Plani Varoufakis hap pas hapi

Nga Ardian Hackaj, Drejtor, Shtetiweb.org, 4 shkurt 2015

B8DleooIEAAkP2L

Prolog: “Synimi ynë është shkatërrimi i sistemit oligarkik grek!”

Në një intervistë për Channel 4, më datë 23 janar – përpara se të emërohej Ministër i Financave – Z. Varoufakis deklaronte mes të tjerash: “qëllimi ynë është lufta kundër krizës humanitare, reforma e shtetit (eliminimi i korrupsionit në prokurimet publike, shërimi i bankave të falimentuara dhe zbardhja e llogarive të mediave të kapura nga oligarkët) dhe negociimi mes të barabartëve me BE për borxhin”.

Në këtë shkrim ne do fokusohemi tek negociatat për borxhin. Vetëm nëqoftëse Qeveria Tsipras mbijeton deri pas qershorit, atëherë do të ketë mundësinë të zbatojë premtimet elektorale për luftimin e krizës sociale dhe reformën e shtetit grek.

Hapi I: Mbijetesa deri në 1 Qershor 2015;

Kundërshtari: Banka Qendrore Evropiane (BQE)

Pas zhurmës së mos-njohjes së Troikës dhe tatëpjetës që pasoi në bursën e Athinës, në datë 2 shkurt ministri Varoufakis shprehet në Financial Times për respektimin e borxhit ndaj partnerëve të Troikës por të kushtëzuar nga prodhimi i tepricave primare në buxhetin grek. Me një fjalë, për herë të parë rritja ekonomike kushtëzon pagesën e borxheve.

Fillimisht dhe urgjentisht shteti grek po kërkon krijimin e një “programi ure” (Bridging Programme), që do ti sigurojë marrjen e kredive deri në 1 qershor, por pa ju drejtuar Troikës. “Të gjithë e dinë që ne jemi të falimentuar. Çfarë kuptimi ka të marrim hua dhe 7 miliardë euro për ti paguar këstet BQE-së?”, thotë Varoufakis. Programi urë do ti lejonte bankat greke të vazhdonin të përfitonin nga avantazhet jo-të zakonshme të akorduara nga Banka Qendrore Evropiane.

Konkretisht deri më 1 mars bankat greke mund të marrin hua nga BQE duke lënë si kolateral “obligacione mbeturina” (junk bonds) të shtetit grek. Thënë ndryshe, bankat greke tani marrin kredi nga BQE duke lënë peng të vetmet asete që u kanë ngelur – bono thesari/obligacione, të cilat ja kanë blerë shtetit grek. Meqënëse shteti grek është aty ku është, obligacionet e tij nuk kanë pothuaj asnjë vlerë në treg, nga ku vjen dhe titulli jo fort i këndshëm “obligacione mbeturina”. Nqs BQE u refuzon këtë lloj kolaterali (pranimi i tyre është një përjashtim që bëhet për vende të Eurozonës që ndodhen nën mbikqyrjen e Troikës, përfshirë Portugalia dhe Spanja), atëherë bankat greke nuk kanë ku të marrin hua: asnjë institucion financiar ndërkombëtar nuk do të pranonte të bëhej kreditor i tyre. Si pasojë bankat greke nuk do të kishin mundesi të blinin obligacione të shtetit grek, duke i hequr këtij të fundit rrugën kryesore të financimit të deficitit buxhetor. Rezultati do të ishte shpallja e falimentimit të Greqisë dhe dalja automatike nga eurozona. Sot shteti grek kërkon të shesë (dhe blerësit do të jenë bankat greke) rreth 10 miliard euro bono thesari afatshkurtra për të fituar kohë për të trajtuar problemin kryesor: peshën dërrmuese të borxhit te jashtëm.

Hapi II: Hapja e negociatave për kushtet e borxhit

Kundërshtarë: Gjermania, Spanja, Portugalia

Duke shpresuar që BQE do të jetë dakord me “programin urë”, në fazën pasardhëse Varoufakis synon të zgjidhë problemin e peshës dërrmuese të borxhit. Me të drejtë, ai thotë që Troika me politikat e saj i ka dhënë përparësi pagesave të kreditorëve të huaj dhe jo rritjes së ekonomisë greke. Vetëm 11% të fondeve të akorduara nga Troika janë përdorur për politika publike në vend. Pjesa tjetër është kthyer prapë në Evropë, e më gjerë, në formën e pagesave të kësteve të borxhit grek. Të gjithë analistët financiarë bien dakord për faktin që Greqia nuk mund të kthejë kurrë këtë borxh.

Por një anullim, qoftë dhe i pjesshëm i borxhit, nuk do të pranohej nga partnerët evropianë. Edhe pse “i pakthyeshëm” në realitet, borxhi figuron në aktivin e bilancit të shteteve evropiane. Një anullim i tij, do të përkeqësonte ndjeshëm shifrat e buxhetit të çdo vendi evropian (1 miliard euro për Portugalinë, 25 miliardë euro për Spanjën, etj) dhe do të kompromentonte politikat e shtrëngimit buxhetor në këto vende, per te cilen Gjermania nuk po lëshon pè. Këtu nuk po llogarisim pasojat në politikat nacionale dhe rritjen e partive populiste të tipit Syriza në këto vende. Në përfundim, janë pikërisht qeveritë e Spanjës dhe të Portugalisë, që në mënyrë paradoksale, do të jenë kundërshtarët me të zjarrtë të këtij propozimi gjatë diskutimit të tij, nëse !, në Këshillin Evropian.

Hapi II.b: Faza e negociimit teknik

Kundërshtare: shkolla e mendimit neoliberal

Për ta tejkaluar këtë pengesë, profesori Varoufakis propozon “inxhinjeringun inteligjent të borxhit” (Smart Debt Engineering). Qëllimi është reduktimi i pagesave të kësteve të borxhit për ti dhënë frymë buxhetit të vendit, por pa përkeqësuar bilancin e vendeve borxhdhenëse. Në këtë qasje, borxhi konvertohet në dy lloje obligacionesh.

Lloji i parë i obligacioneve të reja do të indeksohen mbi rritjen ekonomike të Greqisë: sa më e madhe rritja e vendit, aq më shumë rriten pagesat e borxhit; dhe e kundërta. Kjo do ti lejonte Greqisë të perqëndrohet tek rritja ekonomike (dhe jo tek pagesa e borxheve) duke mos sakrifikuar investimet në ekonomi dhe në politika sociale.

Së dyti, Ministri grek i Financave thotë me zë të lartë atë që të gjithë e pranojnë heshturazi – Greqia e ka të pamundur për të paguar borxhin ! Ideja e tij inovative për të trajtuar këtë problem janë “obligacionet e përjetshme”: nëpërmjet tyre afati i shlyerjes së borxhit shtyhet pambarimisht. Avantazhi kryesor është që këto obligacione u lejojnë kreditorëve ta mbajnë borxhin grek në aktivin e bilancit të tyre. Ndërkohë Greqia paguan vetëm interesin, dhe jo principalin. Psh nqs një borxh prej 100 miliardë euro konvertohet në obligacione të përjetshme me rendiment 3%, Greqia do të paguajë 3 miliardë euro në vit, pafundësisht. Dobia e kësaj qasjeje është se i eviton vendit pagesat e larta që kërkon rimbursimi i principalit. Edhe kreditorëve u intereson të mos të kontabilizojnë në bilancin e tyre “principalin” si të humbur (bankat në Shqipëri, psh, janë shumë të kujdeseshme në këtë drejtim…). Për më tepër, që pas njëfarë kohe, pagesat e interesit tejkalojnë shumën e principalit (në rastin e 100 miliardë eurove me 3%, duhen 34 vjet për të rimbursuar te gjithë borxhin).

Epilog (i përkohshëm)

Aleatë: elektorati grek, popullata e varfër në Bashkimin Evropian e zhgënjyer nga shtrëngimet buxhetore,

Dhe pse më i mediatizuari, borxhi grek është pjesa e dukshme e grupit të sfidave me të cilat po përballet tani Greqia dhe partnerët e saj. Pjesa politike – dalja e vendit nga Eurozona – do të ketë pasoja të pallogaritshme për Bashkimin Evropian si institucion politik pa llogaritur tcunamin në tregjet financiare evropiane dhe botërore. Nqs kësaj situate i shtohen dhe pasojat në nivel gjeopolitik – para një jave Ministri i Financave rus lajmëroi gadishmërinë e Rusisë për të marrë në shqyrtim çdo kërkesë për kredi që eventualisht mund t’i vinte nga Greqia – nevoja për kompromis bëhet gjithnjë e më e madhe.

Si asnjë herë tjetër, vec mirëqënies dhe prosperitetit të fqinjëve tanë grekë, në lojë është vetë egzistenca e Bashkimit Evropian si institucion supra-nacional, dhe e modelit perëndimor të zhvillimit politik, ekonomik dhe social. Muajt që pasojnë premtojnë të jenë shumë interesante.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi