Blushi: Të varfrit kanë kuptuar pafuqinë tonë për t’i shpëtuar nga varfëria.
Nga Ben Blushi, botuar në Panorama Online, 9 shkurt 2015
Përmbytja e ditëve të fundit ishte një projektor i ngritur mbi një gërmadhe. Prej shumë vitesh nuk kisha parë Shqipëri më të mjerë, më të varfër, më të pashpresë dhe më depresive.
Burra të deformuar nga varfëria dhe pija e zgjatur e dëshpërimit, gra të egërsuara që i sulen një pakoje me biskota, kafshë të ngordhura që kanë dhënë shpirt nga braktisja, fëmijë të dobët, që shumë shpejt do bëhen si prindërit e tyre, shtëpi të shkatërruara nga mungesa e kujdesit, dashuria njerëzore për strehën, nga higjiena dhe kushtet minimale të jetesës, peizazhe të copëtuara nga kafshimi brutal dhe i pangopur mbi natyrën, në përgjithësi një rrënim që nuk ka shkak vetëm përmbytjen, por që përmbytja i nxori në diell për të na e sjellë para syve.
Nuk duhet të jem i vetmi që e ka pyetur veten: ku jetojnë këta njerëz? Në cilin shtet? A jetojnë ata si ne? A kanë më ëndrra, iluzione, shpresë dhe fuqi për ta përmirësuar jetën e tyre? A besojnë ata se Shqipëria mund të ndryshojë? A kanë më besim te mirësia, te ligji dhe te shteti? A u flasin fëmijëve të tyre për një jetë më të mirë apo ky frymëzim është zhdukur nga komunikimi familjar që në kushte mjerimi reduktohet në bli bukën, mbush ujin, ushqe bagëtitë, rrëmbe një tullë, gjej ca skrap, mbyll dritën, natën e mirë.
Me sa duket.
Fjalori i kufizuar i varfërisë është edhe më i vrazhdë dhe shumë më mizor se kaq, sepse ka shume dhunë, shumë hakmarrje, shumë mllef dhe shumë pabesi.
Dyshoj se varfëria është një sëmundje, që nuk po e mundim dot. Dhe jo vetëm kaq. Ajo po shtohet duke zaptuar çdo ditë më shumë toka, çdo javë më shumë shtëpi, çdo muaj më shumë fshatra dhe qytete, çdo vit më shumë trupa dhe çdo dekadë më shumë shpirtra.
Të varfrit janë dorëzuar. Siç u pa edhe nga përmbytja, ata nuk luftuan. Sepse, përveç jetës së tyre, nuk kanë çfarë shpëtojnë tjetër. Kanë shumë pak për të mbrojtur. Prandaj delet dhe lopët u asfiksuan nga uji, shtëpitë u mbushën me llum deri në majë, prandaj tokat do mbeten edhe shumë kohë liqene të kalbur kufomash. Përmbytja dëshmoi se njerëzit nuk luftuan për ta shmangur dhe aq më pak për ta mundur. Sidomos të varfrit, që janë më të prekurit, iu dorëzuan pa kushte përmbytjes.
Por përmbytja është një ditë. Varfëria është një jetë. Përmbytja të vret. Varfëria të torturon. Përmbytja të mbyt. Varfëria të merr frymën. Do ishte një fabul ngjethëse kjo e të varfërve, që luten të ketë përmbytje me shpresën që shteti të kthejë sytë nga varfëria e tyre. Natyrisht kjo nuk ka ndodhur, përmbytja nuk është yshtur, askush nuk është lutur të mbytet, por kjo nuk do të thotë se të varfrit nuk kanë kuptuar se edhe përmbytja e yshtur nuk i nxjerr nga varfëria. Nga vetmia.
Të varfrit kanë kuptuar pafuqinë tonë për t’i shpëtuar nga varfëria. Kanë provuar meskinitetin, cinizmin, burokracinë e pashpirt, armiqësinë e administratës, sterilitetin e shoqërisë, vjedhjen e pasurive të përbashkëta, padrejtësinë, pasigurinë, injorancën, frikën, ftohjen, thatësirën, shterpësinë e tokave, pamundësinë dhe paaftësinë e shtetit për t’i nxjerrë nga balta e mjerimit. Ata kanë ardhur duke u bërë më të varfër çdo ditë në njëzet vitet e fundit. Dhe nuk kanë më shpresë. Nuk kanë më arsye të kenë shpresë dhe në këtë pikë janë të mirëkuptuar.
Të varfrit nuk besojnë më te reformat, nuk presin asgjë nga zgjedhjet, nga liria e fjalës, nga rotacionet dhe lëmimet e demokracisë, sepse ata jetojnë në një rend tjetër, për të cilin këto avancime të mendimit njerëzor janë të panevojshme. Rëndesa e demokracisë së mbushur me burokraci për ta ka një peshë tjetër. Shumë relative. Ata jetojnë në rendin e mjerimit, që është një rend pa institucione. Prandaj kërkojnë vetëm ndihma dhe jo të drejta, siç u pa edhe ditët e fundit. Sepse të drejtën për të qenë i varfër nuk ta mohon asnjë rend.
Në shkëmbim pranojnë të jenë dekor. Gjatë zgjedhjeve dhe gjatë përmbytjeve. E japin veten si figurantë për një copë bukë, për pak miell, për një shishe vaj, për këpucë, për sapun, për furça, për rrecka, për patate, për kanoçe, për lëvere dhe foragjere. Kjo nuk është turp, por është zgjuarsia e varfërisë që merr një herë në vit atë që i takon çdo ditë.
Të varfrit e dinë se varfëria e tyre nuk shndërrohet. Ajo vetëm trashëgohet. Dhe trashëgimi pa kushte i varfërisë është kapitullimi më i madh i njeriut. Ai e zhvesh njeriun nga nevoja për të luftuar dhe për t’u revoltuar. Mjerimi ka egërsi, por nuk ka besim.
Nëse fëmija beson se nuk ia vlen të mësosh, nuk ia vlen të ndërtosh, nuk ia vlen të ndryshosh, sepse do jesh njëlloj i varfër si gjyshi dhe si babai, atëherë varfëria ka fituar mbi çdo përpjekje. Ajo ka mundur gjenin dhe ambicien. Ajo është kthyer në rend. Në një rend njerëzor.
Sado të duket e ekzagjeruar, besoj se shumë familje shqiptare jetojnë në këtë stad besimi dhe dorëzimi. Ata janë pajtuar me varfërinë.
Para zgjedhjeve të fundit, dikush prej nesh thoshte se varfëria është aleati më i madh i qeverive, pasi ajo mund të blihet lirë për t’u kthyer në vota, siç edhe ka ndodhur. Nëse kjo është e vërtetë, ky është fundi i moralit, siç janë zgjedhjet ngushëllimi i fundit moral. Por, nëse kjo ka qenë e vërtetë, atëherë mbetet e vërtetë, sepse të varfrit përgjatë një viti e gjysmë, nga zgjedhjet, nuk janë më pak. Ndoshta nuk janë më shumë, por janë njëlloj të pashpresë. Ose janë edhe më të pashpresë.
Gjatë kësaj kohe, ata kuptuan se ndërhyrjet morale, ligjore apo administrative, nuk e zbutën varfërinë, nuk i ulën taksat për të varfrit, nuk hapën më shumë punë, nuk zvogëluan borxhin, nuk e rritën ekonominë, nuk u kthyen në investime funksionale por vetëm estetike, nuk i lehtësuan çmimet e mallrave që shet shteti, nuk i rritën subvencionet, nuk i shtuan pensionet, nuk e përmirësuan skemën e asistencës sociale, nuk e ndëshkuan korrupsionin dhe prandaj, nëse reforma ka pasur, kjo nuk ka asnjë rëndësi për ta, sepse jeta e tyre e përditshme nuk ka pasur asnjë ndryshim.
Në të kundërt, nëse reformat nuk i kanë prekur, masat ia kanë bërë jetën edhe më të vështirë. Masat i kanë hequr të vetmen liri që garanton rendi i mjerimit: lirinë për të abuzuar pak, çka ata besojnë se duhet të jetë legjitime, në një sistem ku të pasurit abuzojnë shumë. Të varfrit kanë shqisën për të kuptuar se dallimi mes reformave dhe masave është si ndryshimi mes kazmës dhe lopatës. Kazma e hap një gropë, kurse lopata e mbyll dhe e bën të mbjellshme.
Shkurtimi i numrit të përfituesve të asistencës sociale nuk është reformë, është masë. Moratoriumi i ndërtimeve nuk është reformë. Është masë. Regjimi i hekurt i pagesës së energjisë nuk është reformë. Është masë. Rritja e çmimit të energjisë nuk është reformë. Është masë që i cenon. Ndëshkimi i drejtë i kalimit të semaforit nuk është reformë. Është masë. Prandaj të varfrit sot nuk besojnë te reformat, sepse masat i janë servirur si reforma. Dhe ndihen të kërcënuar nga reformat dhe të dhunuar nga masat. Ata e dinë se kështu do vazhdojë dhe mundohen t’i ikin ndëshkimit të masave, me dyshimin torturues se masat bëhen për varfrit, ndërsa reformat, nëse bëhen, bëhen për të pasurit.
Me këtë nuk dua të them se reforma nuk ka pasur, sepse e di se kjo fjali ka shumë piper dhe prandaj djeg më shumë. Por për ngushëllimin e pjesshëm të atyre që i djeg, dua të them se nëse reforma ka pasur, ato janë horizontale dhe jo vertikale. Ato nuk prekin të varfrit. Ato nuk kanë gravitet. Sepse një reformë e paplotë është formë. Që më shumë keqkuptohet sesa kuptohet. Dhe të varfrit kanë inteligjencën për ta kuptuar. Ata na njohin me mirë se ç’i njohim.
Ata na shohin përditë, ndërsa ne i shohim kur ka zgjedhje dhe përmbytje. Kur ka masa, jemi në televizor. Kur ka reforma, jemi në Parlament. Kur ka shpresë, jemi në opozitë. Kur ka dëshpërim, jemi në pushtet. Të varfrit e njohin pamundësinë tonë për t’i ndihmuar me shumë seç e njohim ne fuqinë e tyre për të kuptuar. Ata njohin pandjeshmërinë tonë, paaftësinë dhe mbi të gjitha mungesën e frymëzimit krijues për të kryer reforma të patrukuara.
Kjo është dhimbja e dyshimit të kthyer në bindje. Nëse të varfrit binden se të gjitha burokracitë pluraliste nuk kanë fuqi ta mundin varfërinë edhe kur bëjnë reforma, shoqëria ka humbur masën e ekuilibrit, ndërsa qeveritë fitojnë humbjen e parë. Ato humbin të varfrit. Dhe kjo është humbja me e madhe e çdo qeverie. Dhe nuk është pak, sepse të varfrit janë shumica. Dhe, me sa duket, do mbeten shumica. E përmbytur.