Mbi investimet për punime civile

Nga Dr. Enriko Ceko, botuar në Shqiptarja.com, 7 shkurt 2015

enrikocekoPunimet civile kryesisht kanë të bëjnë me investime që kryhen me financime nga ana e buxhetit të shtetit dhe kjo sepse individët dhe subjektet private në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nuk janë të interesuar për këto lloj punimesh ose nuk i kanë mundësitë financiare dhe organizative për të tilla investime.

Vendi ynë ka një territor të vogël por shumë të ndryshëm nga fushor në kodronor e malor nga zona në zonë dhe me lumenj e përrenj të vegjël, por që me rënien e shirave nga vija uji kthehen në prurje shumë të rrezikshme për një kohë mjaft të shkurtër dhe kjo bën që punimet civile, kryesisht ato për mbrojtjen e tokës, mbrojtjen e tokës bujqësore, mbrojtjet nga lumenjtë, e të tilla si këto, të jenë të domosdoshme, duke përfshirë këtu punime civile që duhet të kryhen për herë të parë dhe rehabilitime të punimeve civile të mëparshme.

Nga ana tjetër, vitet e fundit toka në përgjithësi dhe ajo bujqësore në vecanti është dëmtuar shumë nga ndërhyrjet e shumta për të ndërtuar vend e pa vend, edhe pse ligji shqiptar, në lidhje me dëmtimin e tokës bujqësore, parashikon dënime që vitet e fundit janë ashpërsuar (ende mbetet mjaft i butë krahasuar me legjislacionin evropianoperëndimor për këtë çështje). Toka dhe burimet e tjera lidhur me të nuk janë prona jonë. Ato ja kemi marrë në përdorim si hua brezave që vijnë, që do na gjykojnë për sjelljen tonë kaq jo normale ndaj këtyre burimeve dhe këtyre faktorëve të rëndësishëm prodhimi.

Në lidhje me sa më lart rendis dy fakte shumë të rëndësishme: (1) Shqipëria është e fundit në Evropë për sasinë e tokës bujqësore për frymë dhe (2) ne pretendojmë se bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare, kur toka bujqësore po dëmtohet nga dita në ditë.

Në Shqipëri në rreth 20 vitet e fundit investimet për punime civile dhe kryesisht për rehabilitimin e veprave ujore ekzistuese dhe për ndërtimin e atyre të rejave (ka mbi 30 vite që nuk është bërë ndonjë investim për të reja) kanë munguar. Shqipërisë, vetëm për rehabilitimin e veprave ujore dhe kulluese ekzistuese dhe për mbrojtje të tokës nga gërryerjet e mbrojtje nga lumenjtë, i duhen rreth 15 milionë dollar në vit, kur në buxhetin e shtetit janë alokuar rreth 8 milionë dollar, pra rrethu gjysma e kësaj shume.

Në Shqipëri nuk ka një institucion ku të jenë të grumbulluara në një vend të vetëm, në një zyrë qendrore shteti, të tëra projektet, skemat, skicat e veprave ujore të vjetra dhe të atyre që bëhen nga fillimi. Kjo do lehtësonte punën e qeverisë për të marrë masa dhe për të bërë verifikime në terren të gjendjes, duke bërë të mundur edhe parashikimin për investime në të ardhmen sipas një plani afatgjatë. Këto projekte të vjetra dhe të reja shërbejnë për kryerjen e punimeve civile, për të realizuar mbrojtjen nga lumenjtë, për të shmangur gërryerjen e tokës (kryesisht të tokës bujqësore), për të mirëmbajtur argjinaturat, digat, dambat, rezervuaret, pritat, brigjet e lumenjve, mbi dhe nënkalimet, urat e tombinot, e të tjera vepra arti në zona rurale, pranë rrugëve nacionale dhe në vende të tjera me rëndësi jetike për banorët përreth.

Në fakt asnjëherë gjatë këtyre 20 viteve nuk është alokuar një shumë e përshtatshme për kryerjen e punimeve të tilla civile dhe nga ana tjetër mungojnë institucionet përkatëse për kryerjen e studimeve të kësaj natyre dhe për lëvrimin e financimeve në mënyrë sa më të përshtatshme, ndërsa puna që kryejnë bordet e ujrave dhe të kullimit dhe pushteti lokal duket se nuk mjafton.

Në fakt, përvoja e viteve të fundit ka treguar se shumat e vogla të caktuara për këtë zë në buxhetin e shtetit ose nuk arrihet që të shpenzohen për shkak të burokracisë, ose keqmamaxhohen për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe korrupsionit, siç ndodhi në fakt edhe në vitin 2014, kur vetëm një pjesë shumë e vogël e financimeve të kësaj natyre me prokurime publike u arrit që të lëvroheshin në kohë.

Nëse kanalet kulluese dhe veprat e tjera hidrike si hidrovorë, ujëmbledhës e ujëlëshues, etj do funksiononin, atëhere përmbytje mund të mos kishte ose mund të kishte fare pak. Pra, nëse duam të masim eficiencën e punës së shtetit dhe të pushtetit, më mirë të shikojmë sasinë e investimeve për punimet civile të kësaj natyre dhe cilësinë e këtyre punimeve.

Unë mendoj se fajin nuk na e ka përmbytja, por mendësia jonë e bërjes së punëve dhe e konceptimit të gabuar të rolit të qeverisë, shtetit, pushtetit dhe të invididit në kushtet e ekonomisë së tregut, dhe, nëse vazhdohet po me këto mendësi dhe me këtë keqmanaxhim të veprave ujore dhe kulluese në Shqipëri, përsëri do kemi të njëjtën situatë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi