Pse shqiptarët e refuzojnë atdheun
Nga Ilir Yzeiri, botuar në Shqip, 8 shkurt 2015
Ikjet masive nga Kosova, emigrimi me çdo kusht e me çdo mjet nuk po e shqetësojnë shumë opinionin publik, median apo elitat shqiptare. Edhe në këtë rast ne po dëshmojmë se jemi një popull folklorik që jetojmë me efektet e imazheve që prodhojnë të tjerët dhe kërcejmë si gjeli në majë të plehut për të komentuar gjithë gomarllëqet e botës, por nuk ndiejmë asgjë kur një plagë e madhe si migrimi po prek dhe po gërryen vëllezërit tanë në Kosovë. Ne po dëshmojmë se jemi karagjozë të pandreqshëm, sepse kemi një vetëbesim qesharak në kuptimin e botës. Ne i dimë të gjithë dhe gjithçka. Kur një politikan sharlatan si Cipras në Greqi erdhi në pushtet, ne, duke komentuar atë fenomen, u përpoqëm të tregohemi analistë vizionarë dhe arritëm të mallëngjehemi deri aty sa thamë që tani Europës kapitaliste dhe të egër i erdhi fundi. Harruam se ky komunist radikal, ndjenjën e parë që shfaqi në publik ishte shpërfillja për shqiptarët dhe kufiri te thana. Si një karagjoz modern ai ka filluar t’u tregojë të gjithëve kufirin, por Europa ia tregoi më parë thanat, këtij demagogu nacionalist që ka filluar të kërcasë dhëmbët ndaj Shqipërisë. Megjithatë, kundërshtari duhet çmuar edhe kur nuk të do dhe të përçmon. Ky demagog komunist, ashtu si dhe partia e tij, po luajnë në Europë me kartën e dinjitetit, të krenarisë dhe po përpiqen ta tundojnë Europën duke shpallur se krenaria greke nuk mund të preket, madje në ndonjë rast, përkatësisht në letrën e hapur që Cipras i dërgoi një gazete gjermane, u kujtonte atyre vitet e dëshpërimit të madh gjerman që sollën në pushtet si pasojë Hitlerin. Mirëpo, kohët kanë ndryshuar dhe europianët nuk emocionohen më me patetikën e krenarisë apo të dinjitetit. Megjithatë, grekët si komb e ndiejnë veten krenarë, me dinjitet dhe të barabartë me të tjerët, madje, kanë kurajën që të mos përfillin masakrën që kanë bërë me paratë e europianëve, por të kërkojnë prej tyre të tjera para pa bërë asnjë nga detyrat që në këtë rast janë të domosdoshme për t’u kryer.
Albini – as Cipras dhe as patriot
Albin Kurti mbushi sheshin e Prishtinës dhe u përplas fort me policinë për arsye nacionalizmi. Ai kishte shpallur të keqen më të madhe një ministër serb dhe Trepçën. U përleshën e u copëtuan shqiptarët mes vedi, sepse Albin Kurti e ka shpallur veten patriot të madh që do Kosovën dhe urren serbët, sepse Albin Kurti nuk e duron dot retorikën e sëmurë, idiote të një ministri serb. Albin Kurti u ngjet kreshnikëve të maleve tona që për një fjalë që paska pas thanë shkau e kall vatanin. Ndërkaq, ai atdhe që kërkon Albini po refuzohet nga kosovarët. Albini dhe albinët e Kosovës që protestojnë në atë vend nuk janë shpresa për Kosovën, sepse Kosova po zbrazet. Pyetja që shtrohet me këtë rast është shumë e thjeshtë: ku e kanë shqiptarët e Kosovës krenarinë, dinjitetin? Në një lajm thuhej se nga Kosova po ikin edhe ata që merrnin deri në 400 euro rrogë në muaj. Përse nuk e duan Kosovën shqiptarët e Kosovës si vend ku të ndërtojnë të ardhmen e tyre, begatinë e tyre. Po Albini cilën Kosovë mbron? Këtë që po zbrazet përditë. Shqiptarët e Kosovës kanë mijëra vështirësi, elita politike atje ka dështuar, shfaqja e fundit me krijimin e qeverisë ishte një spektakël i shëmtuar. Kosova ka prodhuar një realitet politik që e ka vrarë dinjitetin e atyre banorëve. Kur Kosova ishte e pushtuar nga serbët, të gjithë thurnin plane dhe ëndrra se pas largimit të pushtuesit, kosovarët do të ndërtonin mbrothësinë në atë vend me ndihmën e madhe sidomos të diasporës. Mirëpo, Kosova u çlirua nga serbët dhe u pushtua nga shqiptarët e babëzitur për pasuri dhe famë. Protesta e Albin Kurtit me shokë në mes të Prishtinës është një karikaturë e dëshpëruar e një lufte pa ide. Sot armiku i Kosovës nuk është Serbia, sot armiqtë e Kosovës janë shqiptarët e Kosovës, ata shqiptarë dallkaukë që i kanë hipur në kurriz tash sa vjet dhe e drejtojnë atë si një çiflig. Është e turpshme, tragjike dhe e pafalshme që dy shtete me shqiptarë, Shqipëria dhe Kosova nuk arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë të tillë që të krijojnë një treg unik, të shkëmbejnë shërbime, projekte dhe të zhvillojnë vendet e tyre. Shqiptarët këndej dhe andej kufirit, në një masë të madhe mendojnë të ikin nga sytë këmbët, mendojnë ta refuzojnë atdheun.
Po çfarë është atdheu?
E kam përmendur edhe në një rast tjetër që shqiptarët, historikisht, janë shquar për dy gjëra, mercenarizëm dhe emigracion. Këto cilësi i kishin hetuar më parë edhe rilindësit tanë të mëdhenj dhe Dora D’Istria sidomos. Kultin e atdheut si mungesë dhe si mall e krijuan shqiptarët e mërguar, poetët që nuk kishin jetuar asnjë ditë në këtë vend. Imazhi i atdheut të bukur, që nxjerr dragonj e luanë ishte një përfytyrim poetik i ikësve të mëdhenj e tragjikë që ishin arbëreshët. Kultin e atdheut e shfrytëzuan komunistët për të ndërtuar dashurinë me një vend imagjinar, me një vend idilik që nuk ekzistonte në realitet. Nga kjo romantikë u infektuan edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët i kënduan dhe e himnizuan Kosovën në këngë e në çifteli deri në marrëzi. Po si ka mundësi sot që ky atdhe i bukur nuk është i jetueshëm për një pjesë të madhe shqiptarësh? Si ka mundësi që nuk ka mbetur asnjë fije dinjiteti, krenarie ndër këta shqiptarë që të ulin kokën, të sakrifikojnë e të vuajnë në mënyrë që t’u lënë pasardhësve një atdhe më të begatë. Shqiptarët janë kombi më fatkeq sa i takon trashëgimisë. Gjithë sakrificat e brezave të mëparshëm kanë shkuar dëm ose kanë qenë të gabuara. U nënshtruan të parët nga Turqia otomane dhe pasojat dihen. Arritën të bëjnë një gjysmë shtet, por ai shumë shpejt u hodh në erë, sepse plasi Lufta e Dytë botërore dhe atëherë kur ishte rasti që të zgjidhnim diellin andej nga perëndon, u hodhën nga Lindja dhe gjitha sakrificat e të parëve tanë në këta 100 vjet shkuan dëm. Ne sot duhet ta nisim nga fillimi. Mirëpo edhe tani në nisje, mendjen e kemi nga Lindja dhe kemi zgjedhur të qeverisemi me kapadainj që mendojnë për lavdinë e kuletës së tyre, por jo për atdheun. Grekët dolën në rrugë këto ditë, sepse qeveria e tyre e drejtuar nga një demagog komunist i përmendi Europës dinjitetin, shqiptarët e Kosovës po e zbrazin Kosovën, sepse Albini dhe shokët e tij kanë nisur një betejë që jo vetëm nuk i shton gjë dinjitetit dhe krenarisë së shqiptarëve të Kosovës, por i bën ata që të ikin nga sytë këmbët.