Prezantohet Guvernatori i ri i BSH-së. Ja proritetet e tij

Sipas Shekulli Online, 6 shkurt 2015

Genti-SejkoGuvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë u prezantua sot nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Gent Sejko u zgjodh dje gjatë seancës parlamentare dhe u votua “pro” nga 105 deputetë, 3 votuan kundër dhe 4 të tjerë abstenuam për zgjedhjen e tij në këtë post.

Gjatë fjalës së tij si guvernator i Bankës Qendrore, Sejko u shpreh i vetëdijshëm për gjendjen e ekonomisë shqiptare. Ai tha se ekonomia jonë nuk është goditur nga kriza, dhe në këtë mënyrë theksoi se sistemi bankar i mirëkapitalizuar, do ta shtyjë vendin drejt promovimit të ekonomisë në drejtim të funksionimit të BSH-së.

Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë do të jetë e përgjegjshme ndaj publikut dhe parlamentit, dhe se rolet e saj do të ushtrohen në përputhje me ligjin në të gjitha departamentet:

“Do të përballojmë çdo sfidë me sukses . Të punojmë së bashku që të përballojmë të gjitha sfidat që kemi, të jemi optimist për ringritjen ekonomike. Banka Qendrore do të bëhet një model që do të kontribuojë në integrimin evropian të Shqipërisë”, tha Sejko.

Guvernatori i ri falënderoi gjithë politikën shqiptare, që me anë të konsensusit arriti të zgjedhë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Sejko u propozua më herët nga Presidenti Bujar Nishani për drejtuar autoritetin më të lartë bankar në Shqipëri. Ai u miratua edhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, për t’i hapur rrugë miratimit të tij, duke eliminuar kështu edhe përplasjet mazhorancë-President për zgjedhjen e Guvernatorit të BSH-së.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta e uroi Sejkon dhe ekipin e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që shprehu gjithë mbështetjen e Kuvendit për mirëfunksionimin e bankës.

Prioritetet e Sejkos në krye të BSH-së

Duke prezantuar platformën e tij përpara Komisionit të Ekonomisë, bankier Genti Sejko u përqendrua në disa çështje që sipas tij janë themeltare dhe nga aty pritet të nisi puna e tij në rast zgjedhjeje si guvernatori i ri i BSH-së. Një nga masat e para të Sejkos, sipas tij pritet të jetë ajo që lidhet me sistemin e kontrollit të brendshëm të BSH-së. Kjo masë lidhet me skandalin e fundit të vjedhjes së 713 milion lekëve nga banka, ku nga Dega e Thesarit, u zhdukën para të nxjerra nga qarkullimi apo që do të hidheshin në qarkullim. Sipas Sejkos kjo çështje do të zbardhet deri në fund dhe do të dalin në “dritë” të gjithë fajtorët.

“Do të filloja me transparencën dhe përgjegjësinë ndaj publikut dhe Parlamentit, me rikuperimin e dëmit ndaj Bankës së Shqipërisë që ka cenuar imazhin e saj. Ndaj shoh nevojën e vendosjes së një komunikimi me publikun për rikthimin e besimit ndaj institucionit” u shpreh Sejko. Ndër pikat e tjera të punës së tij do të jetë transparenca dhe mbrojtja e interesave të konsumatorëve. Gjithashtu, kandidati për guvernator tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Zbatimin e ligjit dhe standardeve më të larta të transparencës, përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë të të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Një objektiv tjetër do të ishte ruajtja e standardeve më të larta të integritetit, besueshmërisë dhe profesionalizmit për të gjithë punonjësit e BSH-së. Politikat monetare, sipas Sejkos, kanë një rol shumë të rëndësishëm në arritjen e objektivave makroekonomike dhe në nxitjen e ekonomisë, për të ngushtuar hendekun midis nivelit aktual të prodhimit dhe atij potencial.

Por ai evidentoi se vetëm mbështetja tek ato nuk është e efektshme, ndaj duhet një qasje edhe më e gjerë dhe është e nevojshme. “Për këtë duhet një kombinim i duhur jo vetëm i politikave monetare dhe fiskale, por edhe reforma strukturore, që korrigjojnë ngërçe dhe pengesat që ka ekonomia për të arritur potencialin e saj”, tha Sejko. Roli i Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, u shpreh ai, është që në koordinim, në kooperim me bankat e nivelit të dytë, si institucion rregullator dhe mbikëqyrës i tyre është të gjejë formën dhe mënyrën e përshtatshme që bankat të jenë sa më aktive në kredi dhënie, për të nxitur kreditimin në ekonomi. Sipas bankierit Sejko është shumë e rëndësishme që të mbahet një marrëdhënie sa më e ngushtë me mbikëqyrësit e vendeve të origjinës.

Ai nënvizoi përmirësimin e kuadrit ligjor për falimentet, nevoja për trajnimin e gjykatësve që lidhen më çështje që ndikojnë në klimën e biznesit. ndërsa një objektiv në drejtim të menaxhimit të institucionit do të jetë forcimi i rolit të auditit të brendshëm, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme profesionale. Ndërsa një nga objektivat e tjera sipas Sejkos do të jetë edhe forcimi i rolit të Komitetit të Kontrollit me anëtarë nga Këshilli Mbikëqyrës. Ndërsa pika e fundit ishte ajo që lidhet me menaxhimin e burimeve njerëzore, tërheqja e talenteve dhe përgatitja e brezave të ardhshëm.

Prioritetet

-Transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj publikut dhe Kuvendit
-Të punoj për rikthimin e besimit tek BSH pas skandalit të vjedhjes
-Stabiliteti i politikave monetare rrit transparencën
-Ruajtje të standardeve më të larta të integritetit për stafin
-Prioritet mbrojtja e interesave të konsumatorëve
-Politika monetare, fleksibilitet dhe menaxhim i likuiditetit në treg
-Koordinim politikash monetare e fiskale për të dhënë stimul për aktivitetin ekonomik
-Prioritet me rëndësi është edhe menaxhimi i BSH
-Forcim dhe administrim kontrollit të brendshëm të BSH

Sejko: Do të rishikohen pagat

Florion Mima: Nëse do të merrni bekimin e këtij komisioni dhe bekimin e Parlamentit për të drejtuar Bankën e Shqipërisë a do të rivlerësoni pagën e Guvernatorit, për ta zbritur atë në kufij të arsyeshëm, qoftë edhe 1 lek poshtë pagës së Presidentit. A do të ishit të gatshëm të rishikonit të gjitha privilegjet e punonjësve të sistemit Bankës Qendrore, që nga kreditë më interesa simbolike, pothuajse falas, që nga ushqimi, për këta njerëz që janë ndër më të mirë paguarit?

Plani im është për të bërë një studim konkret në rajon për të parë raportet që kanë bankat qendrore të vendeve të rajonit, me bankat e nivelit të dytë. Duhet të bëhet një gjykim objektiv me qëllim që të kemi një vlerësim objektiv pasi çështja e pagave është shumë e ndjeshme. Të mos bëjmë një mbivlerësim por nga ana tjetër të jemi në treg, në mënyrë që të mos nënvlerësojmë kapacitetet reale dhe të kemi rrjedhje të burimeve njerëzore. Me ato raporte qe kam parë BSH është konkurruese, ndoshta dhe diçka më poshtë se bankat e nivelit të dytë që kanë paketa më atraktive. Çdo rishikim i pavlerësuar i paketave të këtyre punonjësve, do të kishte rrjedhje të stafit dhe pozicione të tjera jashtë bankës. Nëse do të ketë çpërpjestim në raport me Rajonin do të jem i hapur të bëj rishikime, nëse ka fryrje, do ta rishikoj.

Anastas Angjeli: Zoti Sejko, së pari, çfarë është një gjë thelbësor e që ju do të bëni ndryshe nga pasardhësi juaj?

Meqë jeni kandidati i vetëm dhe konsensual. Sikurse e thashë, drejtimi i BSH në lodhje me politikat monetare të mbikëqyrjes, orientimi dhe ecuria e Bankës Qendrore ka qenë në drejtimin e duhur, por vlerësoj se nuk ka pasur probleme serioze që kërkonin ndryshime thelbësore. Ajo që unë vlerësoj që duhet të ketë ndryshim të madh janë sistemet e kontrollit të brendshëm të BSHsë, të cilat kanë dështuar, duke iu referuar ngjarjes së fundit si dhe departamentet që nuk kanë qenë në lartësinë e duhur si ai i thesarit, i kontrollit të brendshëm, i administrimit, i informacionit dhe teknologjisë. Ndaj, unë vlerësoj se ato duhen ri parë se është e qartë dhe e dukshme se ato nuk e kanë kryer rolin dhe funksionin e tyre. por sigurisht që gjithçka duhet riparo pasi është një institucion i rëndësishëm, ndaj duhet parë gjithë struktura dhe funksionimi i tij.

A keni ndonjë plan afat shkurtër afat mesëm apo afat gjatë për mbajtjen e lekut apo kalimit në euro?

Padyshim që do të ketë një plan pasi Shqipëria është kandidate për tu anëtarësuar në BE dhe Banka Qendrore ka një departament për koordinimin dhe integrimin. Unë kam filluar të punoj dhe kjo patjetër që do të ketë një plan konkret. Nuk mund të ketë integrim pa integrimin e monedhës. Sigurisht që plani do të jetë afatmesëm dhe afatgjatë.

Keni ju ndonjë plan për të rikuperuar vjedhjen në BSH?

Sigurisht që edhe kjo është shumë e rëndësishme. Një nga prioritetet e mija kryesore nëse do të zgjidhem si guvernator do të jetë të shoh dokumentet, pasqyrat financiare, dokumentet e inventarizimit të humbjes dhe për të gjykuar dhe vlerësuar edhe njëherë nëse kjo është vlera e saktë. Të nxjerrim përgjegjësitë e sakta dhe për të parë nëse sistemet e kontrollit të brendshëm në Departamentin e Thesarit janë në rregull.

Për të vazhduar karrierën tuaj bankare apo ambicie personale?

Lidhur me pozicionimin tim si kandidat për guvernator i Bankës së Shqipërisë kjo është në vazhdën e punës sime si ekspert i bankave. E gjithë eksperienca ime ka qenë në këtë fushë. Unë e shoh veten në pozicionin teknik, në karrierën teknike. Në rast se unë nuk do të zgjidhem do të vazhdoj punën time pranë bankave të nivelit të dytë. Sfida personale është gjithmonë sfidë karriere.

Sejko jep zgjidhjet e tij për eliminimin e kredive të këqija

Anastas Angjeli: A mund të më thoni, cilat janë shkaqet kryesore të situatës së kredive të këqija në vendin tonë, që zënë rreth 25 për qind të kredive dhe a keni ju një plan ndryshe për minimizimin e kësaj situate?

Janë një sërë shkaqesh që kanë ndikuar në kredinë me probleme. Kjo ka filluar në vite. Nga viti 2000¬ deri 2008, bankat kanë qenë super agresive, por kanë rendur ndaj atyre industrive si ndërtimi, që kanë pasur fitime, por kreditë kanë qenë të pastrukturuara mirë, si p.sh kredi me draft në vend të atyre me këste, ose kredi të strukturuara si për financime projektesh. Kjo ka bërë që me ardhjen e krizës bankat dhe klientët të gjenden përpara një “surprize” të papritur pasi rënia e çmimeve për produkte të caktuara si për pasuritë e patundshme dhe rënia e shitjeve, e ballafaqimit me mungesën e likuiditetit sollën një rritje të kredisë së keqe. Shkak kryesor ka qenë rendja nga ana e bankave drejt industrive të cilat patë rritje të theksuar por edhe mungesa e profesionalizmit.

Më thoni vetëm një qëndrim që do të orientoni Bankën ndaj zhvillimeve të fundit të BQE?

BQE ka bërë një lehtësim. Ne shpresojmë në radhë të parë që në vendet e origjinës bankat mëmë të kenë stimulim për kreditim. Ne shpresojmë që kjo të ngjallë optimizmin dhe kreditimin që nga vendet e origjinës. Gjykoj se ulja e normës ë interesit është vendim i drejtë dhe ka dhënë ndikim pozitiv dhe ka ndikuar në rritjen e kredisë në lekë. Pavarësisht se është arritur afër minimumit historik, duhet diskutuar me FMN-në nëse duheshin implementuar instrumente të tjera të politikës monetare sikurse janë lehtësimet sasiore.

Gjovalin Kadeli: Çfarë masash do të merrni ju si guvernator i ardhshëm në lidhje me kreditë e këqija?

Kjo është një gjë mjaft sensitive pasi prek disa grupe interesi. Lidhur me kreditë e këqija për bankat e nivelit të dytë janë marrë disa masa që lidhen me lehtësimin e bankave nga kjo barë, pasi duke qenë të ngarkuara me kredi të këqija bankat kthehen në frenuese në drejtim të kreditimit dhe nuk ndihmojnë bizneset me kredi. Këto janë të lidhura nëse banka është e ngurtë nuk ndihmon as klientët që janë me probleme. Nëse do të fshiheshin kreditë e këqija nga bilanci, banka do të ishte më fleksibël ndaj klientëve me probleme. Pra duhet të shihen me kujdes ato biznese të cilat kanë mundësi “frymëmarrjeje”, ndaj borxhi i bankës mund të ristrukturohet në funksion të biznesit.

Sherefedin Shehu: Një opinion tuajin lidhur me kostot e larta të shërbimit bankar?

Kjo është një nga detyrat kryesore të Bankës Qendrore në funksion të transparencës dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Sigurisht që brenda çdo industrie ka tendenca për rritje çmimesh në funksion të rritjes së fitimeve edhe pse konkurrenca të imponon të kundërtën, por është fakt që kostot janë më të larta seç duhet të jenë. BSH ka një rregullore për transparencën dhe ajo që unë do të kem në vëmendje është të shoh këtë rregullore. Do të monitoroj nëpërmjet mbikëqyrjes bankare aplikimin e komisioneve në mënyrë që të mos ketë komisione të fshehura, mos ketë rëndim të konsumatorit, që normat e interesit për kreditë të jenë transparente, klienti të mos manipulohet dhe bankat mos abuzojnë në kurriz të klientëve duke rritur fitimet e tyre.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi