të këtij Komisioni përmasat dhe ndërhyrjet e nevojshme që duhen kryer për të patur një reformë të vërtetë në sistemin e drejtësisë. Unë si kryetar i komisionit, sigurisht që mund të rendis objektivat, që ky komision ka. Kryesori i objektivave është ecja përpara, dalja nga kjo kënetë ku sistemi i drejtësisë po placitet dhe lëngon prej vitesh. Lufta kundër korrupsionit dhe vlerësimi i profesionistëve brenda radhëve të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë, rritja e eficensës së gjyqësorit, krijimi i hapësirave të nevojshme për rritjen e nivelit të arsimit të lartë juridik, krijimi i mekanizmave për vetpastrimin e sistemit nga të korruptuarit dhe të paaftit, por dhe inkurajimi, mbështetja e promovimi për profesionistët me integritet brenda sistemit etj janë disa nga objektivat që ky Komision duhet të përmbushë. Rruga që duhet ndjekur për të arritur këto objektiva sigurisht që u takon ekspertëve ta skicojnë.
Nga dimensionet dhe niveli i angazhimit institucional, duket se reforma të cilën ju drejtoni, do të jetë një ndërmarrje komplekse, me shumë aktorë. Si e keni planifikuar konkretisht organizimin e punës në komision dhe marrëdhënien e tij me të tretët ?
Reforma në sistemin e drejtësisë, është sfida e sfidave që kjo maxhorancë ka përballë, por më shumë se kaq është vet sfida që përballet e për të cilën duhet të reagoj edhe më fort gjithë shoqëria shqiptare. Është sfidë ndaj besimit që na kanë dhënë votuesit shqiptar, po aq sa është një indikator i seriozitetit të institucioneve shqiptare për të përmbushur një prej objektivave madhorë, që vendi ka në rrugën e procesve integruese.
Komisioni i Posacëm Parlamentar përfaqëson një instrument parlamentar të parashikuar në Kushtetutë dhe rregulloren e funksionimit të Kuvendit. Si i tillë, ai ka në përbërjen e tij një numër prej 11 deputetësh, 6 nga partitë parlamentare të shumicës dhe 5 nga partitë parlamentare të opozitës. Sikundër thashë dhe më lart, pranë këtij Komisioni është ngritur dhe funksionon tashmë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, i përbërë nga 20 ekspertë, ndër më të mirët vendas dhe ndërkombëtarë. Grupi i ekspertëve është ndarë brenda tij në disa nëngrupe, puna e të cilëve do të fokusohet në fusha të tilla si reforma kushtetuese dhe ligji i Gjykatës Kushtetuese, gjyqësori, drejtësia penale, arsimi juridik dhe Shkolla e Magjistraturës, profesionet e lira dhe një nëngrup shumë i rëndësishëm do të jetë ai i masave antikorrupsion. Pranë cdo nëngrupi të ekspertëve do të funksionojë struktura përkatëse e sekretariatit teknik, që do të përbëhet nga specialistët e shërbimeve juridike të Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve të sistemit të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtare, por ajo cka është e rëndësishme për t’ u nënvizuar edhe nga profesionistë, të cilët shprehin dëshirën për të kontribuar dhe qënë pjesë në përballimin e kësaj sfide. Tashmë ne kemi publikuar një thirrje publike, ku ftojmë cdo të interesuar për të qenë pjesë e këtij sekretariati për të dërguar kërkesën pranë komisionit të posacëm, që me shumë kujdes do të përzgjedhë më të mirët në radhët e tyre. Bashkërendimin e punës së këtyre dy strukturave, grupit të ekspertëve të nivelit të lartë dhe sekretariatit teknik unë e shoh si një kusht thelbësor për arritjen e reformës. Duke qënë se kjo maxhorancë ka vullnetin politik që reformën në sistemin e drejtësisë ta shkuajnë ekspertët dhe jo politika, do të jenë ekspertët dhe anëtarët e sekretariatit teknik, personat që falë formimit, përvojës, dijeve profesionale dhe përkushtimit do të materializojnë këtë reformë në projektligje apo projektamendamente kushtetuese.
Ndërkohë, tashmë ne kemi kërkuar dhe krijuar në bashkëpunim me struktura institucionale vendase dhe ndërkombëtare, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit një netëork profesionistësh, numri i të cilëve deri më tani është afër një shifre prej 1000 personash të përfshirë. Cdo produkt i punës së këtij komisioni do t’u shpërndahet në kohë reale të gjithë këtij networku profesionistësh të sistemit të drejtësisë, të cilëve do t’u jepet mundësia të gjykojnë mbi punën e bërë nga grupi i ekspertëve pranë komisionit si dhe të ofrojnë cdo kontribut të mundshëm të tyrin, për përmirësimin e dokumentave dhe vet projekt akteve që do të shtrohen për diskutim.
Cilat janë afatet që keni parashikuar për përfundimin e reformës ?
Në vendimin përkatës të Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posacëm Parlamentar është parashikuar një kohëzgjatje prej 6 muajsh për veprimtarinë e këtij Komisioni. Por kjo reformë, duke qenë se ndryshe nga reforma e ndarjes territoriale, në përfundim nuk do të materializohet vetëm në një ligj, porse do të mund të ketë nevojë dhe për ndërhyrje në Kushtetutë dhe në disa ligje organike, mund të kërkojë më shumë kohë që të realizohet. Ne as do të ngutemi, por as nuk kemi ndërmend të shpërdorojmë kohë dhe besimin që na kanë dhënë qytetarët. Do të bëjmë hapat e duhur, duke marrë kohën e duhur, me qëllimin e vetëm, realizimin e një reforme të plotë, profesionale dhe që do t’i rezistojë kohës.
Është debatuar shumë për momente të tilla si formatimi i KLD, Byroja e Hetimit etj. Cilat janë sfidat më të mëdha që ngërthen kjo reformë ?
Byroja e Hetimit më lejoni t’ ju kujtoj që është një strukturë e policisë gjyqësore, ngritja e të cilës tashmë është në proces besoj, përsa kohë ligji për Policinë e Shtetit, është miratuar dhe ka hyrë në fuqi. Pra si strukturë ashtu siç është konceptuar e shprehur në këtë ligj, nuk është se ka ndonjë lidhje të drejtëpërdrejtë me reformën si të tillë në sistemin e drejtësisë.
Reformimi i KLD, po aq sa reformimi i prokurorisë apo Gjykatës së Lartë, si institucione kushtetuese, do të përbëjnë pa dyshim sfidat më kryesorë, brënda sfidës së madhe që është vetë realizimi i reformës. Ne duhet përfundimisht të lëmë pas qasjet koorporatiste të funksionimit të KLD. Në rast se hapja e këtij Këshilli kah eksperiencave më të mira evropiane, qoftë përsa i takon përbërjes, mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve, shtrirjes së kompetencave, etj do të kërkonte ndryshime kushtetuese, unë shpreh besimin që Komisioni i Posacëm Parlamentar do ti mbështeste pa hezitim. Në të njëjtën linjë mendimi, reformimi i prokurorisë shqiptare është një nevojë urgjente. Kemi aktualisht një sistem të funksionimit të prokurorisë, që vështirë ta gjesh në ndonjë vend tjetër. Sot prokuroria nuk është as pjesë e ekzekutivit, as pjesë e gjyqësorit. Ka ardhur koha të mos vijojmë eksperimentin e një modeli, që në vlerësimin tim ka dështuar. Prokuroria ka nevojë për zhdërvjelltësim, profesionalizëm dhe decentralizim dhe kryesorja për llogaridhënie e përgjegjshmëri. Po t’u ofrojmë këto elementë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre prokurorëve, nesër do të kemi të drejtë t’ i kërkojmë dhe llogari, po aq sa të kërkojmë vënien para përgjegjësisë së të korruptuarve apo të paaftëve. Gjykata e Lartë po ashtu, ka nevojë për një rikonceptim. 17 vjet pas miratimit të Kushtetutës, mbase ka ardhur koha për të riparë edhe qasjen kushtetuese karshi këtij institucioni, gjithmonë duke mbajtur parasysh rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm që kjo strukturë ka dhe do të vijojë të ketë brenda sistemit të drejtësisë.
Opozita vijon të jetë skeptike për përfshirjen në tryezën tuaj. A mos po përvijohet një eksperiencë e ngjashme me reformën administrative, që u krye pa praninë e pakicës në komisionin parlamentar përkatës ?
Kam frikë se këtë pyetje duhet tia bëni eksponentëve politikë të opozitës. Unë vetëm mund t’ ju garantoj se në cilësinë e kryetarit të komisionit, për sa është në përgjegjësin e rolit dhe funksionit të ngarkuar, do të bëj çdo gjë të mundur që t’u siguroj kolegëve opozitarë që të kenë të gjitha mundësitë për të ofruar kontributin e tyre në realizimin e kësaj reforme. Vetëm duhet të mbajmë dicka mirë parasysh, përfshirja e opozitës në komisionin e posacëm parlamentar nuk është një parakusht për suksesin e punës së tij. Për asnjë cast nuk e kam parë të tillë. Pasi unë nuk besoj në fasada, besoj në përmbajtje. Dhe në përmbajtjen e punës së këtij komisioni, jam plotësisht i bindur që ne po ecim në shtratin e një procesi bashkëpunues, gjithëpërfshirës dhe të orientuar kah gjetjes së zgjidhjeve të gjithëpranuara. Por dua të nënvizoj se ndonjëherë konsensusi dhe unanimiteti, që sot opozita po kërkon me çdo kusht të bëjë pjesë të funksionimit të këtij komisioni, nuk janë elementë garantues për një produkt cilësor. Eksperiencat shqiptare dhe ndërkombëtare e tregojnë këtë. Mos shkojmë shumë larg, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, qenë më shumë se konsensuale dhe shikojini se cfare prodhuan, një sistem drejtësise, ku janë prishur balancat kushtetuese, ku funksionarë politikë, po shiten si të pavarur në kryesimin e këtij sistemi.
Gjatë procesit të draftimit, mund të dalë e nevojshme të përgatiten amendamente që parashohin prekjen e Kushtetutës. Si do të veprohet në këtë pikë, duke e ditur se kjo kërkon një maxhorancë në Kuvend, që shumica e sotme nuk e zotëron ?
Unë nuk gjykoj se numrat duhet të kushtëzojnë kryerjen e një reforme. Në rast se do të nevojiten ndryshime kushtetuese, dhe unë besoj se do të nevojiten të tilla, shpresoj që paketa legjislative që ekspertët vendas dhe ndërkombëtare do të propozojnë do të vendosin në provë të gjithë klasën politike në këtë vend, si opozitën ashtu edhe vet maxhorancën. Në rast se ne duam dhe kemi vullnet për të ndryshuar gjëndjen e paprecedentë ku ndodhet sot sistemi i drejtësisë, kemi shansin për të parë përtej përkatësisë politike dhe për të mbështetur cdo iniciativë që mban vulën e ekspertëve të fushës. Në rast se duam të ruajmë status quo, mund të fshihemi pas numrave. Në fund të fundit, politika është arti i të mundshmes, dhe unë dua të besoj te kjo aksiomë.