Presidenti, mazhoranca dhe komunikimi institucional

Nga Afrim Krasniqi. botuar në Shqiptarja.com, 8 shkurt 2015

Në kulmin e krizës së provokuar nga përmbytjet e një pjese të territorit nga dalja e lumenjve nga shtrati i tyre natyror, politika shqiptare shfaqi sëmundjen e vjetër të daljes nga shtrati institucional drejt modelit të shtetit mediatik. Në emër të transparencës zyrtarë të lartë të shtetit preferojnë që çështjet zyrtare shtetërore ti bëjnë publike, dhe kështu, të ushqejnë debatin publik, pa marrë në konsideratë pasojat në imazhin, prestigjin dhe autoritetin e vetë shtetit. Përmes një konference shtypi Presidenti i Republikës bëri publike kritikat e tij ndaj Ministrisë së Jashtme dhe në tërësi ndaj pushtetit ekzekutiv.

Të marra një e nga një pretendimet e Presidentit janë serioze dhe vlejnë si argumente, por të parashtruara në publik nga vetë Presidenti rëndësia e tyre humbet duke ia lënë vendin fenomenit të denoncimit publik që vjen nga zyra e kryetarit të shtetit. Pak orë më vonë reagoi MPJ dhe vetë kryeministri, kabineti dhe politikanë të tjerë të mazhorancës. Reagimet e tyre patën në thelb të njëjtën sëmundje, – ushqimin e publikut me replika e kritika ndaj Presidentit, pra kreut të shtetit.

Në fund të ditës secila palë mund të ndjehet fitimtare, – Presidenti që foli publikisht për rezervat e tij ndaj sjelljes jo institucionale të MPJ dhe nga ana tjetër, qeveria e mazhoranca për denoncimin publik që i beri Presidentit, në atë që ato e quajnë, “veprim i përsëritur dhe i motivuar politikisht”. E vërteta është tjetër. Presidenti aktual nuk është Presidenti më i respektuar nga mazhorancat qeverisëse dhe as mazhoranca qeverisëse nuk është më arrogantja ndër mazhorancat në raport me Presidentin.

As njëra dhe as tjetra palë nuk kanë fituar asgjë përveçse lëvdatat e militantëve të tyre besnikë, por shteti shqiptar dhe piramida institucionale e tij ka humbur shumë, – sidomos aftësinë e tij për sjellje institucionale dhe menaxhim institucional të mosmarrëveshjeve midis niveleve të ndryshme vendimmarrëse. Që Presidenti dhe qeveria kanë mosmarrëveshje kjo dihej që prej ditës kur Presidenti dekretoi një kryeministër kritik ndaj tij dhe kur qeveria e majtë u betua përpara një Presidenti të zgjedhur nga e djathta.

Që tradita shqiptare politike ofron shumë raste kur Presidenti e mazhorancat politike kanë mospërputhje mendimesh e qëndrimesh nuk është lajm i ri, kjo ndodh periodikisht direkt ose indirekt prej muajit prill 1998. Asnjë president pas asaj date nuk ka pasur marrëdhënie të qëndrueshme mbështetjeje e mirëkuptimi nga mazhorancat politike. Unë besoj se në tërësi, kjo ka ndodhur për shkak se vetë mazhorancat kanë qenë të motivuara politikisht për kontrollin ose minimalizimin e rolit të Presidentit në vendimmarrjet e tij politike e institucionale.

Shqipëria e vitit 2015 është e ndryshme nga ajo e vitit 1998. Është një vend anëtar në NATO dhe që pretendon anëtarësim në BE. Është një vend që i ka provuar të gjitha format e krizave politike dhe që sot dominohet nga dy liderë të rinj politikë, të ndryshëm në formim e synime nga dy liderit historikë të viteve 90-92. Kryeministri aktual Rama ka qenë 34 vjeç në atë kohë, lideri i opozitës Basha ka qenë 24, presidenti aktual Nishani vetëm 32 vjeç, kurse ministri Bushati vetëm 21 vjeç. Sot secili prej tyre është 17 vjeç më i rritur.

Ata që kanë lindur më 1998 vitin tjetër do jenë zgjedhës, dhe kështu, do jeni brezi vendimmarrës në dekadën e ardhshme për Shqipërinë. Mjaftojnë këto shifra për të pretenduar se sjellja e sotme politike duhet të jetë, në çdo rast, shumë më e ndryshme nga 1998, se nevojat dhe pritshëmritë e sotme të shoqërisë e shtetit shqiptar janë për një sjellje të re institucionale, për një model demokratik funksional dhe me integritet, të bazuar në parime, vlera, standarde dhe përgjegjshmëri.
Një shtet serioz, ku institucionet janë funksionale dhe ku demokracia lexohet si aset i jashtëzakonshëm për ti dhënë jetë sjelljes kushtetuese dhe morale, do të duhej të kishte qasje tjetër.

Nëse Presidenti ka pretendime për investim të mazhorancës kundër pozitës së tij kushtetuese do të duhet të testojë e zgjidhë pretendimet e tij në rrugë institucionale. Nëse qeveria mendon se ka të drejtë të injorojë pozitën e Presidentit ose pretendon se ai ka sjellje të njëanshme politike atëherë edhe ajo duhet të ndjekë të njëjtën rrugë, – të veprojë në rrugë zyrtare, institucionale dhe serioze. Dy palët zgjodhën rrugën tjetër, atë të komunikimit përmes medias, ftesës së publikut për të gjykuar dhe injorimit të praktikës institucionale. Në dy rastet pasojat janë të ndryshme.

Nëse në rastin e sjelljes institucionale debati do krijohej, trajtohej e zgjidhej përmes kanaleve të komunikimit institucional e diplomatik, në rastin e komunikimit mediatik nuk ka shans dhe as pritshmëri serioze për trajtim e zgjidhje të keqkuptimeve ose mosmarrëveshjeve, – secila palë fajëson palën tjetër dhe dy palët bëjnë fajtor strukturën më të lartë shtetërore për problemet e (mos)funksionimit cilësor të vetë shtetit.

A mund të kishte opsion tjetër edhe duke marrë në konsideratë traditën e brishtë shqiptare të bashkëjetesës institucionale? Po, janë disa variante. Nëse mosmarrëveshjet kanë interes publik mund të kërkohej një rrugë indirekte e trajtimit të tyre publik, pa investuar direkt krerët më të lartë të shtetit. Nëse mosmarrëveshjet janë me interes të reduktuar publik atëherë mund të tentohej takimi zyrtar, negocimi dhe informimi zyrtar mbi rezultatin përfundimtar të procesit.

Nëse mosmarrëveshjet nuk kanë interes më rëndësi publike atëherë palët mund të kërkonin zgjidhje përmes komunikimit zyrtar shkresor, dhe në rast refuzimi, nga komunikimi zyrtar midis kreut të shtetit dhe kreut të ekzekutivit. Nëse as ky variant nuk shihet si optimal atëherë ekzistojnë aktorë e mekanizma të tjerë institucionalë vendorë e partnerë që mund të negocionin zgjidhjen ose ushtronin presion pozitiv për vajtjen tek zgjidhja optimale. Nëse situata do bëhej përjashtuese për çdo formë të komunikimit institucional, atëherë kreu i shtetit ka të drejtën kushtetuese ti adresojë mesazh Kuvendit dhe të trajtojë çdo çështje me interes shtetëror në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Injorimi i këtyre dhe të tjerë mekanizmave dhe instrumenteve të dialogut dhe zgjidhjes institucionale, nuk ngarkon asnjë palë direkt me përgjegjësi, por dëshmon nivelin e jetës institucionale dhe kulturës politike në Shqipëri, dhe bashkë me to, risjell në skenë brishtësinë e jetës institucionale, rrugën e gjatë që na mungon për të arritur atë stad që premtojmë në fushata e fjalime dhe që na largohet periodikisht njësoj si vija e horizontit. Zgjedhja për të shndërruar debatin institucional në debat publik, mediatik dhe militant, nga çdo palë që përfshihet, vetëm sa e dëmton procesin dhe interesin publik e shtetëror.

Për më tepër, asnjë prej institucioneve të përfshira, President, kryeministër, ministër apo deputet, nuk janë produkt i votës direkte qytetare, dhe kështu, nuk kanë mundësi të jenë produkt i gjykimit direkt të publikut. Duke qenë produkte indirekte të formulave të përfaqësimit, ato do të duhet të veprojnë në nivelin legjitimues dhe përfaqësues, – dhe minimalisht, të evitojnë në çdo rast dëmtimin e interesit publik nga defektet e funksionimit të sistemit jo-përfaqësues.

Së fundi, rasti i fundit nuk është as më i dukshmi, as i pari dhe as i fundit, kur institucionet, për çështjet e shtetit dhe aktivitetit të tyre komunikojnë me njëri tjetrin përmes medias. Ky është një tipar i shoqërive para-demokratike ose në fazën e parë të tranzicionit. Shqipëria që palët proklamojnë, është tjetër, një shtet që pretendon të jetë në fazën mbyllëse të tranzicionit, një shtet që pretendon të jetë në fazën e pjekurisë demokratike dhe kandidat potencial për në BE.

Ky kontrast vlerësimesh meriton vëmendje dhe sidomos reflektim që gabimet e të kaluarës të mos përsëriten dhe që përmbytjet që vijnë nga dalja e lumenjve nga shtrati të mos zëvendësohen ose mbivendosen asnjëherë dhe për asnjë motiv në daljen e politikës dhe institucioneve nga shtrati kushtetues e funksional. Uji ikën, pasojat rikuperohen, jeta vazhdon me pranverën në prag, kurse në politikë, konflikti mbetet, pasojat ushqejnë plagët e hapura dhe jeta shtetërore e politike mbetet gri, pa shanse e shenja ndryshimi thelbësor.

Diçka që përsëritet periodikisht, që kritikohet periodikisht dhe që nuk gjen zgjidhje periodikisht. Shqipëria e sotme e meriton një sjellje ndryshe, dhe në këtë mision, sic dëshmoi edhe kjo fundjavë, secili institucion ka nevojë për analizë, reflektim e ndryshim në sjellje e qëndrime për të arritur aty ku duam, tek demokracia funksionale dhe Shqipëria e modelit evropian.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi