Sa reale është reforma e administratës publike

Nga Teuta Nunaj, botuar në Mapo, 1 gusht 2017

Reforma e Administratës Publike që prej fillimit të saj më 1999 vijon të mbetet prioritet i të gjitha qeverive shqiptare. Të gjitha e kanë filluar nga e para sa herë janë ulur në fronin e pushtetit. Këtë gjë po përpiqet të na paraqesë që do të kryejë edhe qeveria Rama 2, sikur të ishte në qeverisje për herë të parë. Por kjo nuk është aspak profesionale, e drejtë dhe e ndershme. Modeli i ndjesës që po zbatohet nuk funksionon, nëse nuk shoqërohet me analizë për shkaqet e mosrealizimit të Reformës së Administratës Publike (RAP) deri më sot. Alibia e pamundësisë mbetet e papranueshme, sepse nëse ka vullnet politik, çdo gjë është e mundshme për t’u kryer.

Korrupsioni, mungesa e nëpunësve civilë profesionistë, nepotizmi dhe politizimi janë katër faktorët kryesorë që reforma ecën me hapa të ngadalshëm dhe nevoja për realizimin e saj tashmë është bërë refren dhe përsëritet e përsëritet prej vitesh, pas çdo progres-raporti të Komisionit Europian.

Po pse është kaq e rëndësishme realizimi i RAP? Disa nga arsyet më themelore janë: (i) Administrata publike është institucioni punëdhënës më i madh me Shqipëri. Në fund të vitit 2016 numërohen mbi 80,000 punonjës publikë, prej të cilëve mbi 20 mijë janë nëpunës civilë; (ii) administrata publike është institucioni i vetëm zbatues i politikave publike që ndërmerr qeveria në sektorin publik për të realizuar qëllimet e veta; (iii) administrata publike është pika e vetme lidhëse mes qytetarëve/bizneseve dhe shtetit; (iv) administrata publike qëndron në themel të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të zbatimit të ligjit në interes të publikut; (v) administrata publike, si pjesë themelore e sektorit publik është një nga dy partnerët strategjikë së bashku me biznesin privat për zhvillimin ekonomik të një vendi.

Përgjithësisht studiuesit brenda dhe jashtë vendit konstatojnë mangësi në raportime për faktorët që çojnë një politikë publike të dështojë. Kjo gjë penalizon eliminimin e gabimeve, duke dhënë mundësinë që ato të përsëriten. Njëkohësisht, po të analizosh raportet e institucioneve që drejtojnë RAP (Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike, si dhe Departamenti i Administratës Publike) mbërrihet në përfundimin se raportet e tyre janë thjesht përshkruese, teknike, treguese, por jo analizuese. Kjo gjë i bën ato pak të dobishme për çuarjen përpara të reformës dhe përmirësimin e mëtejshëm të situatës.

Ndër veprimet e para që këto institucioneve duhet të ndërmarrin në kuadër të reformës është kryerja e një analize të thellë shkencore shkak-pasojë për mosrealizimin e deritanishëm të RAP. Kjo do të ndihmonte: në kuptimin e problemeve; arsyet që kanë çuar në krijimin e tyre; dhënien e mundësisë për ofrimin e alternativave për zgjidhjen e problemeve; dhe zvogëlimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen.

Zbatimi i ligjit dhe i politikave publike; rekrutimi dhe zhvillimi i sistemit të karrierës me meritokraci; matja nga eprori direk i performancës së nëpunësve civilë me profesionalizëm dhe pa subjektivizëm; ulja e nivelit të burokracisë në administratën publike; rritja e performancës së institucioneve publike; përkimi i nivelit të arsimit të nëpunësit civil me vendin e tij të punës; zvogëlimi i ndryshimeve të shpeshta të stafit të nëpunësve civilë, kryesisht me ndërrimin e qeverive; efektiviteti i përdorimit të burimeve financiare; respektimi i të drejtave të njeriut etj., janë të tjerë tregues që ndikojnë drejtpërdrejt në dështimin apo suksesin e një reforme të rëndësishme siç është RAP.

Nëse këto analiza nuk do të realizohen sërish dhe standardet nuk do të respektohen, Reforma e Administratës Publike do të vijojë të jetë larg realitetit dhe do të mbetet në kuadrin e një tentative e nxitur nga BE, me dëshirën e mirë për t’u konkretizuar, por e pasuksesshme. Ndaj do të vazhdohet të përsëritet ende si një kriter i paplotësuar për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi