Vështirësi për reformën në drejtësi
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 6 shkurt 2015
Kuptimi i termit ‘reformë’ ka të bëjë zakonisht me ndryshimet në aspekte të veçanta të jetës. Më dendur, me organizimin dhe funksionimin e strukturave shtetërore, pa rolin e të cilave nuk mund të pretendohen zhvillime të mëtejshme në çdo vend të botës moderne. Në rastin e Shqipërisë, disa herë ky kuptim është harruar apo deformuar. Dhe ja pra çfarë përfituam: një tranzicion të zgjatur me hapa të zvargur. Derisa erdhi një kohë, kur populli vendosi të ndryshojë qeverisjen dhe mënyrat e saj me votë masive, siç ndodhi në qershorin e vitit 2013.
Mirëpo, ky produkt demokratik do të synonte pa dyshim të prodhonte edhe nënprodultet e veta, të cilat do të duhej të sendërtoheshin në reforma, që do të ndryshonin dhe përmirësonin jetën e popullit. Prandaj, duke u bindur, duke vërejtur gatishmërinë e qeverisjes së re për të aspiruar me të gjitha kapacitetet dhe energjitë e saj familjen evropiane, Shtetet Anëtare të BE nuk vonuan t’i akordonin edhe Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Unionin e shumë dëshiruar nga shqiptarët që prej afro një çerekshekulli.
Megjithatë, sidoqoftë qëllimi final i brezave të sotëm dhe i qeverisjes aktuale, për të shpejtuar hapat gjatë udhëtimit në Perëndim të kontinentit të përbashkët, ende mbtet aktual mësimi i vyer, që i atribuhet ta ketë shprehur dikur Perandori romak, Markus Aurelius: “Lumturia e jetës varet gjithmonë nga cilësia e mendimeve dhe e veprimeve”.
Në këtë sens, nuk mund të mos mirëkuptohen detyrat që ka lënë Brukseli, pa përmbushjen e të cilave Shqipëria nuk mund të kualifikohet në fazën e çeljes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Fjala është, për 5 reforma të domosdoshme, nëpërmjet të cilave mund të kapërcehet realisht udhëkryqi i deritashëm. Dhe, ndër këto reforma, ajo që pritet me padurim nga populli dhe që vlerësohet nga ndërkombëtarët si kyçe në gjithë procesin e kësaj faze është ajo në sistemin e drejtësisë.
Ndonëse, nuk mund të mohohet që çdo shteti i duhet të bëjë reforma në këte drejtim tërë jetën e qenies së tij, vazhdueshëm dhe kryesisht në dy drejtime, duke iu referuar maksimave latine: de lege ferenda (në pukëpamje të nxjerrjes së ligjeve apo normave të reja) dhe de lege lata (në pikëpamje të përmirësimit të legjislacionit në fuqi). Nejse, rreth rëndësisë së reformës së pritur është folur shpesh herë, janë ngritur tryeza pune dhe organizuar konferenca më tepër protokollare, por asgjë konkrete nuk është bërë, aq sa që në hyrje të këtij viti nga të gjithë pranohej haptazi se jemi të vonuar.
Këtë e artikuloi me zë edhe më të lartë se sa shtetarët tanë kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio gjatë vizitës së tij në Tiranë nga mesi i janarit. Këtij muaji i përkoi edhe nisja e sesionit të parë vjetor të Kuvendit të Sqipërisë, kur u shpall ngritja e Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë me një afat 6 mujor. Me një afat pra, që edhe ata që e deklaruan mund t’i kenë vënë nga pas një pikëpyetje jo të vogël.
Në të vërtetë, arsyet e një dyshimi të tillë nuk janë aspak objektive. Ato mund të shpjegohen me qëndrime subjektive të forcave politike kryesore opozitare, që me konsekuencë deri më sot nuk janë të prirura të bashkojnë vullnetin për vendimmmarrje gjithëpërfshirëse.
Për çdo aksion, këto qëndrime përbëjnë reaksion. Dhe, duke shprehur këtë vlerësim nuk do të ishte aspak e tepërt që ai t’i qëndronte si pengesë edhe kryerjes aë reformës në drejtësi, sikurse ka ndodhur (për shembull) me realizimin e reformës administrative–territoriale. Një tregues i vështirësive që paraqitet për aplikimin e reformës kyçe të integrimit brenda një afat kohor të arsyeshëm përbëjnë tekat apo pretendimet e paarsyeshme të përfaqësuesve të opozitës parlamentare, përkatësisht ata të Partisë Demokratike, të cilët vënë si kusht të pjesëmarrjes së tyre në Komisionin përkatës përmbushjen e një sërë kriteresh, që vetëm mëndjeprishësit mund t’i konsiderojnë të përshtatshme.
Ata kërkojnë që në këtë organizëm ad hoc të Kuvendit numri i anëtarëve nga secili krah të zgjedhurish të jetë i barabartë. Më tej, sipas kësaj logjike kërkohet që Komisioni të ketë dy bashkedrejtues, por nuk mjaftojnë vetëm këto: u dashka që përfaqësuesit e opozitës të kenë edhe të drejtën e vetos, sikur votat e popullit për zgjedhjet parlamentare na qënkan ndarë në përpjesëtim të barabartë në favor të të dy koalicioneve, ose edhe sikur…Nuk ia vlen të vihen në dukje të tjera hamendje, sepse është e qartë që marrja e pozicioneve të tilla do të synonte zvarritjen e kohës për kryerjen e një reforme serioze, duke ngritur pengesë pas pengese, aq sa të mos mund të priten një herë e mirë tentakulat e helmëta që ish lideri i Partisë së rrëzuar me turp si asnjëherë tjetër nga pushteti ka lëshuar energjikisht në organet e sistemit të korruptuar të drejtësisë shqiptare.
Si rrjedhin ose shtojcë, apo quaje si të duash i respektuar lexues, i vështirësisë që u shtjellua pak a shumë më lart del edhe një vështirësi të tjetër, që i kalon madje përmasat e reformës në drejtësi, e cila nuk mund të konsiderohet e thellë pa disa ndërhyrje në Kushtetutë, që duhet të prekin edhe eleminimin e pasojave ndaj një raporti të drejtë midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Në një vështrim të përgjithshëm tani, edhe kur kanë kaluar mbi 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përvoja ka treguar që ajo u është përgjigjur pozitivisht mjaft nevojave të shoqërisë shqiptare në periudhën e vështirë të tranzicionit.
Por, pavarësisht kësaj cilësie, ajo ka të shprehura disa zgjidhje, që nuk janë nga më të goditurat ose që koha u ka vënë pikëpyetje. Mirëpo, vetë Ligji Themelor i shtetit tonë u ka kushtuar ndryshimeve eventuale që mund t’i bëhen, një Pjesë të veçantë, që titullohet “Rishikimi i Kushtetutës”. Në periudhën aktuale, faktorët politikë, si në mazhorancë, po ashtu edhe opozitë, si edhe të gjithë juristët- ekspertë të konstitucionalizmit pranojnë më së shumti se duhen bërë një varg ndryshimesh, për të shmangur mangësi dhe inkoherenca, që koha i ka nxjerrë në pah, dhe për t’u përgatitur drejt periudhës së ardhshme që do të shënojë pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Realisht, Komisioni i posaçem parlamentar që në fillim të platformës së veprimtarisë së vet ka parashikuar edhe dëgjime apo diskutime të ekspertëve në një panel të veçantë për amendimet kushtetuese, si edhe të përfaqësuesve të grupeve të interesit. Sepse, edhe po të vështrohet rëndësia e këtyre ndryshimeve në kufijtë e ngushtë vetëm të reformës së organeve të sistemit të drejtësisë, një çështje shumë e rëndësishme është, për shembull, forcimi dhe sigurimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, përderisa kur është fjala për emërimin prej Presidentit të Republikës të anëtarëve të këtyre dy institucioneve kushtetuese, përlqimi nga Kuvendi jepet me një shumicë të thjeshtë, pra edhe me 36 vota.
Ndërkohë që Kushtetuta aktualisht parashikon masa të forta për të shmangur shkarkimin arbitrar nga Kuvendi të këtyre gjyqtarëve. Ose, një çështje tjetër përbën nevoja për t’i dhënë fund centralizimit të skajshëm të Prokurorisë, një formë kjo që nuk ekziston në shtetet demokratike. Gjithashtu, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë mund të rishikohet pozicioni i Presidentit të Republikës, i cili edhe nëse do të vazhdojë ta kryesojë atë, ndoshta nuk duhet të ketë të drejtën e votës, sepse roli i Kreut të Shtetit shprehet edhe në të drejtën për të vendosur përfundimisht mbi emërimin e gjyqtarëve të dy shkallëve të para të juridiksionit të zakonshëm.
Nuk po ndalemi në të tjera dispozita kushtetuese ku kërkohet ndërhyrje, sepse vështirësia më e madhe në këtë plan qëndron te sigurimi i së paku dy të tretave të votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, numër ky që nuk disponohet aktualisht nga forcat politike progresiste të përfaqësuara në Parlamentin. A do të arrihet ky sigurim gjatë 5-6 muajve të ardhshëm? Vështirë të pohohet kjo, përvçse po të shpresohet që – sipas të gjitha gjasave – do të thellohen së shpejti divergjencat e vërejtura brenda Partisë Demokratike apo ato të mundshme brenda tërë koalicionit opozitar.
Tek e fundit, vlera e njeriut dhe aq më tepër e atyre që përfaqësojnë komunitete njerëzore është te ato që i japin këtyre komuniteteve për zhvillimin e mëtejshëm të jetës së përbashkët, dhe jo në atë që janë në gjendje të mbajnë apo të marrin në kurriz të tyre.