Fundi i betejës politike mes të majtës e të djathtës

Nga Anne Applebaum, 8 shkurt 2015

zgjedhjet-ne-GreqiZgjedhjet parlamentare greke dhe formimi i qeverisë së re atje paraqesin disa mëdyshje mjaft interesante për ta që kërkojnë një fund të lumtur. Të majtët progresistë në të gjithë Europën nuk i kursyen urimet për SYRIZA-n, kur kjo fitoi zgjedhjet, por shumë prej tyre janë shtangur në heshtje kur mësuan se SYRIZA bëri koalicion me Grekët e Pavarur, një parti radikale e djathtë, të cilën Daniel Cohn-Bendit, majtisti legjendar evropian, e përshkruan si parti ultranacionaliste, homofobike, antisemitike dhe raciste. Një pjesë e mirë e atyre që votuan për SYRIZA-n dhe programin e saj kundër masa shtrënguese të imponuara prej kreditorëve kanë mbetur tashmë të shtangur nga axhenda që po ndjekin liderët e saj. Të dyja partitë, si SYRIZA, ashtu edhe Grekët e Pavarur kanë lidhje të ngushta me qeverinë ruse, si edhe me ideologun fashist rus, Aleksandër Duginin, i cili kohët e fundit ka bërë thirrje për gjenocid ndaj racës “bastarde” ukrainase.

applebaum-199x300

Kështu, akti i parë në politikën e jashtme e qeverisë së re greke, nuk ishte kundërshtia ndaj politikave ekonomike të BE-së, por kundërshtia ndaj sanksioneve që i janë vendosur Rusisë. Vetëm pas kësaj “proteste” nisën të artikuloheshin qëndrimet ndaj kreditorëve dhe masave shtrënguese. Në fakt, Greqia është rasti më unik i të bërit politikë. Nocionet e Europës për të majtën dhe të djathtën datojnë që nga revolucioni francez. Në vitin 1789, fisnikët u pozicionuan në krahun e djathtë të Asamblesë Kombëtare franceze ndërsa revolucionarët uleshin në krahun e majtë. Dhe që nga ajo kohë, njerëzit që kërkojnë ndryshime radikale cilësohen si majtistë dhe ata që kërkojnë të ruhet statuskuoja janë djathtistë. Mirëpo kjo tipologji duket se nuk po funksionon më.

Tani kemi shumë parti të majta revolucionare , por kemi po aq parti të majta që janë konservatore. Tashmë, beteja politike Europiane nuk është më mes të majtës dhe të djathtës. Tani lufta më e madhe politike është mes masave shtrënguese dhe kundër masave shtrënguese. Disa nga vendet europiane që u goditën nga kriza ekonomike e vitit 2009 i kanë ndjekur me përpikëri masat shtrënguese dhe kanë patur sukses. Irlanda e ka ristrukturuar ekonominë falë masave shtrënguese dhe tani po njeh rritje. Letonia gjeti mënyra efikase për të shkurtuar shpenzimet qeveritare, pa prekur fondin e pensioneve dhe tani po njeh rritje me ritme të larta. Tashmë beteja e vërtetë politike në Europë është mes atyre që unë do t’i quaja luajalistët/integracionistët dhe izolacionistët/nacionalistët. Kjo ishte shumë e dukshme në Britani vitin e shkuar, gjatë referendumit për pavarësinë e Skocisë. Nacionalistët skocezë kishin shumë dallime nga SYRIZA, por në shumë sfera ata përçonin të njëjtit mesazh, atë të ndryshimit kombëtar dhe themelor.

Ata gjithashtu kërkonin kontroll kombëtar të ekonomisë, politikave të jashtme dhe të brendshme. Kështu, edhe SYRIZA mund të qëndrojë pa probleme në të djathtën radikale, sepse në esencë, si Grekët e Pavarur, ashtu edhe majtistët e Ciprasit, kërkojnë kontroll kombëtar të ekonomisë dhe politikave të shtetit. Ndoshta ndryshimi i vetëm qëndron se të djathtët kërkojnë më shumë masa kundër emigracionit, por kur vjen puna te Trojka, të dyja partitë ndajnë të njëjtat qëndrime. Të dyja partitë kërkojnë që Greqia të ketë vendimmarrje të pavarur dhe që këto vendimmarrje të vijnë nga brenda Greqisë. Të huajt, dhe sidomos bankierët, mund të largohen nga Greqia së bashku me opinionet e tyre. Mirëpo, edhe në Rusi po qeveris një njeri që ndan të njëjtat qëndrime me qeverinë greke. Vladimir Putin e ka izoluar Rusinë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Emocionalisht, kjo pikëpamje është e arsyeshme, por në praktikë, është më shumë se utopike.

Grekët zgjodhën demokratikisht një qeveri që t’i jepte fund masave shtrënguese. Po kështu, edhe gjermanët e francezët kanë zgjedhur në mënyrë demokratike qeveri të tilla që sipas tyre, nuk duhet të ndihmojnë më vende që akoma refuzojnë të bëjnë reforma strukturore dhe që nuk janë në gjendje të mbledhin as taksat. Ata gjithashtu nuk duan që të paguajnë nga xhepi i tyre borxhet e Greqisë. Greqia nuk është vetëm pjesë e Europës dhe e Eurozonës, ajo është pjesë e një tregu global, rregullat e të cilit nuk mund të ndryshohen nga një shtet i vetëm. Ka shumë variante për përfundimin e përrallës greke. Ndoshta SYRIZA dhe kreditorët do të gjejnë një kompromis që i kënaqë të gjitha palët ose Greqia do të falimentojë dhe do të dalë nga Eurozona. Megjithatë një gjë është e sigurt: borxhi grek do të paguhet në një mënyrë ose në një tjetër.

*Autorja është kolumniste e “Washington Post” dhe drejtore e Programit Global të Tranzicionit në institutin “Legatum”, në Londër

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi