Diletantizmi primitiv i antikorrupsionit
Nga Sokol Hazizaj, botuar në Balkanweb, 7 shkurt 2015
Një pikturë, në mënyrë të natyrshme e drejton mendimin tonë drejt origjinales; nëqoftëse mendojmë për një plagë parandiejmë dhembjet që shkakton ajo” – postulat filozofik i DAVID HJUM (1711 – 1776), historian dhe një figurë kyçe në historinë e filozofisë perëndimore dhe iluminizmit skocez.
Citova këtë ide për ta vlerësuar më thjesht situatën në të cilën ndodhemi, çfarë kërkojmë dhe si duhet të riparohet gjendja e krijuar.
Përballë dëshirës njerëzore për të bërë më të mirën sa më shpejt në kohë, përsosja e skemave ligjore të qarta dhe pa asnjë kuptim të dyfishtë të referencave ligjore do të ishte rruga më e mirë. Përballë kësaj kërkese, për të mos u bërë nihilist deri në ekstrem, ndodhemi në gjendjen kur menaxhimi dhe stili udhëheqës i shtetit përpiqet të tregojë të mençurin, të shkathëtin, mendjehollin dhe për më tepër interesantin, me qëllimin e vetëm të largimit të vëmendjes së shtetasve të tij nga pamja e jashtme, duke i verbuar dhe joshur ata me befasime surprizuese, fjalë boshe, me qëllimin e vetëm, atë të zëvendësimit të bukurisë me shëmtinë në të cilën ndodhemi.
Me çfarë ndiej, i vetmi dimension nëpër të cilin ecet sot është shfrytëzimi me mençuri i çdo dobësie të krijuar në ndjenjën përulëse të qytetarit shqiptar, shfrytëzimi për çdo minutë mërzitjeje qytetare nëpërmjet rrjeteve sociale, përdorimi i kontrastit të shtirjes mbi të vërtetën në të cilën ndodhemi, duke u përpjekur të bindin “fajtorin popull” që e keqja, e paligjshmja është pjesa e tij natyrore, dhe aspak e qeverisjes.
Kjo përbën arsye, motiv për të cilën Ti (qytetari) duhet të klikosh, fotografosh një veprim që e quan korruptiv. Pra situata është më e thjeshtë sesa duket, e keqja ndodhet brenda teje, plaga është brenda jush dhe si e tillë, duhet ta vuani atë nëpërmjet përjetimit të shkakut dhe pasojës-dhimbje gjithashtu.
Primitiviteti i kësaj tribuje është fare i dukshëm, duke mjaftuar të kthehesh jo larg, por përpara njëzet e ca vitesh, kur fabula ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ ishte motoja sociale e “zhvillimit” dhe “mirëqenies”. Zëvendësimi i mjeteve procedurale dhe ligjore me vullnetin mediokër, konfrontues të qytetarit mes njëri-tjetrit duke anashkaluar organet dhe institucionet ligjzbatuese, në filozofi dhe jurisprudencë nuk është asgjë tjetër vetëm anarki dhe mungesë kompetence në zbatimin e ligjit dhe në formatimin e tij.
Kërkimi i zgjidhjeve spontane dhe kuturu, qoftë dhe në betejën ndaj korrupsionit, nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë të përbashkët me fletërrufenë apo me mbledhjet e organizatave për të kritikuar një individ që mbartte shfaqje të huaja, por është betejë ligjore në thelbin e saj. Lënia e kësaj beteje në dorën e individit është humbje jo vetëm kohe, por dhe investimi, sido që të jetë ajo. Korrupsioni nuk është bashkëkohës i qytetarit të thjeshtë, por bashkëjeton dhe mbartet nga individi, që shpreh dhe duhet të mbrojë interesat e shtetasit në qeverisje. Pa dyshim që dhe interesi qytetar duhet dhe ka kontributet e veta në këtë sfidë, por në kushtet e pangopësisë së individit-shtet, njeriu e humbet toruan dhe jep edhe shpirtin për të zgjidhur hallin, paçka se atë e ka dhënë njëherë duke votuar për mënyrën e qeverisjes.
Gjendja në të cilën ndodhemi nuk është novatorizëm, nuk është ndryshim i pritur, nuk ka asnjë lidhje me çka është aspiruar apo vazhdon të aspirohet në grahmat e fundit të shpresës, për arsyen e thjeshtë se menaxhimi përditshëm nuk ka lidhje me seminarin, butaforin e reklamës apo luksin e rrjetit social, ndonëse po përjetojmë përsëritjen më të shëmtuar të asaj çfarë kemi kaluar në këto vite. Shtirja e nxehtë në qeverisje, kur gjithë klima është e ftohtë dhe me lagështirë, qëndrimi në të njëjtën mënyrë standarde dhe fodulle shoqëruar me të ashtuquajtura ndryshime të befta, të sajuara, duke u munduar t’u prishësh mendjen njerëzve se nuk je si të tjerët, pa shoqëruar me reforma ligjore në favor të shoqërisë, me kalimin e kohës shpikësi fillon të besojë si pikturë realiste, por që në të vërtetë nuk ka të bëjë aspak me origjinalen dhe me dhimbjen.
Identifikimi i plagës është i lidhur me rrugën apo metodën e zgjedhur për të shkuar tek ajo. Në këtë vështrim, them pa droje që përmendja apo ripërsëritja e konceptit të ekzistencës së korrupsionit pa u shoqëruar me ilaçin e reformës ligjore, nuk është gjë tjetër veçse dhimbje që shkakton vendosja e gishtit në plagën që sa vjen dhe zgjerohet, duke u kthyer në sëmundje për të gjithë.
Përdorimi i mënyrës utilitariste ku na duhen disa për t’u dënuar apo burgosur për të mësuar pjesa e ngelur pa u shoqëruar me ndryshime ligjore, nuk të zgjidh asnjë problem për të ardhmen, përkundrazi, të shton problemet. Sforcimi për të trajtuar problemin si zgjidhje për vetë atë, përmbys gjithë misionin për të cilin vjen, duke mos gjetur rrugën e duhur të përmirësimit, përpos të tjerave, kthehet në bumerang ndaj qeverisjes. Nuk është e rastësishme fenomeni që ndodh sot, dhe pa dyshim pritej të ndodhte, kur gjithë pështymat e hedhura ndaj të tjerëve të ktheheshin në “gëlbaza” ndaj vetes, ndonëse nuk meritohet, por prapë pis të bëjnë. Duhet kuptuar se procesi i dekriminalizimit dhe antikorrupsionit janë akte pazgjidhshmërisht të lidhura, nuk ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra, dhe pa përmirësime ligjore nuk mund të fitohet ndaj tyre, pra nuk realizohen. Reformat të cilat veç nocionit nuk kanë asgjë të re, nuk mund të kryen nëse ende në institucione vazhdojnë të rekrutohen individë të cilët vetëm burokratë nuk mund të quhen. Pa dyshim në vështrimin ligjor nuk është e drejtë të mos pranosh rehabilitimin si proces, por ky vjen jo menjëherë, kërkon kohën e vet, prandaj ligjbërësit në të gjitha kohërat kanë parashikuar me kujdes kohën e provës. Moskuptimi i kësaj përvoje të çon në konstatimin se, brenda kuorumit qeverisës ka individë që nuk e kanë kaluar kohën e provës, prandaj ndodhin fakte të cilat po ndodhin. Burokracia është art dhe talent, pse jo dhe e lindur, nuk është tender, as prokurim, dhe duke mos qenë e tillë nuk mund ta kuptosh, për më tepër fillon të abuzosh me partneritetin publik dhe privat. Gjasat janë të tilla të ndodhin siç po ndodhin, prandaj domosdoshmërisht kërkohen reforma ligjore dhe njerëzit e duhur pranë saj.
Antikorrupsioni shoqëruar me kriminalizimin e pjesës më të madhe të shoqërisë nuk ka rezultat, gjë e cila po ndodh, paçka se flitet ndryshe, të cilat fillon t’i besojnë vetëm ata që i flasin. Shembulli më i qartë është hetimi dhe gjykimi i çështjeve, për të cilat nuk flitet dhe nuk guxohet të flitet, duke e konsideruar dhe kuptuar pavarësinë e gjyqësorit vetëm si ndërrime emrash apo individësh. Ritheksoj se korrupsioni është fenomen në përmbajtje dhe në procedurë, nuk është kapërcim i pacientit nga njëri pavijon në tjetrin për shkak të pamundësisë për të gjetur diagnozën, kur të gjithë doktorët janë në të njëjtën gjatësi vale, nuk është ndërrim burgu, se burgu njësoj është, për më tepër edhe kur është burg i ri. Korrupsioni minimizohet duke saktësuar dhe ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme rrugën ndaj së drejtës, duke mbyllur pafundësisht hapësirat boshe ku lëvrohet mendja e djallëzuar njerëzore. Interesi për të realizuar një proces unik, të kodifikuar siç duket nuk është, dhe sa kohë ky dimension është jashtë përfytyrimeve të deritanishme, reformë nuk ka dhe nuk do të ketë, përveç nocionit të saj. Kjo kohë më kujton çfarë citonte Cvajgu për Stendalin, megjithëse është qesharake, por dëshiroj ta mbyll me pak nga shekulli i 18-të, kur “tek zbriste shkallët Stendali, vazhdonte të bluante në kokë planin e sulmit, të merrte me mend efektin; me të hyrë në sallon do të shpallte përpara të gjithëve dërdëllitjen e zhurmshme, nuk do të linte askënd të hapte gojën, do të fliste me gojëtari të zgjedhur dhe me kryeneçësi, për aq kohë sa kureshtja tallëse të mos bëhej zotëruese në sallë dhe gratë të mos ia shqisnin sytë”. Sa primitive!