Qytetet, koha për projekte ambicioze
Nga Mario Tashi, botuar në Dita, 11 shkurt 2015
Territori i Shqipërisë ka njohur një proçes të shpejtë urbanizimi. Numri i popullsisë që jeton në qytete është rritur, e në të njëjtën kohë këto janë zgjeruar duke zënë gjithnjë e më shumë territore të reja që i rrethojnë. Fenomeni, në masë të gjerë, i migrimit drejt qyteteve ka çuar në një rritje të numrit të popullsisë urbane. Densiteti i popullsisë po modelon dhe morfologjinë e qyteteve, duke përcaktuar një urbanistikë vertikale. Rritja e densitetit të hapësirës së ndërtuar të qendrave urbane si dhe përhapja e tipologjisë së një ‘habitat individual’ në zonat periurbane duke i transformuar këto në disa raste në zona urbane, ka bërë të mundur një ekspansion të shpejtë të qyteteve shqiptare. Logjika e migrimit urban është e lidhur ngushtë me oportunitetin ekonomik që ofrohet. Por, përveç kësaj, eksodi rural në vendin tonë është rrjedhojë edhe i nivelit të dobët të shërbimeve, ku në disa raste mungojnë krejtësisht.
Proçesi i ekspansionit fizik të qendrave urbane, i shpejtë dhe i çorganizuar, ka çuar në një zvogëlim të hapësirave të gjelbra, një konsumim të tokave e zhvillimin e një infrastrukture inefiçente. Në territorin shqiptar peizazhi bujqësor po dobësohet dhe ai urban, kryesisht në zonat periferike, nuk merr formë. Janë vënë re, gjithashtu, hapësira të shumta të përbëra nga fragmente zonash të ndërtuara e nga toka bujqësore të ‘kontaminuara’ rregullisht nga ndërtesa që nuk kanë lidhje me aktivitetet bujqësore. Një proçes ky, i nxitur më parë falë edhe mundësisë së realizimit të çfarëdo-lloj ndërtimi pa leje paraprake. Ky ekspansion urban i pa kontrolluar, duke përfshirë në disa raste edhe ngulimet e reja me densitet të vogël, pengon një zhvillim territorial të qëndrueshëm dhe dëmton rëndë ekosistemin. Shërbimet publike janë të kushtueshme, shfrytëzimi i burimeve natyrore është intensiv si dhe rrjeti i transportit publik i vështirë për t’u garantuar.
Qytetet kryejnë një rol të rëndësishëm si motor i ekonomisë, i kulturës, si qendra argëtimi, si nyje lidhëse e shërbimi për zonat përreth. Por zhvillimet dhe struktura aktuale e tyre në vendin tonë nuk mbështet më së miri këto funksione. Rritja dhe zhvillimi i qyteteve nuk ka sjellë, në radhë të parë, një përmirësim të ambientit urban. Ajo është shoqëruar nga një rritje e ndotjes atmosferike, asaj akustike, zvogëlimin e parqeve si dhe të hapësirave të lira publike. Ndërtimet e shumta, përveç mungesës së ndonjë rregulli estetik, në shumë raste kanë okupuar hapësira sportive, lulishte, kanë ngushtuar rrugë, duke krijuar rrezik dhe inefiçencë në kontekstin urban. Qytetet mbeten baza e zhvillimit të kulturës duke kondensuar energji fizike, intelektuale dhe kreative. Qytetërime të botës antike e njohën rëndësinë e organizimit të hapësirave të qytetit. Sheshet, shëtitoret, teatrot, strukturat sportive e zbavitëse për çdo kategori moshash inkurajuan dhe u bënë platformë për demokracinë. Ambienti urban mbetet gjithmonë reflektim i gjendjes sociale. Organizimi dhe morfologjia e tij në të ardhmen do të vendosin dhe kualitetin e jetesës së banorëve të vet.
Sot, në vendin tonë, është koha që projekte ambicioze të ndiqen për zhvillimin e qyteteve, të cilat të mos synojnë zgjerimin pa kriter të tyre e të mos jenë thjesht vendime vetëm për të sotmen. Zhvillimi me kualitet i qyteteve, duke synuar në radhë të parë rigjenerimin e pjesëve të caktuara të tyre, duhet të bazohet e të nxiti mënyra jetese më ‘virtuoze’. Duhet të fillojmë të konsumojmë sa më pak burime natyrore të pa rinovueshme. Të limitojmë prodhimin e mbetjeve, të riciklojmë e të përpunojmë një pjesë sa më të madhe të tyre. Të gjelbërojmë ambientin urban e të luftojmë ndotjet. Të vëmë në ruajtje peizazhin bujqësor e atë natyral. Të promovojmë kohezionin social duke mbajtur traditat e kulturën shqiptare.